I ashpër, shpotitës dhe ironik me denoncimet e opozitës, kryeministri Edi Rama konfirmoi me bindje në detyrë Ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i cili u akuzua për 7 ditë me radhë nga opozita për pjesëmarrje në trafikun e drogës së bashku me të vëllain e vet.

Në mbledhjen e grupit të PS-së, Rama deklaroi se audiopërgjimi i publikuar nga PD është "maskaradë e opozitës" me qëllim destabilizimin dhe se nuk ka asnjë provë për të implikuar ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj. 

Ai shtoi se e kishte verifikuar në një agjenci të huaj për autenticitetin e tij, dhe rezultoi që ka qenë një mashtrim.  Për këtë mashtrim, qëllimi i të cilit për kryeministrin ishte destabilizimi i qeverisë dhe pengimi i negociatave, Rama kërcënoi se kush e ka organizuar do të shkojë në burg.

Sipas Ramës, Partia Demokratike është e vetmja opozitë në botë e cila i bën vendit atë që as armiqtë nuk do e bënin vetëm për të mos lejuar hapjen e negociatave por gjithashtu lëshoi akuza se kjo që demokratët po bëjnë, lidhet me funksionimin e drejtësisë, e cila do godasë financimet e dyshimta dhe trafikun e kokainës. 

Rama foli edhe për vizitën në Francë dhe takimin me Macron, për të cilin tha se vendimin përfundimtar do ta marrë në fund të qershorit.

 Disa nga deklaratat e Rames ne mbledhjen e grupit PS

Ndeshkim penal shembullor 

Edi Rama:  Në këtë sfidë prokuroria më parë dhe gjykata më pas duhet tu japin shqiptarëve provën e së vërtetës ose duhet të provojnë shkencërisht autenticitetin e audio-përgjimit ose pastaj aksush me çfarëdo imuniteti politik nuk do të luajë qensh në kërtë vend me dinjitetin e njerëzve të këtij vendi, gjakun e tyre që trajtohet si ujë për tu helmuar çdo ditë.

Në rast se del se të akuzuarit, Ministri dhe vëllai i tij nuk kanë asgjë për të paguar, se në rast se del kundërta kjo nuk do diskutim që ne nuk jemi si këta, kush e organizoi këtë lojë të neveritshme për të çoroditur dynjanë përmes një mashtrimi të tillë publik dhe për të goditur Shqipërinë frontalisht në sytë e botës në këtë moment historik duhet të paguajë sipas ligjeve të kësaj republike për këtë lloj mashtrimi që përcaktojnë dënimin me burg. 

Ky nuk mund të jetë një vend që për një deputet kërkohet burg në parlament 24 orë pasi dalin në gazetë muhabetet e trafikantëve ndërsa për një dorë politikanësh, po ashtu deputetë, që kërkojnë të çmendin dynjanë me një aktor dhe bashkëpunëtor X të mos zhvillohet një ndjekje penale shembullore dhe të mos jepet një ndëshkim penal shembullor. Ky vend nuk mund të jetë kështu. Ne vërtet nuk jemi njësor por drejtësinë e duam njësoj për të gjithë.



Xhafaj duhet të vazhdojë të kryejë detyrën

Por qoftë përgjigjia që unë kam marrë nga analiza shkencore e materialit audio, qoftë nga informacionet e grumbulluara nga burimet e referuara më lart prej të cilave nuk ka asnjë indicie të asnjë veprimtarie të paligjshme të vëllait të Ministrit të Bendshëm, nuk kanë asnjë vlerë ligjore konkluzive.

Më mjaftojnë mua si kryeministër për të krijuar bindjen se Ministri i Brendshëm duhet të vazhdojë të kryejë detyrën por nuk e bëjnë asnjë çikë më pak urgjente nevojën për një hetim shterues të prokurorisë.

Sepse mua në këtë rast më takon gjykimi politik por jo ligjor dhe ai penal në asnjë rast.

E përsëris me forcë, nesër e bën kryetari i grupit parlamentar në adresë të prokurorisë, dua të ndaj me publikun bindjen time se kjo është një sfidë e madhe e drejtësisë.

