Kryeministri Rama gjatë vizitës në spitalin e Fierit, e pranoi se në sistemin shëndetësor ka ende punë për të bërë, pasi ka disa prej mjekëvë dhe infermierëve vazhdojnë të njollosin bluzat e bardha. Gjithashtu Rama foli edhe për rritjen e pagave për sistemin shëndetësor nga prilli i vitit të ardhshëm.

"Patjetër që ka midis tyre njerëz që e njollosin, si të thuash, përparësen e bardhë, por shumica nuk janë absolutisht ashtu. Edhe me projektbuxhetin do të bëjmë një shtesë tjetër të pagës, të konsiderueshme, për infermierët dhe për mjekët."

Në kuadrin e muajit të ndërgjegjësimit të luftës kundër kancerit të gjirit, nga reparti i ri i trajtimit të kancerit, kreu i qeverisë i bëri thirrje të gjitha grave dhe vajzave që të kryejnë ekzaminime të hershme, në mënyrë që të shmangin në kohë sëmundjet e rënda tumorale.

"Duhet të bëjmë çmos që të rrisim vetëdijen tek gratë dhe tek vajzat që ta bëjnë këtë ekzaminim përpara, që të mos jenë të detyruara të vijnë e të kalojnë në këtë proces,"

Në spitalin rajonal të Fierit janë shtuar shërbimet për pacientët, të ofruara këto përmes aparaturave të teknologjisë. Gjatë 2018 janë investuar rreth 1 milionë euro, në pajisje ekzaminuese dhe intervenuese bashkëkohore, për çdo kabinet mjekësor, duke iu shërbyer në këtë mënyrë 300 mijë banorëve të këtij qarku.

/Ora News.tv/