Në hetim për korrupsion, refuzohet pezullimi nga detyra për tre gjyqtarët e Apelit Durrës

Në hetim për korrupsion, refuzohet pezullimi nga detyra për tre

Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda nuk pranon pezullimin nga detyra të tre gjyqtarëve të gjykatës së Apelit të Durrësit nën hetim për korrupsion pasiv nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Tre gjyqtarëve për të cilët u  kërkua pezullimi nga detyra janë: Kliton Spahiu, Petrit Çeno dhe Petraq Dhimitri.

Hetimi ka nisur që në janar të 2017 pasi dyshohen se ata kanë përfituar një udhëtim për të parë ndeshjen Real Madrid – Barcelona nga një biznesmen, palë në një gjykim civil.

Gjyqtarët dyshohen se janë sponsorizuar në dy udhëtime jashtë vendit nga një biznesmen durrsak, i cili ishte palë në një proces civil që po shqyrtohej prej tyre. 

 Prokuroria iu drejtua pak ditë më parë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, duke kërkuar pezullimin e zyrtarëve, por ka qenë gjyqtari Luan Haziri që ka refuzuar kërkesën, duke mos pranuar pezullimin e tre gjyqtarëve. Të njejtin qëndrim mbajti Apeli, ndërkohë që organi i akuzës do ti drejtohet Gjykatës së Lartë.

Udhëtimi drejt Madridit për ndeshjen Real Madrid-Barcelona

Të dhënat e siguruara nga BIRN prej dosjes hetimore treguan se tre gjyqtarët kishim ndërmarrë një udhëtim në Spanjë në tetor 2014, për të parë ndeshjen e futbollit Real Madrid – Barcelona. 

 Prokuroria dyshon se ky udhëtim është bërë në shoqërinë e biznesmenit Namik Sadiku – pronari i një kompleksi turistik në Durrës – dhe është paguar prej tij. Në kohën e udhëtimit drejt Madridit, Sadiku kishte të hapur një çështje gjyqësore në Gjykatën e Apelit Durrës, ku relator ishte gjyqtari Spahiu dhe anëtarë të trupit gjykues ishin Petrit Çeno dhe Petraq Dhimitri. Më herët, dyshohet se relatori i çështjes, Kliton Spahiu dhe gjyqtari Petraq Dhimitri kishin udhëtuar në shoqërinë e Sadikut edhe në Itali. Konflikti gjyqësor lidhet me ndërtimin e hotelit 10 katësh të Sadikut në plazhin e Durrësit, në zonën e Shkëmbit të Kavajës. 

Sadiku ishte paditur nga ish ortaku i tij në ndërtimin e kompleksit, Oliver Ushina, prej shkurtit të vitit 2012. Në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës, çështja në fjalë është fituar nga paditësi Oliver Ushina. Ndërkohë, Gjykata e Apelit e ka rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë duke i dhënë të drejtë Sadikut. 

Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, më 18 shkurt 2015, Ushina ka paraqitur një kallëzim penal në Prokurorinë e Durrësit, ku akuzonte treshen e gjyqtarëve se kishin marrë vendim në favor të Sadikut, pasi kishin përfituar prej tij dy udhëtime jashtë vendit. 

EMISIONET