Në ditën e gjashtë të protestës së studentëve dhe rezistencë para ministrisë së Arsimit, Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje studentëve të distancohen nga opozita dhe të shkojnë tek zyra e tij të dialogojnë për të gjitha kërkesat që kishin parashtruar. 

Në fjalën e tij për gati dy orë që e mbajti nga kryeministria dhe u transmetua live në facebook, Rama nuk fshehu dot tensionin dhe nervozizmin për situatën duke i rënë disa herë tavolinës me dorë. Rama politizoi protestën duke deklaroi se pas asaj fshihet Luli e Monika ndërsa u bëri thirrje më shumë se një herë në kryeministri për ti thënë problemet e tyre.

"Ju jeni aleatët e mi. Ju nuk jeni aleatët e Lulit, as të Monikës. Ju jeni aleatët e mi dhe unë dua të luftoj bashkë me ju, jo për të  bërë këto që kërkoni por më shumë se kaq, ndaj ndahuni nga ata"

Rama hoqi përgjegjësinë e qeverisë për rritjen e tarifave dhe ia vuri fajen rektorëve të cilët sipas tij përfituan nga autonomia e marrë me ligj ndërsa përmes dialogut tarifat për disa kategori mund të shkojnë deri në zero.

"Ato tarifa i rriti autonomia bazuar në të gjitha kalkulimet që kanë bërë rektorët dhe dekanët jemi gati ti diskutojmë, por jo tarifat, por ndihmën e qeverisë në pagesën e tarifave."

Rama bëri me faj rektorët e universiteteve edhe për VKM , dhe disa herë u përpoq të nënvizonte se nëse duheshin plotësuar kërkesat duhej dialog pasi qeveria nuk mund të ndërhynte pasi vendimmarrja ishte e Universiteve të cilat janë autonome.

Ai ofroi dhe gjëra të reja përvec atyre që kërkojnë studentët. Ka një zgjidhje alternative për përfaqësimin e studentëve në bordet e administrimit.

"Nuk e fusim dot në ligj praninë e studentëve në bordin e administrimit. Nuk e ka asnjë vend por mund të bëjmë që një nga të emëruarit e qeverisë të jetë një nga të zgjedhurit nga ju"

Rama ofroi dhe tarifen e konvikteve, për ekselentet ofroi nje vit pune direkt pa konkurs ne sektorin shteteror sapo te perfundojnë shkollën.

Duke shfaqur herë pas here dyshimin se protesta mund të rrëmbehet nga PD e LSI, Rama u kërkoi studentëve të bëhen bashkë me qeverinë ti zgjidhin kerkesat.

"O hajdeni i bëjmë bashkë ose rrini në rrugë. Te sheshi, tek sheshi, si sa qysh për kë? Se ka aty lloj lloj. Me dialog është një gjë që po e kërkoj unë s'e keni kërkuar fare"

Ndërkohë studentët vijonin protestën para ministrisë së Arsimit me thirrje: "Do dalim në rrugë me qindra e mijëra, po s'u hoq tarifa rrëzohet ministria" si dhe këngë patriotike.

Rama i tha studentëve se kërkesat nuk zgjidhen me ultimatum duke bëri një paralelizëm me Lulzim Bashën

"Dialogu është i domosdoshëm. Qeveria kërkon dialog. . Më vjen keq të kujtoj që i vetmi rast që unë kam dëgjuar këtë lloj refuzimi të dialogut është opozita e sotme, Lulzim Basha, plotëso kërkesat thoshte ose ti do të largohesh bashkë me qeverinë ku përfundoi. .Lëreni Lulin e Monikën tek ministria e Arsimit, mos u merrni me ata, hajdeni pushtoni këtë godinën dhe zyrën këtu futuni brenda në zyrën time ... Tani është politikë studentore me qeverinë. Jo partitë thoni, mos thoni Jo qeverinë. FRESSH është copë copë nuk ka pasur mundësi as tju ndikoj....Tani keni filluar të belbëzoni  po i thoni me zë të ulët dhe po ndejnjët më shumë aty .. ikët ju mori kucedra. Universiteti është zonë autonome, nuk mund të hyjë aty si buldozer. Tek Unaza e Re shkojnë buldozerët. 

