Kryeministri Edi Rama tha se fermerët nuk përfitojnë nga fondet pasi nuk kanë informacion dhe nuk dinë ti marrin. Për këtë tha Rama duhet të shkrihet Drejtoria e Bujqësisë dhe ajo të zëvendësohet me struktura informimi.

Gjatë një takimi me studentët e Universitetit Bujqësor, Rama i bëri thirrje atyre që të përfshihen në asistencën e fermerëve për  të plotësuar dokumentacionin për të marrë fondet.

Rama: Ky proces është një proces ku ne duam të rrisim kapacitetin e dijes në këtë vend. Ju themi fermerëve ja ku i keni fondet, hajdeni merrini. Nuk i marrin dot nëse nuk dinë sesi merren sepse së pari duhet të informohen. Mënyra si është e organizuar prej shumë kohësh struktura jona e informimit nuk funksionon.

Prandaj unë kam qenë dhe mbetem i paduruar që shikoj të shkrihen drejtoritë e bujqësisë dhe të zëvendësohen nga struktura informimi që janë pranë fermerëve.

Në vend se të mbaroni masterin dhe të rrini tek kafja dhe të prisni punë shteti apo të hyni në një parti që tju japë ndonjë punë, të shikoni në këtë hapësirë që ka mundësi që ju të specializoheni në këtë fushë dhe të bëheni të aftë që duke ndihmuar si konsulentë fermerët për shkrimin e projekteve të merrni ju pjesën e fitimit nga projekti fitues.

/Ora News.tv/