Reeker: Nuk jemi krenarë me shqiptarët këto javët e fundit, SHBA nuk do të bëhen arbitër

Reeker: Nuk jemi krenarë me shqiptarët këto javët e fundit,

Zyrtari i lartë amerikan, Philip Reeker, i cili shërben si Ndihmës Sekretar i Shtetit, apelon palët politike  në Shqipëri që të ta zgjidhin situatën brenda kornizës kushtetuese.

Duke komentuar krizën politike në vend, Reeker thotë se Shqipëria duhet të përdorë institucionet e saj për të kapërcyer gjendjen politike të sotme. Ai nënvizon se bojkotimi i zgjedhjeve të 30 qershorit nga opozita, nuk ishte ajo që shpresonte të shihte SHBA në vendin tonë.

“Nuk jemi krenarë me shqiptarët këto javët e fundit, sepse ata nuk përdorën institucionet që kanë. Nuk mundet që thjesht të bojkotosh parlamentin ose të dorëzosh mandatet. Ato institucione duhen përdorur, duhen përdorur gjykatat, duhet të emërohen anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, që përmes Kushtetutës dhe përdorimit të këtyre mjeteve të tejkalohen kohët e vështira politike. 

Shtetet e Bashkuara nuk do të bëhen arbitër i politikave të brendshme të Shqipërisë, por ne do të vazhdojmë të inkurajojmë të gjitha palët të punojnë së bashku me institucionet dhe të bëjnë hapat e duhur që të ecin përpara. Dhe nëse institucionet nuk bëjnë punë, atëherë puno që t’i ndryshosh ato, nëpërmjet mjeteve kushtetutese që keni”,tha Reeker duke iu përgjigjur një pyetjeje të Zërit të Amerikës.

Komentet zyrtari i lartë amerikan i bëri të mërkurën në një forum të organizuar nga Këshilli i Atlantikut në Uashington.

Më herët gjatë javës Reeker në një takim me Ministrin në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj konfirmoi mbështetjen e SHBA për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE në tetor.

“Bazuar mbi modelin e pakrahasueshëm të reformës në drejtësi dhe rëndësinë gjeostrategjike të thellimit të lidhjeve midis Shqipërisë dhe BE-së, ShBA-të mbështesin në mënyrë absolute hapjen e negociatave për anëtarësim në tetor,” bëri me dije Cakaj.

Diplomati shqiptar tha se reforma në drejtësi është një model rajonal për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderojnë se reforma në drejtësi s’mund të jetë subjekt i asnjë kompromisi dhe ajo përbën një model për rajonin dhe përtej,” deklaroi Cakaj.

EMISIONET