Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj në një konferencë shtypi theksoi se vëllai i tij, nuk do të bënte asnjë ditë burg në Shqipëri, ndërsa i konsideroi të pacipë ata që e sulmuan atë. Xhafaj theksoi se i vëllai ka bërë 1 muaj burg në Itali në vitin 2012 dhe më pas është dëbuar.

Ministri u shpreh se ndiheshin të lënduar familjarisht për gjithçka po ndodhte. Xhafaj theksoi se audio-përgjimi është një sajesë e plotë, ndërsa shtoi se po shantazhohej. 

Xhafaj: 'Audiopërgjimi i paraqitur me pompozitet publikut, është një sajesë, është një mashtrim, nga fillimi deri në fund. Është manipulim dhe i bërë keq. Nëse opozita e ka bërë vetë këtë, dhe sinqerisht, nuk dua ta besoj se është ajo nxitësja dhe realizuaesja e këtij akti skandaloz, ajo ka rënë viktimë e tij.  

Edhe në këtë rast tregoi se sa ligësi prodhon një pjesë e kësaj opozite dhe se sa e etur për pushtet ajo është.

Kur këta në opozitë bëjnë këtë gjë, çfarë do iu bënin kundërshtarëve politikë sikur të ishin në pushtet dhe të përdorin instrumentet e shtetit?! Ruajna Zot nga kjo opozitë e papërgjegjshme.

Kushdo i përfshirë në këtë skandal të madh do të marrin përgjigjen e merituar. Veprimi është tipik mafioz. Fabrikimi i një fakti kriminal të paqenë për Ministrin e Brendshëm dhe familjarë të tij, përbën një shantazh kundër institucioneve publike të sigurisë.

Ndaj, do t’i kërkoj sot publikisht prokurorisë veprime të shpejta dhe energjike për gjetjen të gjithë atyre që janë përfshirë në këtë aferë kriminale dhe dënimin në mënyrën më të merituar".

Xhafaj: Nuk jap dorëheqjen 

-Në asnjë rast nuk kam menduar të japë dorëheqjen për këtë shkak.

-Kryeministri nuk më ka kërkuar asnjëherë dorëheqjen dhe nuk ka asnjë shkak për dorëheqjen time me këtë rast.

Xhafaj: Askush nuk mund të më shantazhojë

Xhafaj: Nëse mendoni të më mposhtni me sulmet tuaja, gaboni. Thjesht nuk kam frikë! Askush nuk mund të më shantazhojë. 

Askush nuk do të mund të më pengojë në arritjen e qëllimeve të larta,  të asaj çfarë kam marrë përsipër të bëj sa bashku me bashkëpunëtorët e mi dhe me mbështetjen e partnerëve: luftë pa kompromis me krimin, gjithmonë në zbatim të ligjit, në shërbim të qytetarëve dhe vetëm të qytetarëve.


Xhafaj: Nuk jam në dijeni se im vëlla ka pasuri kriminale 

Xhafaj: Për sa i përket ligjit të antimafias, duhet të ketë të dhëna të besueshme që pasuritë janë vënë nga aktivitete kriminale. Në dijeninë time, im vëlla nuk ka pasuri të kësaj natyre. Mbetet ta investigojnë organet përgjegjëse.

Xhafaj: Vëllai im në Shqipëri s'do të bënte asnjë ditë burg

Xhafaj: Për ligjin shqiptar në fuqi, ndjekja penale dhe dënimi penal që duhet ekzekutuar në rastin e vëllait  tim është parashkruar. Rrjedhimisht, në Shqipëri për asnjë shkak dhe për asnjë rrethanë ligjore, Agron Xhafaj nuk do të bënte asnjë ditë burg. Pra, e thënë më shkurt, për ata që nuk e njohin të vërtetën ligjore. Nëse im vëlla do të bënte njohjen e vendimit  të tij këtu dhe do të priste ekzekutimin e tij për dënimin në ngarkim të tij, sipas ligjit shqiptar, ai nuk do ta vuante fare atë, pasi periudha prej 4 vjetësh e mbetur për ekzekutim është në afatin 5 vjeçar të parashikuar nga ligji shqiptar. Një precedent ky i zbatuar normalisht në praktikën gjyqësore në Shqipëri.