Nëse dikush e ka nxitur për ta çuar në rrugë të tjera,  me idenë që ta çojë në atë revolucionin pa popull është i lirë ta provojë por askush nuk duhet të mendojë se qëllimet e përbashkëta arrihen me ultimatume" vijoi kryeministri ndërsa nënvizoi se dikush "Është në kërkim të popullit që nuk e ka nga prapa për të hedhur benzinë në një zjarr që kërkon të ndezë"

Fjala e plotë e kryeministrit Rama:

Jemi sot këtu në këtë moment, besoj, të rëndësishëm kur studentët prej 3-4 ditësh kanë dalë në një protestë dhe po prej 3 ditësh unë iu kam kërkuar që të ulemi dhe të diskutojmë. Kjo nuk është bërë e mundur deri në këtë moment. Është e para herë në historinë e protestave, kur, jo qeveria, por protestuesit thonë që, “nuk duam të flasim”. Sidoqoftë, unë jam këtu. Besoj shumë fort që dialogu është i domosdoshëm dhe sidoqoftë, do të vijoj të komunikoj dhe të përpiqem të shpjegoj se pse dialogu është rruga.

Së pari, njëherë, dua ta theksoj shumë qartë: Nuk kam kërkuar dhe qeveria nuk kërkon negociata. Qeveria kërkon dialog. Studentëve u them se ka një dallim shumë të thjeshtë, negociohet mes palëve në konflikt, ne nuk kemi asnjë konflikt, sepse çka studentët kërkojnë mua, ne, na gjen plotësisht dakord në kuptimin e nevojave, në kuptimin e shqetësimeve dhe në kuptimin e domosdoshmërisë për të adresuar një problematikë që është komplekse, - pra, nuk kemi çfarë negociojmë, por sigurisht kemi domosdoshmërinë të bisedojmë, sepse, fjala vjen, shumë thjeshtë, “plotëso kërkesat tona!” Cilat kërkesa? Unë kam 7 a 8 lista me kërkesa të ardhura nga rrugë të ndryshme të protestës, të afishuara nëpër rrjetet sociale, kemi angazhuar njerëz për t’i mbledhur kudo ku shfaqen, janë më shumë se kaq, por ne kemi numëruar rreth 7, apo 8 që janë, si të thuash me një lloj suporti.

E dyta, protestat organizohen për t’u dëgjuar dhe qeveritë i dëgjojnë, apo nuk i dëgjojnë. Por në momentin kur qeveria thotë hajdeni të flasim, unë nuk kam dëgjuar ndonjë rast tjetër në histori që protestuesit të thonë, “jo, ne nuk duam të flasim”. Madje, kam dëgjuar dhe thirrje kur iu thuhet protestuesve nuk keni të drejtë të bëni as pyetje në këtë hapësirë virtuale, në këtë mejdan dialogu virtual social. Ku shkojmë kështu?! Ku jetojmë? Në cilin vend? Çfarë Shqipërie duam të kemi dhe cilën Shqipëri duam?! Në një Shqipëri ku komunikohet me britma dhe me ulërima, siç bëjnë politikanët?! Në një Shqipëri ku komunikohet me ultimatume dhe me kërcënime, siç bëjnë politikanët?! Në një Shqipëri ku secili bërtet dhe kërkon diçka dhe thotë, “o bëje, o do bëhet nami!” Jo. Nuk është kjo Shqipëria ku jetojmë dhe nuk është kjo familja ku studentët jetojnë.

