Raporti i ISP: Kush janë komisionerët e ‘ashpër’ dhe ‘liberalë’ të vetingut

Instituti i Studimeve Politike publikoi raportin mbi bilancin mbi ecurinë e procesit të vetingut, problematikat dhe pritshmëritë.

Të dhënat fokusohen kryesisht në gjetjet e vetingut gjatë periudhës mars – gusht 2018. Raporti merret me detajet e procesit, bën bilancin e punës së komisionerëve, cilët janë komisionerët më të “ashpër” dhe më “liberalë”, si dhe të dhëna të tjera specifike dhe me interes publik.

Vendimmarrja e komisionerëve (KPK) dhe në strukturat e tjera të vetingut bazohet në tri kritere ligjore, - aftësia profesionale, të dhënat e pasurisë dhe integriteti, - cilësi të cilat përbëjnë edhe thelbin e procesit të rivlerësimit.

Trupa e KPK është trajnuar për përmbushjen e kësaj përgjegjësie. Ajo vepron me asistencën dhe monitorimin intensiv të ONM (Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit). Vendimmarrjet e KPK dhe të strukturave të tjera të rivlerësimit janë të pavarura, por megjithatë në disa raste ka pasur debate dhe kritika publike nëse vendimmarrjet bazoheshin në standard të njëtrajtshme për subjekte të ndryshme të rivlerësimit dhe nëse ka pasur ndërhyrje nga jashtë në vendimmarrje.

“Fakti që në të paktën katër raste ONM dhe Komisioneri Publik kanë apeluar vendimet e KPK është tregues i vlerësimit kritik dhe interpretimit të dhënave të konsideruara nga Komisionerët”  thuhet në raportin e publikuar me 8 gusht nga ISP.

Në fund të fazës së parë të vetingut mund të bëhet një vlerësim paraprak për produktin e KPK dhe ecurinë e procesit të vendimmarrjes së tij.

Konkretisht, të dhënat krahasuese të vendimeve të marra nga Komisionerët, anëtarë të KPK, ndihmuan ISP të krijojë një database me përqindjet e rasteve të angazhimit të komisionerëve në vendimmarrje, përqindje të rasteve të vlerësimit konfirmues ose të vendimmarrjes për shkarkim të subjekteve të rivlerësimit.  

(Siç rezulton nga tabela poshte), komisionerët më me shumë çështje gjykimi janë Pine dhe Sanxhaktari me nga 17 çështje ose 12% të rasteve totale, ndjekur nga Çiftja dhe Ilia me nga 14 çështje ose 10% të rasteve të gjykimit. Më pak raste gjykimi kanë pasur Faskaj me 5 çështje ose 3% të rasteve, si dhe Zhegu me 9 çështje ose 6% të rasteve totale.

Tabela (poshte) ilustron edhe komisionerët më të “frikshëm“ dhe më “liberalë“, që kanë përqindjet më të larta / më të ultë të vendimmarrjeve për shkarkimin e subjekteve të rivlerësimit.

Rezulton se komisionerët Bekteshi dhe Faskaj kanë përqindjen më të lartë të shkarkimeve, me nga 60% të rasteve të gjykuara, ndjekur nga Çiftja me 57%, Pine dhe Sanxhaktari me nga 53%. Këta janë komisionerët që kanë më shumë se 50% shkarkime në vendimet e tyre sesa konfirmime në detyrë. Pjesa tjetër e komisionerëve kanë më shumë konfirmime sesa shkarkime nga detyra. Nga tabela rezulton se komisionerët më “liberalë“ janë Shuli me 18% shkarkime, Ilia me 21% shkarkime, Zhegu me 33% shkarkime, për të vijuar më pas me kryetaren e KPK Tafa (Bundo) me 42% shkarkime.


Bilanci i vetingut 2018

Nga lista prioritare e shpallur nga KPK në dhjetor 2017, deri në mesin e gushti 2018 kanë kaluar në testin e vetingut 48 subjekte rivlerësimi.

