Raporti italian për kanabisin, Hoxha: Shifrat vërtet të frikshme, të merren masa

Raporti italian për kanabisin, Hoxha: Shifrat vërtet të frikshme,

Raportin e fundit të autoritetet italiane për trafikun e kanabisit nga Shqipëria, gazetari Artan Hoxha e konsideron alarmant. I ftuar në studion e Ora News, ai thekson se sasia e madhe e trafikuar vitin e shkuar ishte prodhuar një vit më herët dhe se ka ende rezerva të mëdha nga viti 2016.

Hoxha: Raporti i 2018-s, bën fjalë për sasinë e drogës së kapur në vitin 2017. Nëse e keni parë me vëmendje, thuhet qartësisht se autoritetet italiane për vitin 2017 kanë kapur 90 ton kanabis nga 40 ton kanabis që kishin kapur në 2016. Kjo do të thotë se i gjithë ky prodhim ishte prodhuar një vit më parë. Madje, i njëjti prodhim, i njëjti stok vazhdon. Edhe kur të dalin shifrat vitin tjetër, sasia e kanabisit do të jetë e konsiderueshme. 

Do të ngelet e konsiderueshme sepse super-prodhimi i vitit 2016 i krijoi mundësi grupeve kriminale, sidomos atyre me aktivitet në vendet e Bashkimit Evropian të kishin një depozitë shumë të madhe në Shqipëri. 

I vetmi problem për këto grupe, ka qenë gjetja e ambienteve dhe mbajtja në kushte optimale të magazinimit të sasisë së madhe të kanabisit. Duhet të kemi parasysh, se pasi kalon një periudhë kohe kanabisi e humb cilësinë. Grupet kriminale që kanë bazën logjistike dhe bazën financiare kanë gjetur ambientet në mënyrë që kjo sasi kanabisi të mos dëmtohet. Thjesht nuk dinim me saktësi shifrat, por mediat kanë raportuar për sasi të mëdha të kapura. 

Në këto kushte, raporti italian konfirmon atë që mediat kanë dhënë. Vetë autoritetet italiane thonë se rekordi i kapjes së 8 tonëve në Itali, e cila kishte destinancion vendet skandinave, dhe të çosh 8 ton kanabis nga Shqipëria në vendet skandinave do të thotë ta bllokosh atë treg për 3 ose 4 muaj, sepse kaq është kapaciteti në Suedi, Norvegji.

Ky raport është për t'u analizuar dhe për të marrë masa konkrete të menjëhershme. Jemi përpara një fenomeni që nuk mund ta djegim si etapë, ne duhet ta kalojmë. Në raport thuhet se nga 14 mijë veta të identifikuar që ishin marrë me trafik narkotikësh, flasim për një vend me 60 mln banorë, me resorte të mëdha dhe me turistë të pafund që sigurisht kërkojnë sasi të mëdha narkotikësh. Raporti thoshte se nga 14 mijë, 10 mijë ishin arrestuar dhe nga këta 2 mijë ishin shqiptarë. E kuptoni të ketë 2 mijë shqiptarë në burgje. 

Në territorin e Shqipërisë janë diku 5300 të burgosur dhe në territorin italian vetëm për një vit janë 2 mijë. Shifrat janë të frikshme, përmasat janë vërtetë të frikshme. Në raport kishte një detaj shumë interesant ku thuhet se grupet shqiptare kanë rritur kapacitetet e infiltrimit duke përmendur portet kryesore nga hyn kokaina, Roterdami në Holandë dhe Anversa në Belgjikë dhe po ashtu shpërndarjen e lëndës narkotike dhe bashkëpunimin me organizatat e tjera.


EMISIONET