Cili prej studentëve që kanë dalë në këtë protestë si student, jo si të dërguar, apo të telekomanduar të partive politike i thotë prindit, i thotë nënës, i thotë babait “unë kam këto kërkesa dhe nuk kam ndërmend të dëgjoj, ti do t’i plotësosh, ju do t’i plotësoni, ose ndryshe unë do t’i vë flakën shtëpisë.” Ku bëhet kjo? Nga ana tjetër, më vjen shumë keq të kujtoj që i vetmi rast kur unë kam dëgjuar këtë lloj refuzimi ndaj dialogut është me opozitën e sotme, me Lulzim Bashën, i cili u fut në çadër, nxori kërkesat dhe thoshte, “plotëso kërkesat, se ndryshe ti do largohesh bashkë me qeverinë.” “Hajde të ulemi! Hajde të bisedojmë! Hajde të diskutojmë!” “Jo! Plotëso kërkesat!” Se si shkuan punët, nuk ka nevojë, se s’jemi këtu për këtë. Përsëri, “vetting-u i politikanëve, ja ku është, bëje! Bëje, s’kemi çfarë diskutojmë!” Çfarë është ky? Urdhër? Ultimatum? Si bëhet? “Hajde ulemi! Hajde flasim! Hajde diskutojmë!” Në Shqipëri, problemi ynë ka qenë, që nuk na dëgjonte kush. Jemi vrarë në protesta sepse qeveria, Kryeministri nuk ishin të gatshëm kurrë të na dëgjonin.

Këtu kush është problemi?

Problemi është që kjo qeveri dhe që unë jam i gatshëm në sekondën e parë kur dikush do të dëgjohet i them, “po, po të dëgjoj”. Problemi është që, kjo qeveri dhe që unë personalisht jam angazhuar me mish e me shpirt në atë Platformën e Bashkëqeverisjes me të cilën shumë nga këta që krihen përpara pasqyrave të mbrëmjes, duke uruar në mëngjes çdo ditë djegien e fshati, përqeshin. Pse? Për të dëgjuar të gjithë. Për të dëgjuar edhe atë pensionisten në fund të botës, të cilës askush nuk ia fërshëllen për korrigjimin e pensionit dhe falë Platformës i korrigjohet pensioni. Por, edhe për të ndjekur nga mbrapa këmba-këmbës ata burokratë të korruptuar që e pengojnë për korrigjimin e pensionit. Për të dëgjuar atë mësuesen nga një provincë e humbur, të cilës i mohohet e drejta e fituar përmes portalit Mësues për Shqipërinë, sepse dikush në zyrën arsimore është i korruptuar dhe mësuesja fiton të drejtën dhe ai dikushi shkon në Prokurori. Pra, flasim për këtë nivel. Ndërkohë që, për sa iu përket protestuesve, të gjithë kanë pasur akses gjithmonë, e jo më pastaj studentët.

Mbi të gjitha, dua ta bëj një pyetje!

Protesta, është politike, apo nuk është politike? Apo është e orkestruar në mënyrë të tillë që disa që i pashë së fundmi kanë vënë dhe maskat, - se për çfarë iu duhen maskat unë nuk e di, - të dalin dhe të thonë “larg politikës”, “larg politikës”, “larg politikës”, ndërkohë që janë telefoni i prishur i politikës? Se, në qoftë se protesta nuk është politike, pra, në qoftë se protesta është e atyre që dolën spontanisht në momentin e parë për një arsye të drejtë, sepse një dekan i papërgjegjshëm nxori një afishe, me qëllim, apo pa qëllim, e di ai, u tha që nuk do paguani me këste tarifat, por do i paguani të gjitha tani, atëherë, nëse protesta është e tyre, ku është problemi për të diskutuar? Dialogu nuk është një akt martese me zor. Dialogu është një moment komunikimi ku palët flasin, palët dëgjojnë dhe dëgjohen dhe në fund secili ikën në punën e vet. Unë nuk them hajde të dialogojmë, pasi të ndaloni protestën, mos e ndaloni protestën fare, vazhdoni protestoni! Shumë mirë bëni që protestoni. Flas këtu për ata që janë aty sepse besojnë që këtu në Shqipëri ka veshë që dëgjojnë, sepse besojnë që kërkesat e tyre do të plotësohen. Unë atyre iu flas. Nuk iu flas atyre të tjerëve që dihet shumë mirë kush janë dhe pak nga pak po e tregojnë se cilët janë.

Ku është problemi?