Tabela e mëposhtme paraqet ecurinë e deritanishme: në total prioritet i vetingut në fazën e tij të parë ishin 57 subjekte rivlerësimi. Prej tyre, 3 subjekte (Llalla, Imeraj, Kasmi) dhanë dorëheqje, 21 subjekte janë shkarkuar, 27 subjekte janë konfirmuar, dhe 6 subjekte janë në pritje të seancave dëgjimore. Për shkak të periudhës së pushimeve vjetore, pritet që subjektet e mbetura të trajtohen në muajin shtator. Sipas praktikës së paralajmëruar në vendimmarrjen e KPK në dhjetor 2017 dhe janar 2018, do të vijohet më pas me listën e dytë prioritare, ku bëjnë pjesë 36 drejtues gjykatash dhe të prokurorisë, midis të cilëve edhe katër kandidatë për KED (E.Dhimiri, F.Qato, A.Jangulli dhe S.Lubonja)

Seancat rekord

Tabela e punës së KPK gjatë periudhës mars – gusht 2018 tregon kurbën në rritje të seancave dëgjimore dhe vlerësuese. Siç rezulton edhe nga tabela, në mars pati vetëm një seancë, në prill 5 seanca, në maj 2 seanca, në qershor 10 seanca, në korrik 29 seanca dhe në javën e parë të punës në gusht 2018 vetëm 1 seancë. Numri rekord i seancave mbetet muaji korrik me 29 seanca dhe data 30 korrik me 4 seanca brenda të njëjtës ditë. Për shkak të vendimmarrjes së BE ndaj Shqipërisë (mesi i qershorit 2018) raportimet mbi ecurinë e procesit të vetingut nxirrnin në pah vonesat e dukshme në proces, por me ritmin që mori ecuria e procesit gjatë muajit korrik arriti të përmbushë pritshmëritë publike ndaj tij.




Vendimet me nje vote

Nga të dhënat e trupës së KPK që ka bërë vlerësimin dhe vendimmarrjen, rezulton se në 4 raste vendimmarrëse ka qenë Xhensila Pine, në 3 raste Valbona Sanxhaktari, në 2 raste Roland Ilia dhe Etleda Çiftja, si dhe në 1 rast kanë qenë Alma Faskaj, Brunilda Bekteshi, Firdes Shuli dhe Genta Tafa (Bungo). Në  7 asnjërin nga 5 rastet nuk ka pasur relatorë të njëjtë, dhe se në 2 raste drejtuese e trupës së KPK ka qenë Xh.Pine


Ankimimet

Duke iu referuar katër rasteve të ankimimit nga ONM dhe Komisioneri Publik, (Dedja, Ismalaj, Medja dhe Zaganjori) vlen të theksohet se nga trupa e KPK rezultojnë të kenë qenë vendimmarrës Roland Ilia (me tri vendime), Pamela Qirko e Xhensila Pine (me dy vendime), Genta Tafa, Olsi Komiçi, Firdus Shuli Suela Zhegu, Valbona Sanxhaktari (me nga një rast). Në rastin e dosjeve “Dedja“ dhe “Medja” vendimmarrja ka qenë me shumicë votash, pra 2 vota pro dhe 1 kundër, ndaj nuk është e qartë se cili nga tre anëtarët (Tafa, Zhegu, Qirko, Shuli, Ilia, Pine) ka qenë minorancë, kurse në dy rastet e tjera vendimmarrja ka qenë unanime pro, pra secili nga anëtarët e trupës vlerësuese ka marrë vendim të ndryshëm nga opinioni i ONM. 

Nderkohe sot mesohet se ONM ka rekomanduar dhe ankimimin per Gentian Osmanin, prokuror prane Prokurorise se Krimeve te Renda. 


Gratë gjyqtare e prokurore: 30% më pak shkarkime sesa burrat

Të dhënat e fazës së parë të vetingut tregojnë se deri më tani janë shkarkuar 13 gjyqtarë dhe 9 prokurorë, janë konfirmuar 15 gjyqtarë dhe 12 prokurorë, kanë dhënë dorëheqjen 1 gjyqtar dhe 1 prokuror, si dhe janë në proces vlerësimi në shtator 1 gjyqtar dhe 4 prokurorë. Po ashtu në proces vlerësimi është edhe një juriste, kandidate për detyrën e Inspektores së Lartë të Drejtësisë.

