Tarifat e Trump, SHBA kritikohet për taksimin e importeve të çelikut dhe aluminit

Tarifat e Trump, SHBA kritikohet për taksimin e importeve të

Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi planin për vendosjen e tarifave mbi importet e çelikut dhe aluminit, duke nxitur një valë kritikash të paralajmëruara në rradhët e ndërkombëtarëve. Plani do të hyjë në fuqi brenda 15 ditëve dhe do të përjashtojë përkohësisht Kanadanë dhe Meksikën.

Partnerë të rëndësishëm tregtarë të Shteteve të Bashkuara kanë kritikuar presidentin Donald Trump për vendosjen e tarifave të reja mbi importet e çelikut dhe aluminit.

Në një ceremoni të zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë, ku të pranishëm ishin edhe punëtorë nga të dy industritë, Trump nënshkroi deklaratën e cila takson me 25% importet e çelikut dhe me 10% të aluminit.

Detyrimet do të hyjnë në fuqi brenda 15 ditëve, ndërkohë që Kanadaja dhe Meksika do të jenë përkohësisht të përjashtuara, teksa vijojnë negociatat mbi Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë në Amerikën e Veriut NAFTA.

Shoqatat e çelikut dhe metalit të Kinës i kanë kërkuar qeverisë të kundërpërgjigjet duke goditur importet amerikane, përfshi këtu qymyrin, prodhimet bujqësore dhe elektronike.

Japonia deklaroi se tarifat do të ndikojnë gjerësisht marrëdhëniet dypalëshe, ndërkohë që Koreja e Jugut ka kërcënuar ta çojë çështjen në Organizatën Botërore të Tregtisë.

Bashkimi Europian ka kërkuar përjashtimin e bllokut nga tarifat edhe pse më herët kërcënoi se do të taksojë importet amerikane.

Ndërkohë, Kanadaja dhe Meksika, përkohësisht të përjashtuara nga plani tarifor, deklaruan se Uashingtoni duhet të tërhiqet nga vendimi dhe se taksat e reja nuk mund të varen nga negociatat për marrëveshjen e NAFTA-s.

Plani është kritikuar edhe brenda Shteteve të Bashkuara nga vetë Partia Republikane e Trump, që paralajmëron se masat e reja mund të sjellin “pasoja të padëshiruara”.

Si rrallë herë, në mbështetje të Presidentit kanë dalë disa senatorë demokratë të cilët argumentojnë se ka ardhur koha që të mbrohen interesat kombëtare dhe punëtorët në ekonominë globale.

Gjatë fushatës, ky ishte një nga premtimet kryesore të Donald Trump, i cili u zotua të rindërtonte industritë e çelikut dhe aluminit.


EMISIONET