Rama optimist pas takimit me Merkel: S'dua të flas para kohe që të mos marrim mësysh veten

Edhe pse nuk arriti ti merrte dot një po të qartë nga Gjermania për negociatat, kryeministri Edi Rama është optimist deri në fund, duke deklaruar se kemi të bëjmë me njerëz dhe me institucione që gjithmonë kanë dashur më të mirën për Shqipërinë dhe për shqiptarët pa diskutim.

Në një prononcim pas takimit me kancelaren Merkel, Rama flet për një atmosferë pozitive, por shton se  duhet që të përpiqemi deri në fund që të mos marrim mësysh veten, duke u gëzuar, apo folur para kohe.

Edi Rama: E kemi filluar ditën qysh herët sot, me këto takime dhe do të vazhdoj të takoj edhe grupe të vogla, apo individë të rëndësishëm në Bundestagun gjerman. Por, sigurisht, takimi me Kancelaren ishte ai që kishte rëndësi të veçantë dhe pa dashur të shkoj përtej asaj që mund të them për momentin, edhe në respekt të Kancelares dhe le të themi të konfidencialitetit formal të takimit, - Kancelarja pati vlerësime shumë inkurajuese pozitive dhe ajo që është më e rëndësishme, një predispozitë shumë pozitive për ta çuar përpara këtë proces dhe për të arritur në një përfundim pozitiv, që do të thotë një mbështetje e Gjermanisë për atë çka të gjithë dëshirojmë.

Megjithatë, ky është një proces. Gjermania ka një procedurë të veçantë, sepse kalon nëpërmjet Bundestagut, nëpërmjet diskutimeve në grupe. Grupet janë grupe demokratike, kanë ide të ndryshme, kanë qasje të ndryshme, kështu që me shumë durim, ne do të vazhdojmë kontaktet dhe kjo është faza kur do të bëjmë çmos që, pavarësisht gjithë pengesave që ja kemi krijuar vetes në gjysmën e parë të këtij viti sidomos, t’ia dalim që të hyjmë në një fazë të re, krejt tjetër, të rrugës sonë europiane.

Ne po punojmë intensivisht për aq sa mund të bëjmë. Jemi të vetëdijshëm se vendimi gjithsesi ka të bëjë më pak me ne dhe me çfarë bëjmë ne dhe më shumë me vendet dhe me çfarë ato kërkojnë në radhë të parë nga BE, që, siç e ka thënë Presidenti francez, nuk funksionon me 28, si mund të funksionojë me më shumë, etj. dhe sigurisht në raport me opinionet e tyre publike që është një problem i mirëkuptueshëm më vete. Patjetër që një pozicion pozitiv i Gjermanisë do të thotë shumë. Gjermania është një zë, le të themi, jo si të gjithë të tjerët në familjen e Europës së bashkuar dhe ne do të bëjmë çmos që ky zë të jetë në favor të Shqipërisë.

Një gjë është e sigurt, që, pavarësisht se nuk kemi qenë gjithmonë dakord, kemi të bëjmë me njerëz dhe me institucione që gjithmonë kanë dashur më të mirën për Shqipërinë dhe për shqiptarët pa diskutim. Kështu që jemi në një moment që atmosfera është pozitive, por duhet që të përpiqemi deri në fund dhe të përpiqemi, le të themi, që të mos marrim më sysh veten, duke u gëzuar, apo folur para kohe.

Sigurisht që nuk bëhet fjalë për një dhuratë, bëhet fjalë për të marrë atë që na takon. Sigurisht nuk bëhet fjalë për ta mbyllur procesin, por bëhet fjalë për të hyrë në një fazë të re, me kushte në çdo hap, sepse i gjithë procesi është i kushtëzuar, duhet të përmbushësh gjithmonë disa kushte për të shkuar një hap më tutje, pastaj disa kushte të tjera, pastaj disa të tjera dhe llogaritë tregojnë se të gjithë vendet që kanë kaluar në këtë proces, i cili është bërë gjithmonë e më i vështirë, për shkak se Europa, BE është bërë gjithmonë e më e ngurtë dhe ka hyrë në vështirësi të reja me vetveten, iu është dashur të përmbushin qindra e qindra kushte.

Rama me dhurata në Berlin- Takimet e kryeministrit Edi Rama me kancelaren Angela Merkel dhe presidentin e Bundestagut, Wolfgang Schäuble ishin konfidenciale. Por simpatia e tyre per kryeministrin shqiptar doli ne pah, kur te dy politikanet gjermane postuan ne faqen e tyre te internetit nga një foto me dhuratën qe u kishte sjelle kryeministri i Shqiperise: Nga nje kopje te librit per artin e tij, të cilin ai do ta prezantojë të dielën, më 15.09.2019 në Berlin Art Week, së bashku me bashkautorin, artistin Anri Sala, shkruan DW. 



Në Komisionin e Bundestagut për Çështje të Bashkimit Evropian u fol për një libër tjetër: raportin e progresit të Komisionit të BE-së për Shqipërinë, që u publikua në fund të majit, e ku, me gjithë rekomandimin për çeljen e negociatave të anëtarësimit, evidentohen një sërë sfidash që Shqipëria ka ende përpara.

Edhe ky takim ishte me dyer të mbyllura, por sipas pjesëmarrësve, kryeministri shqiptar, iu përgjigj pyetjeve të deputetëve gjermanë për sfidat që rezultojnë nga vërejtjet e progresraportit. Për shumë deputetë të CDU/CSU-së shmangja e disa prej këtyre mangësive janë kushte, për çeljen e kapitujve të negociatave. Ato kanë të bëjnë me ndërtimin e një gjyqësori të pavarur, përpjekjet në luftën kundër korrupsionit dhe të krimit të organizuar, sidomos atij të drogës dhe realizimi i reformës zgjedhore.

Ky ishte konsultimi i fundit i deputetëve në Bundestag, para se të krijonin opinionin për Shqipërinë, të cilin, sipas të gjitha gjasave do ta hedhin në votë në datën 27 shtator.

EMISIONET