Kryeministri Edi Rama ka mbyllur debatin për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar. Duke e konsideruar një mjedis publik, ai tha se teatri nuk është pronë as e aktorëve dhe as regjisorëve, por u takon vendimarrësve në bashkëpunim me ekspertët të vendosin rreth godinës dhe zhvillimit të saj.

Pyetja tha Rama, nuk është a duhet ndërtuar Teatër i ri por si duhet bërë.

Mbi këtë të fundit, Rama tha se qeveria ka gatishmërinë për të diskutuar me krijuesit dhe interpretuesit e skenës për të parë se çfarë mund të bëjnë me mirë në këtë projekt.

Deklaratat Rama i bëri në ceremoninë e inaugurimit të  “ArTurbinës” që do të funksionojë si godina e Teatrit Kombëtar deri në përfundimin e ndërtimit të godinës së re që do të zëvendësojë objektin aktual.

Ndërkohë Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka vijuar edhe sot mbledhjen e firmave për peticionin, në të cilin i kërkojnë Presidentit të Republikës mosdekretimin e projektligjit për Teatrin.

Edi Rama: Janë mjaft që gojtoret e shqyera të baltës së përditshme të qepen dhe të mos bëjnë zë fare përballë raportit mes asaj që u shkatërrua dhe rrënua për 20 vjet e kusur vite dhe asaj që është ndërtuar dhe rindërtuar në katër vite.Kjo skenë e re është një infrastrukturë moderne për teatrin, muzikën, baletin dhe artet pamore që për nga cilësia e kushteve dhe mundësive për artistët dhe dashamirësit e artit fare mirë mund të ishte në Londër, Paris dhe Milano.

Pyetja e vërtetë që duhet bërë në funksion të historisë dhe të ardhmes së artit shqiptar nuk është a duhet të ruhet ngrehina absurde e Teatrit Kombëtar apo duhet të ndërtohet një Teatër i ri me parametra më në fund optimale në territorin e saj.

Nuk është kjo pyetja e vërtetë dhe nuk ka asnjë sens që të jetë ky shqetësimi i aktorëve dhe regjisorëve të këtij vendi të cilët kanë të drejtën legjitime të kërkojnë një sistem të besueshëm konkurence dhe merite dhe kushte optimale për të bërë punën e tyre dhe nuk kanë sesi të marrin të drejtën e vendimmarrjes mbi ruajtjen e një godinë të vjetër apo ndërtimin e një godine të re në vend të saj. 

Një teatër publik dhe aq më tepër një teatër kombëtar nuk është prona private, prona ekskluzive e aktorëve dhe regjisorëve të momentit por është një mjedis i krijuar për publikun dhe u takon vendimmarrësve të votuar nga qytetarët që në bashkëpunim me specialistët e fushës. Kur flitet për godina, nuk janë aktorët dhe regjisorët por janë arkitektët, planifikuesit dhe natyrisht edhe debati me aktorët dhe regjisorët për si të jetë më e mirë godina është e domosdoshme por nuk ka debat a duhet a nuk duhet.

Godina e një Teatri Kombëtar mund të jetë por edhe mund të mos jetë fare pjesë e historisë kombëtare të teatrit dhe në rastin tonë nuk është.Shqipëria nuk e pati kurrë një godinë të denjë Teatri Kombëtar sepse askush para nesh nuk deshi, nuk diti apo nuk mundi ta ndërmarrë nismën e ndërtimit të një të tille.

Mbreti Zog e kishte në planet e tij tamam aty ku janë sot bustet e vëllezërve Frashëri, përballë Piramidës, por nuk pati kohën në dispozicion për ta përfunduar. Regjimi komunist e përfundoi në 1946 ngrehinën e nisur në 1938 pëër të qenë vatra e kulturës shqiptaro-italiane për të cilën bëhet sot gjithë zhurma që pa pikë dyshimi përbën një moment kulmor në historinë e estradës politike të Shqipërisë. 

Në 45 vite të ekzistencës së vet ai regjim ndërtoi Operan dhe Galerinë e Arteve Figurative, ndërsa Teatrin Kombëtar e futi dhe e harroi gjithmonë në kompleksin e ndërtuar nga italianët. Shqipëria ka mbetur sot e gjithë ditën i vetmi vend në Europë dhe Rajon pa një skenë të denjë të Teatrit të vet Kombëtar. 

Nuk ka shans që një trupe europiane të futet në atë vatër kulture të degraduar dhe ska shoqëri sigurimesh që ta marrë përsipër atë destinacion. Pyetja është çfarë duhet bërë? Nëse ka dëshirë dhe gatishmëri për këtë debat nga ana e krijuesve dhe interpretuesve të skenës sonë teatrore qeveria është gati të ulet me ta dhe të përpiqet shumë seriozisht që të kuptojë prej tyre çfarë duhet bërë më shumë, çfarë duhet bërë më mirë. 

Nuk ka pasur asnjë protestë: Na ndërtoni një tetarët të ri. Kjo duhet të kishte qenë protesta. Jo, na lini të vdesim këtu bashkë me godinën. Kam ndjekur me vëmendje ato që janë thënë nga njerëzit e angazhuar kundër zëvendësimit të godinës së vjetër me një të re dhe sinqerisht mua më rezulton e pamundur të kuptoj sesi mund të jetë sot që nuk ka mbetur njeri pa parë botë me sy, qoftë një regjisor, aktor apo dhe figurant që ka hipur një herë në skenën e teatrit që të mos dojë një Teatër Kombëtar dinjitoz.

Në rastin e Teatrit Kombëtar ne do të vëmë në dispozion truallin ekzistues, ku do të ndërtohet me 100% kapital privat, asnjë cent nga buxheti i shtetit dhe asnjë detyrim financiar për kthim mbrapsht. Ndërsa privati në këmbimn të një godine re për teatrin brenda hapësirës ku kufizohet sot, disa herë më e madhe godina në sipërfaqe të përdorshme dhe të paktën 1000 herë më e denjë në çdo aspekt, do të zhvillojë një projekt transformimi të zonës pas teatrit. E keni parë zonën pas Teatrit? Mure të rrënuara, hapësira të mbushura me mbeturina dhe karikatina që nuk kanë asnjë lidhje me qendrën e kryeqytetit. Ku është problemi këtu?

/Ora News.tv/