Si mundet dot të jemi sot në fund të vitit 2018, në shekullin e 21-të në këtë Shqipëri ku kemi bërë një rrugë të gjatë dhe të vështirë për të ardhur deri këtu, kundër dialogut mes një pale, një grupi interesi shumë special, siç janë studentët dhe qeverisë dhe Kryeministrit? Çfarë është kjo? Ku ndodh kjo? Çfarë është qeveria? Çfarë është Kryeministri? Dyqan?! Magazinë, ku shkruhen kërkesat për të gjitha zahiretë dhe pastaj merret përgjigjja si?! Si?! Me televizor?! Nuk e besoj! Sidoqoftë, unë besoj që prindërit nëpër shtëpi e kuptojnë shumë mirë që kjo është një shfaqje e papërshtatshme dhe e papërputhshme me kulturën demokratike të një vendi. Problemi do të ishte nëse do të isha unë që do thoja, “jo s’dua dialog”, “jo, kthehuni në universitet”!

Problemi do të ishte nëse do të isha unë që do të thoja, e dini si është puna, ju akoma më duket se nuk e keni mësuar që, në vitin 2013 kur unë erdha në qeveri, kërkesa ulëritëse e universitetit ishte autonomia dhe ato tarifat të cilat në vitin 2014-2015 u rritën janë produkt i autonomisë. Ato nuk i rriti qeveria e Shqipërisë. Ato tarifa i rriti autonomia bazuar në të gjitha kalkulimet që kanë bërë rektorët dhe dekanët.

Cilat tarifa kërkoni nga qeveria me ultimatume?

Po, ka një problem me tarifat. Patjetër ka një problem. Edhe unë jam dakord me ju. Jam shumë dakord me ju që ka një problem me tarifat, por duhet të ulemi dhe të diskutojmë, sepse nuk e zgjidhim problemin në themel, nuk e adresojmë sëmundjen, por merremi me një simptomë, aq më tepër, që, kush kujton se duke u përpjekur ta kthejë këtë protestë, apo nëse dikush e ka nxitur për të nxitur të tjerë të dalin dhe ta çojë në rrugë të tjera me idenë që do ta kthejë në atë revolucionin e atyre pa popull, është i lirë ta provojë, por, ama, askush nuk duhet të mendojë se qëllimet e përbashkëta, sidomos, - sepse ky është një qëllim i përbashkët, - arrihen me ultimatume dhe me forma që nuk i njeh eksperienca demokratike.

Po, eksperienca demokratike njeh formën e pengmarrjes nga grupet terroriste, kur ndodh, qeveritë thonë “nuk dialogojmë, nuk negociojmë me terroristët”. Po, eksperienca demokratike njeh plot raste kur protesta nuk dëgjohet nga autoritetet, patjetër. Edhe rasti i fundit në Francë, meqë ka këtu nga ata të cilët gdhihen në mëngjes, thonë, “ishalla po e djegim sot fshatin, që të dalim në mbrëmje dhe të krihemi në pasqyrat mediatike, që u thonë studentëve “shikoni Francën””, vonesa në reagim dhe sidomos mos gatishmëria e menjëhershme për të dialoguar me ata që ishin në rrugë çon më tutje pastaj në përshkallëzime që janë të padëshiruara.

Ndërkohë që, eksperienca demokratike thotë se qëllimi i protestave demokratike është të shtrohet një problem për zgjidhje në tryezë me qeverinë e zgjedhur demokratikisht. Kjo është eksperienca. Ç’do me thënë kjo? S’doni të dialogoni, është e drejta juaj. Rrini atje. Rrini atje dhe mos ndaloni së protestuari, por mos mendoni që kërkesat që secili ka në kokë duhet që ne t’i nxjerrim nga koka e secilit, t’i përpunojmë dhe ta bëjmë këtë një lojë kungulleshkash, “jemi dakord me këto! Prit, se kemi të tjera! Jemi dakord me këto! Prit, se kemi të tjera!”

Nga ana tjetër, është e qartë dhe duhet ta dëgjojnë që të gjithë,

Unë jam me çdo student dhe do të isha aty si një student që është aty për veten e tij, jo për Lulin, jo për Monikën dhe jo për komshinjtë, por për veten e tij dhe për shtëpinë e tij, për të ardhmen e tij, për prindërit e tij dhe jam me çdo prind që mbështet çdo student që është aty për veten e tij.