Në aspektin gjinor vlen të theksohet se janë shkarkuar 19 nga 41 meshkuj ose 46% e numrit total në veting, si dhe 3 nga 16 gra ose 19% e numrit total në veting. Nga ana tjetër, janë konfirmuar 69% e numrit total të grave gjyqtare e prokurore në veting, shifër 30% më e lartë sesa numri i meshkujve gjyqtarë e prokurorë të konfirmuar. Pjesa e mbetur jashtë këtyre statistikave përbëhet nga të dorëhequrit dhe ata që janë ende në procesin e vetingut.

Ecuria

Në gusht 2018, pavarësisht se janë shkarkuar 21 subjekte rivlerësuese, kemi vetëm 2 vendime përfundimtare të konfirmuara në KPA (Kolegji i Posaçëm i Apelimit), dhe 3 raste në procedurë. 

 Për 16 raste të tjera, përfshirë edhe 3 raste të animimit nga Komisioneri Publik, KPA do të kërkojë kohën e nevojshme ligjore në dispozicion, e cila mund të tejkalojë muajt nëntor-dhjetor 2018. 

Deri në gusht 2018 Komisionerët Publikë kanë bërë vetëm 8 ankimime në KPA, 3 raste me rëndësi, ku përfshihen kryetari i Gjykatës së Lartë dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese, si dhe raste të tjera kryesisht të dorëheqjes nga procesi i vetingut. 

Nëse Institucioni i Komisionerit Publik (IKP) do ta ushtrojë këtë të drejtë edhe për raste të tjera të fazës së parë, procesi i shqyrtimit të KPA do të kërkojë kohë shtesë dhe vendimmarrja finale për 57 emrat e listës prioritare nuk do të ketë përfunduar përpara fundit të vitit 2018. 

Aktualisht ka vendime përfundimtare në dy nivelet e vetingut, për vetëm 9-10 subjekte rivlerësuese, nga të cilat 2 janë vendime shkarkimi përfundimtar dhe të tjerat janë konfirmime në detyrë në mungesë të ndonjë ankimimi nga ana e IKP. 

Zyrtarët e BE dhe të institucioneve ndërkombëtare që vijojnë të merren me reformën në drejtësi në Shqipëri, janë në tërësi më optimistë. Ata parashikojnë se nën presionin politik nga Brukseli dhe Uashingtoni, do të mund të ndikohet nga njëra anë në përshpejtimin e procesit teknik të seancave dëgjimore dhe nga ana tjetër në zgjerimin e konsensusit politik për përmirësime në legjislacion dhe vendimmarrjet që lidhen me parlamentin. 

Synimi kryesor është arritja e objektivit për të ngritur Byronë e Hetimit dhe strukturën e posaçme anti-korrupsion (SPAK) brenda pranverës së vitit 2019.

"Parashikimi i Komisionit të Venecias në “Opinionin Nr. 824 / 2015” rezultoi se ishte profesional dhe i saktë. Procesi i rivlerësimit në fazën e parë të tij, me gjithë rezultatet pozitive, u shoqërua edhe me pasoja direkte në institucionet aktuale të drejtësisë në Shqipëri. Kritikët e procesit e kanë përdorur këtë situatë të re për të shtuar dorën e kritikave ndaj vizionit të munguar të reformës në drejtësi dhe përgjegjësive politike dhe institucionale që burojnë prej tij. Mbështetësit e procesit përdorin alibinë se pavarësisht çmimit dhe problematikës së krijuar procesi ka më shumë vlerë dhe duhet pranuar apriori si i tillë" nenvizon raporti.

Paraliza e institucioneve te drejtesise

Gjendja aktuale e institucioneve kryesore të drejtësisë është kritike.  

Nga Gjykata Kushtetuese kemi vetëm dy gjyqtarë të konfirmuar, njëri prej të cilëve duhet të përballet me Kolegjin e Apelimit pas ankimimit të ardhur nga ONM dhe Komisioneri Publik.  

