Raporti i antidrogës: Shqiptarët, rrjet i gjerë droge në Itali

Raporti i antidrogës: Shqiptarët, rrjet i gjerë droge në

Antidroga italiane ka prezantuar në parlament raportin e saj për vitin 2017 në të cilin konstatohet rritje e aktivitetit të trafikantëve shqiptarë për të cilët thuhet se kanë një rrjet të gjerë të shpërndarjes së lëndëve narkotike në territorin italian. Sipas raportit, gjatë vitit që shkoi është shënuar rritje me 27.9 për qind e sasisë së heroinës në qarkullim duke shënuar edhe një numër më të madh viktimash nga rastet e mbidozave. Ndërkaq rruga kryesore e hyrjes së marijuanës në Itali mbetet ajo nga deti Adriatik, një pjesë e të cilës ka për origjinë edhe vendin tonë.

Drejtoria e Përgjithshme e antidrogës italiane ka prezantuar në Parlamentin italian raportin vjetor të aktivitetit të saj për vitin 2017.

Sipas raportit, viti që shkoi ka shënuar rikthim të heroinës në tregun e konsumatorëve të drogës në Itali, rritje të numrit të viktimave nga përdorimi i saj si dhe një konfirmim të trafikantëve shqiptarë si ndër zotëruesit kryesorë të tregjeve ilegale të lëndës narkotike.

Sipas së përditshmes "La Repubblica", trafikantët shqiptarë gjatë vitit 2017 kanë pasur një rritje të cilësisë së veprimit dhe shtim të aktivitetit të tyre falë aftësive operative në terren.

Referuar raportit, trafikantët shqiptarë administrojnë një rrjet të gjerë të trafikut të lëndëve narkotike në të gjithë territorin italian me një rol drejtues në grupet kriminale.

Antidroga  në Itali theksoi se ka një shtim të sasisë së heroinës në territor me rritje 27.95 % të sasisë së heroinës së sekuestruar në krahasim me një vit më parë.

Raporti thekson se numri i viktimave nga mbidoza është rritur me mbi 9.7%.

Gjatë vitit 2017 është rritur gjithashtu dhe konsumimi i marijuanës.

Operacionet antidrogë kanë dëshmuar një rritje me mbi 117.6% të sasisë së kësaj droge të sekuestruar në krahasim me vitin 2016.

Sipas Drejtorisë së Përgjitshme të Antidrogës Italiane, marijuana vazhdon të trafikohet përmes Adriatikut sic e dëshmojnë operacionet e shumta të sekuestrimit të saj në det.

Ulje ka pësuar konsumimi i kokainës, ku sekuestrimet policore janë reduktuar me 12.88% për shkak të ndryshimit të rrugës së trafikimit të saj përmes porteve kryesore të Europës Veriore.

Antidroga italiane ka dhënë një tjetër alarm shqetësues për shfaqjen e një fenomeni të ri mjaft i rrezikshëm për konsumatorët e drogës.

Bëhet fjalë për tregtimin e një përbërje vegjetale të kanabisit industrial,  mjaft i rrezikshëm për shëndetin e përdoruesve.

Raporti konfirmon një rritje me 9.21% të numrit të korrierëve dhe trafikantëve të drogës të arrestuar gjatë vitit 2017, ku janë identifikuar 13 mijë të tillë, shumica e të cilëve me kombësi nigeriane, shqiptare, marokene, tuniziane, senegaleze, etj.

EMISIONET