Kush është aty për veten e tij nuk ka nevojë as të zgjedhë forume, as të zgjedhë përfaqësi, as të marrë përsipër të negociojë gjë me mua, apo me qeverinë në emër të tjerëve, por ka mundësinë të vijë dhe të ulemi të flasim. 10 veta, 100 veta, 200, 200 të tjerë, unë i pres të gjithë, i takoj të gjithë, diskutoj me të gjithë.

Do thoni ju, po pse? Se, kam dëgjuar edhe disa profesorë, këta profesorë, që janë pjesë e problemit, për fat të keq, që dalin nëpër banaqe se kujtojnë se iu erdhi dita që të marrin dhe ata një (e lëmë këtu), apo të bëjnë ata tani një dhjetor të dytë dhe thonë, “Ç’është kjo, Kryeministri është vënë aty për të qeverisur, Kryeministri të bëjë detyrat, të zbatojë kërkesat!” Po, mor po. E para e punës, njëherë, unë, pavarësisht se çfarë thuhet, pavarësisht se çfarë flitet, pavarësisht se çfarë komentohet, pavarësisht se çfarë anatemohet, unë nuk hyj tek ata Kryeministra që mendojnë që i dinë të gjitha. Unë nuk mendoj se jam më i zgjuari nga të gjithë.

Unë besoj shumë që unë këtë punë mund ta bëj shumë më mirë sa më shumë të kem veshët hapur dhe të dëgjoj ata të cilët e nxjerrin klithmën e dhimbjes së tyre. Nëse unë kam bredhur në çdo cep të Shqipërisë, jam futur në çdo vrimë të Shqipërisë dhe askush nuk më jep dot leksione në “Facebook”, apo në banaqet televizive, kjo ka ardhur si rezultat i nevojës për ta ndjerë dhimbjen e njerëzve aty ku ata janë, për ta kuptuar se çfarë është dhimbja e një nëne që ka humbur burrin 2 vjet më parë, që ka 3 vajza, që jeton në mjerim dhe ka 3 vajza të cilat janë në shkollë, të shkëlqyera. “Kam vetëm ylla me flamura,” - më tha ajo e vogla e Ages në Lezhë. Dhe çuditërisht, për mua aspak çuditërisht, fëmijët e këtyre familjeve dhe të të gjithë atyre shtëpive të rrënuara që keni parë këtu në këtë dritare, janë të shkëlqyer në shkollë, jo se i kanë të gjitha kushtet, kanë 1000 arsye më shumë se çdo student që është atje për të thënë, që, “jo, ne nuk shkojmë në shkollë”, që do të thotë, që, jam shumë më i vetëdijshëm, sesa kushdo që përpiqet të përdorë studentët, që përdor çdo situatë dhe që është në kërkim të popullit që nuk e ka nga mbrapa për të hedhur benzinë në një zjarr që përpiqet të ndezë.

Thënë të gjitha këtu, unë dua të them edhe njëherë: Cilat kërkesa?

Tarifat, patjetër, t’i diskutojmë dhe unë mbështes absolutisht arsyetimet racionale dhe mbi të gjitha, e ndjej dhimbjen e atyre prindërve dhe të atyre studentëve që janë studentë dhe jo masha politike atje, që kanë nevojë për më shumë mbështetje, pavarësisht se, duhet edhe njëherë që të jemi të qartë, tarifat nuk i vendos qeveria. Quhet autonomi universitare.

Qeveria vendos një tavan për të mos lejuar që tarifat të shkojnë më lart. Ato tarifa që u rritën në vitin 2014-2015 dhe nuk janë rritur më tarifat, nuk ka më tarifa të rritura, janë tarifa që janë rritur deri në tavanin që ka vënë qeveria, Ministria, se përndryshe do kishin kapërcyer kacafiu.

Megjithatë, patjetër, nuk diskutohet, ne jemi gati që të investojmë nga taksat për të mbështetur studentët në pagesën e tarifave.

Ama, do diskutuar kjo, apo duhet thënë, duhet shkruar, që pastaj të fillojë përsëri loja, “jo po se si e tha”, “jo po si është e shkruar”, jo po se nuk e ka kështu”, “jo po na e thuaj prapë”? Si? Me korrespondencë? Me kë? Ku jemi? Çfarë jemi? Shtete armike që nuk komunikojmë dot me njëri-tjetrin, por vetëm në mënyrë telegrafike?!  