Katër gjyqtarë kushtetues janë shkarkuar, një dha dorëheqjen në fillim të vitit 2018. Dy anëtarë të tjerë, Kristo e Berberi kanë dhënë dorëheqje shumë kohë më parë për shkak të mbarimit të mandatit dhe njëri prej tyre është edhe kandidat për një Gjykatën e Strasburgut. Aktualisht Gjykata Kushtetuese është de facto tërësisht jashtë funksionit. Kuvendi e Presidenti kanë shpallur thirrjet e interesit për vendet e deritanishme vakante, por gjendja e njëjtë pritet të vijojë deri në muajin tetor kur mund të ketë rezultate të fazës së dytë të vetingut.

 E njëjta gjendje kaotike është edhe në Gjykatën e Lartë. Në fazën e parë të vetingut u konfirmuan në detyrë vetëm katër gjyqtarë, nga të cilët, dy gjyqtarë janë në proces rishqyrtimi në Kolegjin e Apelimit pas ankimimit të ardhur nga ONM dhe Komisioneri Publik. Në proces rigjykimi është edhe kryetari i kësaj gjykate, Zaganjori. Nga anëtarët mbeten dy gjyqtarë me vlerësim pozitiv nga KPK, pavarësisht se njëri prej tyre, i kontestuar gjerësisht edhe nga opozita vijon të jetë prej vitesh jashtë mandatit kohor kushtetues. Nga Gjykata e Lartë u shkarkuan pesë gjyqtarë, përfshirë gjyqtari, i cili rezultoi i dënuar më parë në Itali, apo kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. 

Në këtë Gjykatë ka pasur një boshllëk tjetër paraprak, pas mbarimit të mandatit dhe largimit nga funksioni pritës të katër gjyqtarëve dhe shkarkimit të një gjyqtareje tjetër, protagoniste e një skandali korruptiv. 

Pas shkak të vonesave në procesin e vetingut dhe problematikave të krijuara, ende vijojnë të jenë jo funksionale strukturat e reja të sistemit gjyqësor në vend, KLGJ, KLP, KED dhe ILD. 

Nga kandidatët për KED u konfirmuan vetëm 3 gjyqtarë e prokurorë, 5 gjyqtarë/prokurorë u shkarkuan përfshirë kryetarin e KED, si dhe një gjyqtar është ende në procesin e pritjes për caktimin e seancës dëgjimore nga KPK. 

Në total KED ka vetëm 3 anëtarë efektivë, si dhe katër anëtarë të tjerë janë në listën e dytë prioritare të vetingut. 

Për funksionim procedural KED duhet të ketë të paktën 5 anëtarë, por më shumë sesa numri merr vlerë debati mbi drejtimin e tij në rrethanat kur janë shkarkuar dy prej drejtuesve kryesorë të tij. 

KED është organ thelbësor për fillimin e procedurave për emërimet e reja në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, ndaj plotësimi e funksionimi i tij është parakusht për ecurinë e mëtejshme të jetësimit të reformës.

 Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka numrin më të madh të kandidatëve të konfirmuar nga faza e parë e vetingut, 9 kandidatë nga 14 në total. Vetëm 4 kandidatë u rrëzuan dhe një dha dorëheqje. 

Problemi kryesor me KLGJ është se formula e përbërjes së tij është e komplikuar dhe kërkon kandidim nga nivele të ndryshme të gjyqësorit, përfshirë edhe ndarje midis Tiranës dhe periferisë, nivelit të parë dhe apelit, etj. 

Nga ana tjetër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka gjithashtu 8 kandidatë të konfirmuar në fazën e  11 parë të vetingut, 6 kandidatë janë shkarkuar, 1 ka dhënë dorëheqje dhe 4 janë në fazë pritëse për seancën dëgjimore. 

Edhe nga dy kandidatët për Inspektor i Lartë i Drejtësisë, vetëm njëri kandidat është konfirmuar, kurse kandidati tjetër është në pritje të seancës dëgjimore. 

Duke ndjekur të njëjtin trend me vendimmarrjet e fazës së parë (lista prioritare) pritet që në listën e dytë prioritare të penalizohen edhe një numër i madh gjyqtarësh e prokurorësh që drejtojnë aktualisht sistemin, sidomos në Gjykatat dhe Prokuroritë e Apelit, - të konsideruara edhe si nivelet më të akuzuara për korrupsion. 

