Rama vazhdon fushatën, pritet me protesta në Patos, Mallakastër e Roskovec

Rama vazhdon fushatën, pritet me protesta në Patos, Mallakastër e

Kryeministri Edi Rama është pritur me protesta edhe në turin e nisur në bashkitë e Fierit. Në Patos qindra banorë kanë bllokuar rrugën, por Rama ka zgjedhur të kalojë nga një tjetër aks.

Në Mallakastër numri i pjesëmarrësve ka qenë më i lartë e po ashtu dhe ai i efektivëve dhe forcave speciale. Megjithatë eskorta e kryeministrit kaloi e paprekur.

Edhe në Roskovec kryeministri është pritur me thirrjet e protestave.

Gjatë fjalës Rama edhe një herë theksoi se kriza është krijuar prej opozitës dhe se asgjë nuk ndryshon për votimet në 30 qershor.

Rama: Ju e dini shumë mirë nuk janë protesta të popullit, janë protesta të një populli imagjinar, me autobusë. Mbyllen bashkitë merren punonjësit futen nëpër autobusë, sillen në Tiranë dhe krijohet një skenë aty ku shpërthejnë molotovët.

Për Ramën, Meta nuk kishte të drejtë të anulonte votimet.

Rama: Dalja e Ilir Metës si shpëtimtar ishte zbulimi i plotë i planit të nisur qysh me ikjen nga Parlamenti dhe me djegien e mandateve.

Kryeministri kërkoi pjesëmarrje në votime, ndërsa theksoi se qëllimi i opozitës nuk janë zgjedhjet e lira por pengimi i reformës në drejtësi.

Në përfundim të protestës, mbështetësit e PD janë mbledhur përpara bashkisë së Mallakastrës, ku ishte i pranishëm edhe krybashkiaku Agron Kapllanaj, i cili tha se nuk ka zgjedhje në 30 qeshor.

"Ne jemi më të vendosur se kurrë në Mallakster në 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje. Fatin e keni ju në dorë se kush do ta drejtojë Mallakastrën. Mallakastra i ka thënë Ramës ik që në 2015. Edi Rama në Mallakastër si kryeministër nuk do të vije më".

Prej dy mandatesh Bashkia e Ballshit drejtohet nga Agron Kapllanaj, i Partisë Demokratike.


EMISIONET