Raporti/ "Fake News" dhe të vërtetat mbi emigracionin në Itali

Raporti/ "Fake News" dhe të vërtetat mbi emigracionin

"Një gjuhë e re për emigracionin" është sinteza e raportit të sapo publikuar të Caritas Italia me të dhënat statistikore mbi emigrantët në Itali në vitet 2017-2018.

Raporti i prezantuar së fundmi në Romë nënvizon se më shumë sesa në një emergjencë emigracioni, Italia ndodhet përballë një emergjence kulturore ku kërkohet një ndërhyrje e strukturuar dhe afatgjatë e të gjitha burimeve edukative e arsimore të afta për të ndihmuar komunitetin drejt një gramatike të re komunikimi që i përmbahet fakteve e respekton njerëzit.

Me të dhëna statistikore që i reforohen viteve 2017-2018 ky raport tërheq vëmëndjen se në Itali janë shtuar lajmet e rreme, kërcënimet e histeria kolektive ndaj emigrantëve.

Gjatë prezantimit të raportit, drejtori i Caritas Italia, imzot Francesco Soddu, shprehu alarmin se "kisha Katolike Italiane është mjaft e shqetësuar mbi përhapjen e klisheve, kërcënimeve, e informacioneve të frikshme ndaj azilkërkuesve e organizatave humanitare duke i shfaqur si armiku numër 1 i shoqërisë italiane."

Drejtori i Caritas Italia, u shpreh se në Itali ekziston një përqasje e nivelit të ulët ndaj emergjencave e se fenerët mediatikë ndizen vetëm kur flitet për lajme të këqija, protesta ose përplasje sociale.

Monitorimi që Karitas Italia i ka bërë mediave shfaq se në rubrikën qëndrore të lajmeve në RAI, Mediaset, e LA7, informacionet mbi emigracionin janë mbi dhjetëfishuar nga 380 lajme në vitin 2005  më 4268 në vitin 2017.

Vihet re  gjithashtu një rritje sistematike e interesit publik mbi informacionet ndaj fluksit të emigrantëve drejt Italisë e se gjatë 2017 mbi 40% të informacioneve në edicionet kryesore të lajmeve i kanë zënë lajmet mbi emigracionin.

Raporti i Karitasi Itali hedh poshtë e denoncon përhapjen e fake news se në Italia është e pushtuar nga emigrantët.

Të dhënat e këtij raporti vërtetojnë se Italia renditet në vendin e 5 në Europë për përqindjen e emigrantëve në raport me numrin e popullsisë dhe e 11 në botë.

 Nga 1 janari i 2019 deri më 1 gusht të 2018, fluksi i emigrantëve në Itali është reduktuar me 80 % në krahasim me të njëjtën periudhë të 2017.

Sipas Karitas, aktualisht në Itali janë rezidentë 5.144.440 emigrantë e ndër komunitetet e huaja shqiptarët renditen në vend të dytë për nga numri  pas atyre rumunë.

Sipas të dhënave të këtij raporti në Itali jetojnë 440.465 emigrantë shqiptarë që përbëjnë 8,6% të popullsisë së përgjithshme të emigrantëve.

Rajonet italiane më të populluara me emigrantë janë Lombardia, Lazio, Emilia Romagna e Veneto.

Ndërsa mbi të drejtën e nënshtetësisë italiane, Italia renditet e para në Europë për numrin më të lartë të nënshtetësisve të lejuara për emigrantët.

EMISIONET