Opozita ka reaguar për raportin e Drejtorisë Qëndrore të Shërbimit dhe Antidrogës në Itali, që e cilëson Shqipërinë si vend i origjinës së shumicës së marijuanës që kanë si destinacion tregjet italiane dhe europiane.

Nga Partia Demokratike, deputeti Gent Strazimiri, tha se gjetjet e raportit e nxjerrin Ramën mashtrues në sytë e Europës dhe SHBA-së, se në 2017 Shqipëria doli nga harta e kultivimit të kanabisit.

Strazimiri: Nuk është rastësi mashtrimi i Ramës për shpalljen e fitores së luftës kundër kanabisit dhe heqjen e Shqipërisë nga harta e kultivimit të kanabisit. E vërteta është se Edi Rama e ka hequr Shqipërinë nga harta e vendeve anëtarë të Bashkimit Europian. Nëse do të kishte vullnet politik, Edi Rama duhet të arrinte të paktën rezultatet e qeverisjes së Partisë Demokratike në luftën kundër trafikimit të drogës, që siç thuhet në raportin e antidrogës italiane kapën vlerën më të ulët te tyre në vitin 2011.

Ndërsa kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, tha se ky raport dëshmon edhe njëherë rrënimin e vendit nga Edi Rama dhe banditizmi i tij.

Kryemadhi: Raporti i fundit është dëshmia e qartë e rrënimit ku e ka çuar vendin Edi Rama dhe banditizmi i tij. Askush më parë nuk ka qenë kaq thellë i përfshirë në trafiqe dhe llumin e bandave. Askush më parë nuk ka qenë kaq arrogant dhe tallës ndaj probleme dhe halleve të shqiptarëve. LSI ka në plan që për 3 muaj të pastrojë Shqipërinë nga droga dhe llumi i Edi Ramës.

Sa i takon raportit, në të theksohet se klanet shqiptare kanë treguar se kanë një aftësi në rritjen e menaxhimit të kultivimit të marijuanës dhe trafikimit të saj.

Grupet kriminale shqiptare konkurojnë me organizatat e tjera kriminale për kontrollin e pjesëve të rrugëve të trafikimit që arrijnë në Itali si dhe për menaxhimin e rrjeteve të shpërndarjes së drogës, theksohet ndër të tjera në raport.



/Ora News.tv/