Edhe një muaj kohë për Komisionin e Reformës Zgjedhore, Zguri paralajmëron: Zgjedhjet rrezikojnë të bëhen kurban i sherrit

Edhe një muaj kohë për Komisionin e Reformës Zgjedhore,

Nismës së PS për ti dhënë PD një vend në tryezën e komisionit të reformës zgjedhore, edhe pse tashmë kjo forcë është jashtë parlamentit, ka hasur në kundërshtinë e opozitës së re në Kuvend.

Rudina Hajdari u shpreh se nuk do të miratojë reformën zgjedhore nësë pjesë e komisionit do të jenë edhe deputetët e larguar. Në të njëjtën linjë ishte edhe deputeti që mori mandatin nga lista e LSI-së Ralf Gjoni.

Rudina Hajdari: Kjo ofertë është një mënyrë për të patur një marrëveshje në tavolinë me partinë Demokratike apo LSI-në. Kjo nuk ka për të ndodhur. Ta kenë parasysh këta deputetë këtu, që nuk duhet të kenë absolutisht frikë pse kanë ardhur këtu.

Ralf Gjoni: Na kërkohet që të votojmë shtyrjen e afatit të Reformës Zgjedhore në një moment që i gjithë shteti sot ka rënë. Presidenti ju konsideron juntë ushtarake.  

Në përgjigje të shqetësimeve të deputetëve të rinj, Kryeministri Rama u shpreh se pjesëmarrja e deputetëve të opozitës është një kërkesë e ndërkombëtarëve, ndërsa kërkoi edhe mbështetjen e të rinjeve. PS i nevojiten edhe 5 vota nga opozita për të miratuar ndryshimet në reformën zgjedhore.

Edi Rama: I vetmi proces që kemi ne bashkë me ta, me gjithë partinë politike shqiptare PD, po të doni. Do vijnë apo nuk do vijnë, është punë për ta, nuk do i presim deri në pafundësi.

Nga Foltorja Rama tha që nëse do të ketë zgjedhje të parakohshmë apo jo nuk e vendosin ndërkombëtarët apo marrëveshjet nën tavolinë, por për atë vendos PS.

Edi Rama: Nuk kemi për ti hapur rrugë kurrë kësaj zgjedhje. Ata që ikën nuk kanë për t’u kthyer këtu përmes një rruge ekstraligjore dhe përmes asnjë lloj dialogu që të çon në një pazar të kësaj natyre.

Kryetari i ri i Komisionit të reformës zgjedhore edhe një herë theksoi nevojën për konsensus të gjerë.

Damian Gjiknuri: Reforma duhet të jetë mbipartizane dhe e gjithëpranuar, kështu që ne nuk mund ta digjnim këtë mundësi për shkak të ndryshimit të një realiteti politik dhe ta fshinim atë.

Me 75 Vota pro dhe 15 Kundër, Parlamenti miratoi dhënien e vëzghuesit të Partisë demokratike. Nga opozita e re pro u shpreh vetëm Aurora Mara.

Zguri paralajmëron: Zgjedhjet rrezikojnë të bëhen kurban i sherrit

Në prezantimin e raportit për veprimtarinë e KQZ për 2018, Klement Zguri tha se situata aktuale politike po vë në provë sistemin demokratik dhe shtetin ligjior.

Zguri: Përplasja aktuale politike po vë sistemin demokratik dhe shtetin ligjor në provë. Por po zhvillohet duke pasur në shesh të betejës kryesisht argumentin e zgjedhjeve. Zgjedhjet janë sebepi i sherrit por zgjedhjet rrezikojnë të bëhen dhe kurbani i tij.

Ndërkohë deputetja, Rudina Hajdari, kundërshtoi propozimin e deputetit Damian Gjiknuri për ti dhënë kohë opozitës deri në 5 maj për ndryshime në kodin zgjedhor.

Ajo e quajti absurde këtë kërkesë dhe sipas saj gjithçka duhet të diskutohet me deputetët në parlament.

Hajdari: Dua të flas për një kërkesë që ka ardhur nga deputeti Gjiknuri. Ishte një kërkesë e pavend nga një deputet i vetëshpallur si kryetar i komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore. Komisionit i ka mbaruar mandati me 21 shkurt 2019, ka një vit e gjysmë që ishte në funksion. I mbaroi mandati pa dhënë asnjë rezultat. Ata deputetë që ishin në Parlament nuk janë më dhe ju e keni bërë këtë marrëveshje me ta dhe jo me këtë opozitë të re. Deklaratat e Gjiknurit ishin shëmbëlltyra më e keqe se çfarë ndodh në këtë sistem partiak-politik në këto 28 vitet e fundit.

Duke e cilësuar opozitë qorre, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla tha se çdo parti që nuk futet në zgjedhje nuk mund të quhet më e tillë.

Balla: Partitë politike janë organizata të cilat funksionojnë për shkak të zgjedhjeve. Një parti që nuk hyn në zgjedhje nuk është më parti.

Parlamenti miratoi shtyrjen me 1 muaj të komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore.


EMISIONET