Nga ana tjetër, edhe njëherë që të jemi shumë të qartë, unë jam shumë i vetëdijshëm për të gjitha kërkesat dhe jam shumë më i avancuar në atë që duhet të bëjmë së bashku. Atyre që thonë: “Çfarë kërkon Edi Rama?” “Ç’është kjo bashkëqeverisje që kërkon Edi Rama?” “Pse Edi Rama do të bëjë aleancë me studentët?” etj, etj, u them vetëm kaq:

Ju jeni aty ku jeni, pikërisht se nuk kuptoni se çfarë dua të bëj unë, se po ta kuptonit se çfarë dua të bëj unë do të ishit këtu ku jam unë. Ndërsa atyre që i dëgjojnë ata u them:

Do bëheni si ata në qoftë se do vazhdoni të dëgjoni dhe të ndiqni ata. Në qoftë se ju pëlqen pozicioni i tyre, bujrum!

Ndërsa, në qoftë se doni së bashku të ulemi dhe patjetër të adresojmë të gjitha këto probleme, por të bëhemi bashkë për të adresuar problematikat, p.sh., kam dëgjuar në këtë morinë e gjërave, Këshillat Studentorë nuk funksionojnë qysh prej vitit “X”, apo Këshillat Studentorë janë të hapur, etj., etj dhe kam këtu një mesazh që më erdhi mbrëmë në orën 01:00 të natës nga një student, nuk kam autorizimin t’i përmend emrin, por nuk është absolutisht një gjë e shpikur, studenti ka emrin, ka mbiemrin, ka fotografinë, nuk është si shumë profile fallso që shkruajnë e bëjnë çfarë të duan dhe studenti thotë:

“Përshëndetje zoti Rama! U bë dita e pestë që protestoj si një student i preokupuar për të ardhmen e arsimit. Unë jam në vit të tretë Financë, në Universitetin e Tiranës. Kemi kërkuar dialog dhe ndoshta nuk është plotësisht gabim, por si mund të dialogojnë mijëra studentë si ne! Pastaj një pjesë të dialogut e kemi përmbushur, duke dërguar pikat për të cilat shqetësohemi. Pjesën tjetër të dialogut mund ta ktheni në projekte konkrete për ato që kemi kërkuar. E nëse një përfaqësi studentësh do të zgjidhet, do të ishte shumë e politizuar dhe e dini pse? Që nga viti 2011 Këshilli Studentor, të paktën i shkollës time, nuk është aspak i rinovuar dhe aty ke me shumicë forume rinore, të tipit, LRI, FRPD, që në këtë kohë krize besimi duan të marrin nga një kockë nga kjo protestë e pastër. Ka dhe nga ata të FRESSH-it që dhe ata, ndoshta më të paktë në numër, gjithsesi do të korruptoheshin. Për më tepër, Fakulteti i Ekonomisë, në të cilin studioj, mori të drejtën për të rinovuar shkollën dhe e dini çfarë ndodhi? Ajo u lye, ndërkohë bankat vazhdojnë të jenë të thyera. Sallat moderne vazhdojnë të mungojnë. Thjesht u lye dhe jam i bindur që aty është bërë një akt korruptiv nga kryetarët e universiteteve. Kështu që shkolla është në gjendje të keqe. Nuk e besoj që ka nevojë për dialog. Shumë shokë të mi që jetojnë në Qytetin Studenti marrin mobilje nga shtëpia për të pajisur dhomën me kushte të nevojshme, por lagështia është e pranishme. As këtu nuk e besoj se ka arsye të negociojmë. Kemi një përfaqësi shumë të ulët, prej 10% për zgjedhjet e Dekanatit dhe rektorët e mbi të gjitha kjo ka një mungesë të theksuar komunikimi me ta. Ka pedagogë të paaftë që i japin mësim atyre, një Zot e di se si i kanë marrë ato doktoratura. Ka mungesë cilësie, e cila është dhe arsyeja e rrënimit të vlerave shoqërore, sepse vlerat shoqërore besoj që nuk i sjell as politika e as gjykata, por vetëm arsimi cilësor, kështu që, besoj se këto pika nuk kanë nevojë për dialog, por për zgjidhje. Më falni që u zgjata shumë, por shpresoj që ta lexoni dhe të na mirëkuptoni! Gjithë të mirat!”