Në këtë sfidë prokuroria më parë dhe gjykata më pas duhet tu japin shqiptarëve provën e së vërtetës ose duhet të provojnë shkencërisht autenticitetin e audio-përgjimit ose pastaj aksush me çfarëdo imuniteti politik nuk do të luajë qensh në kërtë vend me dinjitetin e njerëzve të këtij vendi, gjakun e tyre që trajtohet si ujë për tu helmuar çdo ditë.


Audiopergjimi nuk është autentik

Rama:  Sa i përket materialit audio-kompromentues për të cilin Saliu deklaroi se është një përgjim i realizuar me kujdes dhe shtoi se dëshmitarin nuk e nxjerrim se kemi frikë se mos na e vrasin. Unë e kam marrë mbrëmë përgjigjen e analizës shkencore të kryer në një nga laboratorët më shkencorë të botës. Mua ajo përgjigje më mjafton.

Po bëj një parantezë jo për të vënë ulërimën ndaj hetimit, apo për të influencuar hetimin apo bërtitur montazh montazh, por më mjafton tu them juve se nuk jemi absolutisht përpara asnjë lloj prove kompromentuese për Ministrin e Brendshëm, por përpara një mashtrimi të opinionit publik dhe atij ndërkombëtar me një material jo autentik me të cilin synohet destibalizimi i qeverisjes dhe mundësisht shkatërrimi i segmentit të fundit të rrugës për çeljen e negociatave të Shqipërisë.

Dje pasdite radio SHQUP-i e ka shpërndarë përmes emailit si Breaking News me titullin sharlatanez (në anglisht) në çdo adresë emaile në Europë, parlementarësh, Ministrish të Jashtme, qeveritarësh.  

Një tjetër overdozë balte për të rekrutuar mundësisht por sigurisht për të mbajtur të motivuar deputetë nëpër Europë që tu bien ndesh hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe sot të vënë kujën nëpër korridoret e parlamenteve të tyre, kafenetë e tyre duke tu treguar të tjerëve se çfarë hataje ka ndodhur në Shqipëri.

Kush mund t'ia bëjë këtë vendit të vet, askush nuk ja ka bërë në asnjë vend ku ka pasur njëmijë e një probleme edhe me krim, edhe me korrupsion dhe të korruptuar dhe ministra, që kanë qenë në proces negociatash me BE.  

Asnjë armik nuk do ja bënte dot Shqipërisë me këtë zell dhe pasion dhe çdo armik do të shikonte tek kjo opozitë kanakarin e vet.

Xhafaj sot nuk duhet te pergjigjet as ligjerit e as moralisht

Rama Akuzat sot ndaj ministrit të Brendshëm nuk vijnë nga organi i drejtësisë nuk kanë asnjë lidhje me të drejtën si vlerë por nuk mund të neglizhohen, si shumë e për lumë, dhe as nuk mund të lihen me sqarimet e radhës. Pasi në majë e thikës së tyre qëndron një material konkret.   Për të cilin dikush duhet të përgjigjet jo me fjalë por me burg.

Pse?

Sot që flasim ministri i Brendshëm nuk duhet të përgjigjet përgjigjet ligjërisht jo e jo, por as moralisht.  Nga rizbulimi i dënimit të formës së prerë në Itali të vëllait të Ministrit të Brendshëm për të cilin nuk ka pasur, asnjë kërkesë nga autoritetet italiane për ekstradim, që do të thotë se pavarësisht llogjeve të kazanit politik e mediatik të opozitës dhe jo vetëm, pavarësisht teorive të revolucionarëve që kërkojnë drejtësi por që në jetën e tyre nuk kanë lexuar një ligj të vetëm, ligjërisht Shqipëria nuk ka vepruar dot, se nuk ka pasur si të veprojë as në kohën kur qeveriste ujqëria e sotme opozitare,  se atëherë është marrë vendimi, -, dhe që nuk ndërron as zakon por as qime - dhe as deri sot që ne qeverisim. "  

Dy vëllezër, njëri me veprimtari kriminale të kahershme njëri ministër

Kryeministri mbrojti Fatmir Xhafën.