Akuza për falsifikimin e Kodit të Procedurës Penale 

Xhafaj: Është akuza më qesharake që kam dëgjuar për veten time. Edhe sot, nuk ju besoj veshëve kur e dëgjoj këtë akuzë. Qesharak komplet këta lloj njerëzish. Pa pikë personaliteti. E kam të vështirë që të besoj që, edhe pse nuk kam asnjë simpati personale dhe politike për ata që më akuzojnë  për këtë çështje, dhe më duket sinqerisht shumë çudi se si njeriu pranon të jetë dhe të vet shpallet injorant. Në këtë rast nuk mundet t’ju thuash as spekulant politik.

Gjithsesi, unë kam detyrimin që të jem serioz dhe t’ju jap përgjigjen që duhet.

1) nuk ka asnjë kontribut timin teknik në këtë çështje, si njërin variant të draftit, ashtu edhe në variantin tjetër. Por, e mbroj fort atë, si një nen që është në përputhje me konventat, me kushtetutën dhe të dobishëm për qytetarët shqiptarë;

2) kjo pikë e nenit 491, është një standard ndërkombëtar. Nuk e kemi shpikur dhe as jemi ne të vetmit. Është mot a mot përcaktimi i nenit 3, të Protokollit të Dytë Shtesë të Konventës Evropiane për Ekstradimin.

Për të gjithë ata që duan të dëgjojnë, Shqipëria e ka ratifikuar këtë konventë që në vitin 1998, pra ky lloj kushti ishte, gjithsesi i zbatueshëm në sajë të përparësisë që marrëveshjet ndërkombëtare kanë mbi legjislacionin vendas, sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Pra, edhe amendimi i Kodit, i cili reflekton protokollin e dytë është thjesht një rregullim; nuk është risi, pasi kjo disiplinë është në fuqi që nga viti 1998. Për më tepër, të njëjtën disiplinë e kanë adoptuar dhe e zbatojnë të gjitha vendet evropiane, duke filluar që nga Austria e duke mbaruar te Zvicra. Në të gjitha këto shtete, në rastet e vendimeve gjyqësore në mungesë, ekstradimi është i mundshëm, vetëm nëse shteti kërkues jep garanci për rigjykim.

E për më tepër, ky parashikim është reflektuar e zeza mbi të bardhë, në ligjin për marrëdhëniet ndërkombëtare juridiksionale, hartuar dhe miratuar në vitin 2009, pikërisht nga këta që sot janë në opozitë dhe që nuk lënë gjë pa thënë për këtë fakt !!

3) Ky rregullim i ri në Kodin e Procedurës, por në fuqi më parë në ligjin e sipërcituar, nuk ka lidhje me rastin e vëllait tim Agron Xhafaj dhe është sërish një mashtrim i rëndë publik.  Dispozita e thotë qartë, mbrohen vetëm ata që janë dënuar në mungesë, pra, në kushtet kur nuk është siguruar e drejta për një proces të rregullt ligjor sipas nenit 6, të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Akuzat për trafik droge 

Xhafaj: Lidhur me akuzat për përfshirje të vëllait tim në trafikun e drogës në Shqipëri. Është komplet një mashtrim dhe shpifje e ulët ajo që thuhet në lidhje me përfshirje të vëllait tim në këtë veprimtari.

Marr të gjitha përgjegjësit ligjore dhe morale nëse ka qoftë edhe një grimcë të vërtetë në lidhje me këto akuza. Prej viti 2002 vëllai im Agron Xhafaj ka jetuar në Shqipëri dhe është një ndër qytetarët e shumtë të këtij vendi, që nuk ka asnjë problem me ligjin.

ASNJË!

E verifikuar kjo zyrtarisht në institucionet ligj zbatuese të shtetit, si për këto vite që unë jam Ministër i Brendshëm ashtu edhe në referim të arkivave të këtij shteti, që nga momenti që ai është një person madhor në kuptim të përgjegjësisë së ligjit.

Nuk kam dashur të merrem me retorika me balt hedhësit profesionist të këtij vendi.

Por tani, që këta intrigantë dhe sharlatanë politikë, apo edhe të tjerë pas tyre, e kaluan cakun duhet të marrin përgjigjen e merituar.


/Ora News.tv/