Kam bërë një debat të gjatë me këtë djalin. E falënderoj edhe publikisht, por pikërisht për këto arsye, ia shpjegova duhet dialog, sepse, “i kemi të gjithë këto halle dhe shpresoj të zgjidhen”. Nga kush? Nga Zoti? Kush jam unë? Zoti jam unë, që i zgjidh në mënyrë magjike të gjitha nga lart?! I shkruajmë kërkesa Zotit lart edhe nuk pranojmë as ta takojmë, por i themi “dërgo zgjidhjet”!

Zgjidhjet, të gjitha janë të mundura, por gjetja e zgjidhjeve bëhet në një rrugë të përbashkët, sidomos për ato gjëra që kanë të bëjnë me brendinë e Universitetit, sepse qeveria nuk futet dot në Universitet.

Unë nuk hyj dot në Universitet të bëj zgjidhjet siç i mendoj unë dhe siç i mendoni ju.

Nga ana tjetër, zgjidhjet nuk janë thjesht financiare, monetare. Dakord, në çështjet financiare, në atë pjesë që ju kërkoni nga taksat, që kërkoni nga qeveria, që kërkoni nga unë jemi ne përgjegjës dhe këtu do t’i marrim të gjitha përgjegjësitë, një për një, por këtu s’është çështje vlerash financiare, sepse, ju thashë shembullin e atyre fëmijëve të familjeve më të varfra të shoqërisë, këtu është çështje vlerash universitare.

Janë vlerat universitare që janë shkelmuar, nuk janë vlerat financiare të parat, që, padiskutim, janë të nevojshme dhe të domosdoshme.

Kemi shumë gjëra për të diskutuar. Unë do doja që të kalonim në formatin e shfaqjes së mesazheve këtu në “Facebook”, pavarësisht mesazheve që janë mbledhur gjatë gjithë kohës, pyetjeve, jemi munduar të gjejmë pyetjet më relevante, por këtu unë dua të shoh të gjithë komentet, në mënyrë që të mund ta ndjek si duhet këtë dialog, ku një pjesë shkruajnë dhe më mbetet vetëm mua të flas, në pritje të një dialogu ku ne së bashku flasim.

-“E di që populli nuk pyet si ke qenë, (megjithëse ne e kemi atë shprehjen, “Çkemi! Si ke qenë?”) por thotë si je? Megjithatë, kam parë shumë komente, (i kam ndjekur pothuajse të gjitha), në të cilat flitet sikur këtu situata është siç ka qenë dhe këtu s’ka ndodhur asgjë.”  

E vërteta është krejt ndryshe. E vërteta është se këtu ne kemi gjetur një situatë, mos o Zot! Mos o Zot! Me 59 universitete në sistemin tonë të arsimit të lartë, ku 44 ishin private, një numër, për 1 milion banorë, 8 herë më shumë se Britania e Madhe, 15 herë më shumë se Gjermania. Në 8 vite u hapën 35 universitete, në ato 8 vitet që kanë sjellë pasoja që sot shihen në mënyrë të vazhdueshme.

Unë nuk jam nga ata që them, “fajin e ka Saliu”, “fajin e ka Saliu” më, por, ama, në rastin konkret, “çfarë mbjell do të korrësh”, thotë populli.

Ajo që u mboll në ato vite katastrofike, po korret sot nga ata fëmijë që i shkuan pas berihait dhe sot janë rrugëve dhe sigurisht e kanë të vështirë, sepse kanë diploma që nuk iu hyjnë në punë dhe janë krejt të paaftë për tregun e punës, sepse s’kanë kualifikime, s’kanë trajnime profesionale, etj, etj.

Ndërkohë, ajo që ne bëmë është që, ne ndërhymë duke mbyllur 22 universitete, por s’është vetëm çështja e numrit të universiteteve, ne kemi pasur 28117 studentë me kohë të pjesshme, “part-time” i famshëm, për të cilin paguheshin para. “Part-time”! Universiteti i “full-time”-t, i gjithë kohës, ishte jo universitet, “part-time” ishte katran me bojë.