Edi Rama: Për ne e për mua askush nuk është mbi ligjin dhe kjo vlen për vëllanë e ministrit të Brendshëm, që ka një dënim për të kryer në Itali dhe që sot ka marrë vendimin e tij për të shkuar me këmbët e veta në burg për ta kryer por kjo vlen, pra parimi që askush nuk është mbi ligjin, edhe për qeverinë që nuk mund ta ndalonte dhe çonte në Itali duke shkelur ligjet që përcaktojnë kornizën e veprimtarisë së saj. 

Ky ka qenë qëndrimi i asaj qeverie dhe ky është, ky është edhe qëndrimi i qeverisë sonë dhe imi personl si Kryeministër. Për mua nuk ka pasur asgjë të panjohur në këtë histori. 

Po bëj një parantezë, i takon një opinioni se bëhet fjalë për një vëlla jo dosido por për vëllain e Ministrit të Brendshëm prandaj ky i fundit nuk duhet të ishte Ministër i Brendshëm. 

Asnjëherë unë nuk i kam parë të lidhura këto, jo vetëm sepse ne jetojmë në një sistem ku çdokush mbi 18 vjeç varet nga këmbët e veta në raport me rrugën e ligjshmërisë por edhe pse deri kur doli ky materiali i prezantuar si audio-kompromentues i lidhjes fatale mes dy vëllezërve, nuk pasur asnjë lloj fije dyshimi apo supozimi që të lidhte veprën e kahershme kriminale të njërit vëlla me veprimtarinë kurrë të kontestuar ligjërisht të vëllait tjetër. 

Lidhur me marrëzinë e nenit që inkriminon medemek Minsitrin e Brendshëm për të shpëtuar tinëzisht të vëllanë nga ekstradimi i mundshëm, unë nuk kam çfarë shtoj sot pasi është shprehur vetë Komisioni Europian që ka sqaruar gjithçka.

Por ama çdokush që ka ngrënë këtë llokum si llokum dhe qofte të zgarës së SHQUP-it duhet të vërë mend në çdo rrjet social dhe mjedis social që herë tjetër të mos e marrin më kaq lehtë për budalla, as qofja e Saliut, Luli, as llokumi i Monës, Titi.

Nuk kemi njerëz për të lëshuar në dhëmbët e ujqërve

Edi Rama: "100 herë po të ktheheshim në atë shfaqjen  famëkeqe të prokurorisë së Krimeve të Rënda ku u kërkua arrestimi i Saimir Tahirit në parlament, 100 herë ne do të mbanim të njëjtin qendrim dhe unë të njëjtin fjalim. Jo për të mos lëshuar njeriut tonë, por në mbrotje të të drejtës tonë kushtetuese për të refuzuar një padrejtësi të cilën kushtetuta na e njeh mundësinë ta gjykojmë.

Për ta mbyllur këtë pjesë dua të nënvizoj qartë.. Ne nuk kemi njerëz për të lëshur në dhëmbët e ujqërve por nuk jemi njerëz që i kërcasim dhëmbët njerëzve të organit të drejtësisë kur secili prej nesh vihet nën akuzë prej tyre."

Gojë të shqyera të politikës së fekaleve, dhe të fekaleve të kaneleve mediatike

 Edi Rama: Unë nuk di të tallem me nderin e jashtëzakonshëm që më kanë bërë ata që më kanë zgjedhur. Duke më dhënë pasurinë më të madhe që mund ti jepet cdo njeriu. Mundësinë e radhë fare, për një individ që të udhëheqë vendin e tij për një periudhë kohe." Po të mos besoja në ato që them nuk do të gjeja dot fuqi të zgjohesha në mëngjes e të bëja gjithçka mundem çdo ditë në mes të zjarrit e baltës. Po të mos e shikoja sa hap sytë njësoj si dritën e diellit se çfarë akoma mund të jap për këtë vend e njerëzit e këtij vendi nuk do të rrija duke parë si hanë baltë njerëzit e familjes time por do shkoja tu falja kohë dhe vëmendjen e munguar prej vitesh në vend të baltës që ua çoj unë në shtëpi përditë përmes gojëve të shqyera të politikës së fekaleve, dhe të fekaleve të kaneleve mediatike. Natyrisht që në këtë gërdi llafesh,  kazan më kazan e kafene e kafene është e kotë të humbësh kohë për të thënë e rithënë se politika nuk është një ushtri maskarallëku kolektiv, në politikë nuk janë të gjithë derra të kënaqur migjenian, që tjetër thonë e tjetër bëjnë. Politika nuk përbën një biznes të paligjshëm fitimprurës për të gjithë ne që merremi me të. Siç as nnjë pemë asnjë kafshë nuk janë njësoj dhe vetë politikanët nuk janë njësoj.

