Vetëm 5 ditë para nisjes së aksionit të ujit në vend qeveria ka miratuar një vendim ku parashikohet subvencionim për vendosjen e matësave të ujit për familjet në nevojë.Në vendim saktësohet se do përfitojnë ato kategori të cilat nuk janë të paisura me matës apo me kontratë.

Qeveria do të mbulojë kostot e vendosjes së matësve dhe lidhjes së kontratës së ujit për kategoritë në nevojë.Vendimi është botuar në fletoren zyrtare vetëm 5 ditë para nisjes së aksionit për prerjen e paligjshme ndërsa shpenzimet pritet të mbulohen nga buxheti i shtetit.

Sipas vendimit nga subvencioni do të përfitojnë familjet të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike, familjet që kanë në përbërje anëtarë që përfitojnë pagesë të aftësisë së kufizuar, familjet që kanë në përbërje anëtarë që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror dhe pension invaliditeti të plotë në fshat dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar si dhe kryefamiljarët që përfitojnë pension pleqërie shtetëror. 

Listat e kategorive që përfitojnë  do ti kalojnë shoqërive të Ujësjellës-Kanalizimeve nga bashkitë brenda javës së parë të shkurit. Pas marrjes së listës ujësjellësat kanë detyrimin që të bëjnë lidhjen e kontratës dhe vendosjen e matësve. Familjarët që përfitojnë subvencionim kanë si detyrim të deklarojnë pranë shoqërive të Ujësjellës-Kanalizimeve, se nuk disponojnë një kontratë të lidhur  si dhe nuk janë të pajisur me matës në banesë. Pas kërkesës shoqëritë e Ujësjellës-kanalizimeve kryejnë verifikimet përkatëse me listën që disponojnë të abonentëve ekzistues.

Në Shqipëri numërohen rreth  270 mijë familje apo subjekte tregtare që sot nuk përdorin matës. Nga data 1 shkurt në të gjithë vendin do të nisë aksioni për të ndërprerë lidhjet e paligjshme shkelje për të cilat parashikohet edhe dënim me burg.

/Ora News.tv/