Një paralajmërim të tillë bëri publik në një seancë dëgjimore në parlamentin e Shqipërisë edhe Inspektori i Përgjithshëm i ILDKPKI (institucioni që merret me deklarimet e kontrollin e pasurive të zyrtarëve të lartë). 

Në prioritetet e vetingut është edhe lista e kandidatëve të mundshëm për vendin që i përket Shqipërisë në Gjykatën e Strasburgut. Prej janarit 2017 gjyqtarit Bianku i ka përfunduar mandati dhe që atëherë Shqipëria ka dërguar dy lista kandidatësh, të cilët janë refuzuar për arsye të ndryshme. Së fundi, qeveria ka lajmëruar dërgimin e një liste të tretë, të përbërë nga tre emra, Sokol Berberi, Dorian Pavli dhe Marjana Semini. Sipas praktikës, edhe ata duhet të jenë objekt i procesit të rivlerësimit nga KPK, madje nga institucionet ndërkombëtare në Tiranë ka pasur presion pozitiv që emrat e tyre të bëjnë pjesë në listën prioritare. Deri tani asnjëri nga tre emrat nuk është marrë në shqyrtim, por pritet që kjo të ndodhë në muajt e vjeshtës.


Vendet vakante 

Pas konfirmimit të shkarkimit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo, Kuvendi në fundin e muajit korrik njoftoi, se shpall hapjen e procedurës së aplikimit për vendin vakant për 1 anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Afati sipas Kuvendit është data 24 gusht 2018. Një praktikë të njëjta formale pati ndjekur më parë edhe Presidenti i Republikës në shkurt 2018 për vendin vakant të gjyqtarit Kristo. Ashtu si Presidenti, edhe Kuvendi është në dijeni se shpallja e vendeve vakante edhe formale për sa kohë nuk  12 ekzistojnë strukturat që bëjnë përzgjedhjen e kandidatëve me ndryshimet kushtetuese 2016, siç janë KED, KLGJ dhe KLP. Presidenti pati lajmëruar në fundin e muajit shkurt listën me 20-22 emra aspirantë për Gjykatën Kushtetuese, ku bënin pjesë edhe një subjekt i rivlerësimit, i cili është konfirmuar tashmë në detyrë. 

Së fundi, vetë Kuvendi në njoftimin publik sqaron se “lista e kandidatëve do të publikohet në faqen zyrtare të internetit të Kuvendit të Shqipërisë, brenda 30 ditëve nga hapja e procedurës së aplikimit, dhe bashkë me dokumentacionin përkatës për secilin kandidat do t’i përcillet Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”, pra KED, një strukturë që de facto nuk është funksionale dhe as pritet të jetë deri në përfundim të fazës së dytë të vetingut. Kuvendi i Shqipërisë ka përmbushur formalisht përgjegjësitë e tij për zgjedhjen e anëtarëve të KLP dhe KLGJ që nuk vijnë nga sistemi gjyqësor dhe prokuroria. Konkretisht, në votimin e tretë, i cili ndryshe nga dy votimet e para kërkon shumicë të thjeshtë votash, Kuvendi ka zgjedhur me vetëm 72 vota ose 51% të votave të deputetëve listën e anëtarëve. Sipas listës finale të kaluar në Kuvend, për KLGJ janë zgjedhur avokatët Fatmira Luli dhe Alban Toro, pedagogët Maksim Qoku dhe Erion Muharremaj, si dhe përfaqësues nga shoqëria civile Naurela Llagami. Për në KLP janë zgjedhur avokatët Tartar Bazaj dhe Nurian Seiti (Metaj), pedagogët Gent Ibrahimi dhe Sandër Beci, si dhe Alfred Balla nga shoqëria civile. Ashtu si listat e mëparshme të kandidatëve edhe lista finale e votuar hasi në kritika publike dhe politike, për shkak se një pjesë e kandidatëve të përzgjedhur shfaqin probleme e mangësi në raport me kriteret e kërkuara nga legjislacioni për një angazhim të tillë.

EMISIONET