 "Mos e lësho Fatmirin siç lëshove Saimirin!"

Kryeministri ktheu një përgjigje dhe socialistëve jo vetëm të thjeshtë por dhe të atyre brenda radhëve të PS-së të cilët i kanë përcjellë mesazhin:   "Mos e lësho Fatmirin siç lëshove Saimirin!"

Edi Rama: Më ka bërë përshtypje një reagim i shprehur në mënyra të ndryshme në drejtimin tim që në thelb përmblidhet me fjalitë "Mos e lësho Fatmirin siç lëshove Saimirin. Saliu nuk ka lëshuar vrasës e kriminelë me damkë, ti je gati të lëshosh këtë të dojë Saliu. Lëshove Saimirin një ministër të brendshëm me incizime, mos lësho dhe këtë tjetrin për të mbajtur karrigen tënde, etj me radhë që sot meritojnë prej meje një përgjigje. Unë them të gjithë atyre se unë mendoj ndryshe nga ata, edhe pse respektoj plotësisht shqetësimin e tyre i cili lidhet me bindjen legjitime tek shumë qytetarë të këtij vendi se drejtësia nuk mund të bëhet duke shkuar pas gjurmëve të njerëzve tanë, ndërkohë që ujqërve të padrejtësive monumentale në këtë vend jo vetëm nuk u ka hyrë gjë në këmbë por duhet tu dëgjojmë përditë ulërimën duke kërkuar koka ndër ne.

Së pari ne nuk jemi ata. As nuk jemi si ata dhe as nuk mund dhe nuk duhet kurrsesi të bëhemi si ata.  Nuk jemi të rënë nga qielli. Ëngjëj jo e jo...

...Jam i gatshëm të bëhem copë dhe e kam bërë për të mbrojtur punën e një ministri, kryetari bashkie, deputeti kujtdo bashkëpunëtori që ia di dhe ia vlerësoj punën që bën edhe kur të gjithë mund ta kenë rrethuar me kundërshtitë e tyre, por kurrë nuk kam qenë dhe mos e prisni të jem i gatshëm të mbroj askënd dhe as të angazhoj PS për të bërë avokatin e kujtoqoftë kur është fjala për tu përballur me akuzat e organit të drejtësisë, cilado qoftë drejtësia. 

 

Ekspertizë shkencore për audiopërgjimin, hetim per vellane e Xhafes

Rama tha se kishte kërkuar ekspertizë mbi autencitetin e audiopërgjimit nga një agjencia e specializuar ndërkombëtare si dhe informacione lidhur me të vërtetën e të vëllait të Fatmir Xhafës, Agron Xhafa.

Edi Rama: Paralelisht me kërkesën e menjëhershme publike të kryetarit të grupit parlamentar për një hetim imediat nga prokuroria të materialit audio të shfaqur  nga opozita e cila ka marrë përgjjegjësinë e autencitetit të incizimit, kam kërkuar nga një agjenci e specializuar ndërkombëtare ekspertizë shkencore të këtij materiali dhe kam vënë në lëvizje burimet e duhura zyrtare për mbledhjen e çdo informacioni të disponueshëm të agjencive përkatëse dhe partnere mbi çdo indicie të mundshme lidhur me vëllanë e ministrit të Brendshëm.

Maskarade e destabilizuese e opozites për të nxitur destabilizim të qeverisë

Kryeministri tha se audiopërgjimi është publikuar dhe në faqet e facebook të kryeministrave të BE dhe ka per qellim krijimin e nje reaksioni destabilizues të qeverisë së tij por dhe për të mos çelur negociatat.

