Qendra Shëndetësore e Laprakës është shndërruar tërësisht në një qendër me ambiente dhe pajisje sipas standardeve falë një investimi prej 230 mije eurosh. Në këtë qendër ku i pranishëm ishte edhe Kreu i qeverisë ka filluar të funksionojë edhe sistemi i ri i referimit. Rama premtoi se në katër vite do të investohet në 300 qendra shëndetësore në të gjithë vendin.

Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të hënë në përurimin e Qendrës Shëndetësore të Laprakës, ku ka nisur të funksionojë edhe sistemi i referimit elektronik.

Teksa vizitoi ambientet e reja, një financim prej 230 mije eurosh, Rama tha se sistemi i referimit lehtëson shërbimin në spitale, ndërsa theksoi se në katër vitet e ardhshme do të investohet në 300 Qendra Shëndetësore.

Rama: Është e vetmja rrugë që të lehtësohet i gjithë shërbimi në spitale dhe që të ndahet shërbimi parësor me nevojat e menjëhershme të njerëzve me shërbim më të specializuar pastaj në qendrat e mëdha spitalore, se ndryshe do ishte e pamundur që të bëhet edhe njëra dhe tjetra dhe s’bëhet tamam as njëra as tjetra. 300 do bëjmë në këto 4 vjet.

Ndërkohë në 36 qendra shendëtësore në Tiranë është përfshire edhe sistemi i referimit dhe ekzaminimit elektronik.

Manastirliu: Në të 36 qendrat shëndetësore në Tiranë edhe në 4 poliklinikat e specialiteteve për herë të parë kemi përfshirë një sistem të ri, referimin elektronik dhe ekzaminimin elektronik. Tani qytetarët shmangin radhët e gjata të pritjes te mjeku specialist duke vendosur nëpërmjet sistemit elektronik orën, datën e vizitës dhe sigurisht ndihmon mjekët për të pasur aktivimin e të gjithë diagnozës së pacientit dhe shërbimet që ofron.

Rezervimi mund të bëhet direkt në portalin E-Albania për të gjithë qytetarët e interesuar për të lënë një takim me mjekun specialist. Ndërkohë në bazë të sistemit të referimit mjeku i familjes mund të kryejë për llogari të pacienteve këtë rezervim online.





/Ora News.tv/