Rama: Opozita spo lë gur pa lëvizur dhe pabesi pa bërë. Po pengojnë dhe tentojnë të bllokojnë dhe rrëzojnë Shqipërinë në këto metra të fundit të një rrugëtimit të gjatë drejt një stacioni historik. Po minojnë dhe hedhin në erë negociatat. 

Ministri ynë i Brendshëm na qenka kryetari i familjes së dytë mafioze në Ballkan madje, jo në Europë, pëllet Saliu, natyrisht pasmeje e familjes time. Ministri i Brendshëm paska fshehur prej 6 vitesh dënimin me burg të vëllait në Itali për një vepër të kryer më shumë se 15 vjet më parë. Dhe ky sekret mafioz u zbulua nga opozita jonë dhe u shpërnda jo vetëm nga media jonë e cila pati një shok amnezik dhe nuk u kujtua dot sa shumë herë të tjera kishte publikuar këtë fakt ndër vite por dhe në të gjitha faqet e facebook të kryeministrave të vëndeve anëtare të BE-së.

Ministri i Brendshëm, dora vetë paska qenë dhe një diversant në krye të reformës në drejtësi, ku qenka infiltruar për të desantuar në fshehtësi një nen klandestin, me qëllim mos ekstradimin në Itali të vëllait të tij, por lavdi Zotit që shqiptarët kanë opozitën sy fajkua e hundçakall e cila e zbuloi edhe këtë "akt mafioz" legjislativ kaq tronditës dhe për mediat tona të cilat nuk e mblodhën dot veten për të bëë një verifikim të thjeshtë fare duke u bërë një pyetje të vetme partnerëve të EURALIUS dhe OPDAT. Madje ministri i Brendshëm nuk qenka vetëm fshehësi i dënimit të vëllait, dhe as vetëm injektues i fshehtë i një "neni kriminal" të konventës europiane në ligjin e vendit për të mbrojtur vëllanë nga ekzekutimi i dënimit. 

Hataja që ka gjetur punët e brendshme të vendit është ku e ku më e madhe sepse ministri i Brendshëm qenka vetë kreu i një organizate kriminale të trafikut të drogës, ku vëllai i tij si pjesëtar aktiv i saj u kap nga opozita në veprim e sipër, gjatë një bashkëbisedimi kriminal me një bashkëpunëtor të quajtur X. 

Dhe kjo provë ulëritëse mori dhenë në mediat tona dhe në tërë kanalet ndërkombëtare të lobimit opozitar për të çelur negociatat për anëtarësim. 

E gjitha do të ishte një parodi për të qeshur nëse nuk do të kishte ndodhur me të vërtetë që e tërë kjo shfaqje politike me disa akte, ditë pas dite, nuk do të kishte helmuar realisht gjakun e shumë qytetarëve të ndershëm të këtij vendi, nuk do të kishte baltosur Shqipërinë në sytë e disave jashtë vendit që mezi presin të reja nga PD e Shqipërisë për të ngritur zërin me pseudo argumente të ri në parlamentet e tyre kundër çeljes së negociatave dhe mbi të gjitha nuk do të kishte synuar qëllimisht nxitjen e një reaksioni destabilizues për qeverinë legjitime të këtij vendi. Kjo është një maskaradë e mirëfilltë destabilizuese. 

E vënë në skenë për ti thënë Europës se ky është një vend ku ministria e Brendshme është vetë organizata mëmë e krimit të organizuar dhe trafikut të drogës  dhe për ti thënë shqiptarëve, dhe sa të jetë Edi Rama në qeveri, Ministrat e Brendshëm nuk mund të jenë asgjë tjetër veçse eksponentë të lartë të botës së krimit global.

Si e tillë maskarada kësaj here meriton përgjigje të qartë në rrafshin politik dhe përgjigje shembullore në rrafshin e hetimit dhe ndëshkimit penal. Paralelisht me kërkesën e menjëhershme publike të kryetarit të grupit parlamentar për një hetim imediat nga prokuroria të materialit audio të shfaqur    



/Ora News.tv/