Faktikisht, ne nuk dhamë më kuota për studime me kohë të pjesshme.

Numri total i programeve të studimit ishte 1432, nga të cilat, vetëm 762 ishin universitete publike, 690 në universitete private dhe na thonë ne, më thonë mua, i thonë qeverisë tonë që ne kemi bërë reformë për të mbështetur privatët, ndërkohë që ishte pothuajse barazim, ndarë numri i programeve mes privatit dhe publikut.

Për çfarë arsye? Për arsye që, ndërkohë që, në sistemin publik ku studiojnë 88% e studentëve kishte vetëm 700 e ca programe, në sistemin privat me 12% të studentëve kishte pothuajse po kaq programe, 690. Ajo që bëmë ne është një përmbysje edhe në këtë aspekt.

Në 2013-ën nuk kishte universitete publike të akredituara dhe akreditimin e universiteteve e bënte shteti. Ne kemi kaluar në komplet qasje tjetër dhe nëse në vitin 2006 kishim një institucion të akredituar, imagjinoni, të gjithë privatët, ata që mbyllëm ishin të akredituar nga shteti, nga qeveria! Vjedhje!

Ajo quhet vjedhje, - se këtyre u ka mbetur vjedhja në majë të gjuhës, iu ka mbirë fjala vjedhje, - vjedhja është ajo. Vjedhje masive. Tarifat sot mund të jenë të larta. Tarifat sot mund të jenë të ulëta. Tarifat sot mund të jenë të tilla. Tarifat sot mund të jenë të atilla. Por, sidoqoftë është një sistem ku tarifat keq menaxhohen brenda universitetit, por ama nuk është sistem vjedhjeje masive për studentë “kristalesh” e “vitrinash” e “pasqyrash” e “magazinash”.

Nga ana tjetër, në këtë periudhë ne kemi ecur me akreditimin britanik. Ashtu sikundër, nëse në krye të Bordit të Akreditimit ishte këshilltari i Kryeministrit, - këshilltari im të jetë në krye të bordit të akreditimit dhe tu japë universiteteve letra, - sot kemi 100% universitete të akredituara ndërkombëtarisht nga Agjencia Britanike dhe në krye është një profesor që jep leksione në London School of Economics. Qeveria nuk ka asnjë të drejtë sot mbi akreditimet.

Nga ana tjetër, studentët kanë folur. Por si do zgjidhet? Si do zgjidhet? Çfarë? Ja ma thoni ju mua tani, juve që doni të bëni protestë dhe t’i zgjidhni gjërat me telefon, apo me megafon, pa dialog, pa komunikim, më thoni, si do zgjidhet çështja e doktoraturave? Si? Ma thoni, si do zgjidhet çështja e doktoraturave? Si do zgjidhet çështja e titujve? P.sh., e dini çfarë ndodhte në atë kohë, - ata të asaj kohe janë doktorë, profesorë, - por në atë kohë ndodhte që në një proces doktorature të kishte 3201 studentë dhe udhëhiqeshin nga 844 pedagogë, d.m.th. situata, 18 pedagogë - 30 doktorantë, në kundërshtim të plotë me ligjin.

Mirëpo, më keq akoma, 1/10-ta e udhëheqësve të profesorëve udhëhiqnin 50% të studentëve. D.m.th., e thënë ndryshe, 90 profesorë, diku të jashtëm, diku të brendshëm udhëhiqnin doktoraturat e 1500 studentëve. Si mundet?

Unë s’kam asnjë titull. S’kam menduar kurrë për të marrë tituj. E kam thënë këtë me kohë. Do vijë dita që, kush nuk mori titull do jetë gjë e rrallë, ndërkohë që, doktorë e profesorë do kemi pafund dhe faktikisht ligji shqiptar thoshte jo më shumë se 5 studentë në udhëheqje. Ne kemi gjetur 1 me 15 mesataren dhe kemi gjetur profesorë rekordmenë që udhëhiqnin 41 studentë për t’i bërë doktorë. Vetëm në një institucion. 273 udhëheqës, nga të cilët 34% në shkelje të ligjit.

Flitet shumë për reformën tonë. Unë iu them studentëve që protestojnë, u them sot, atyre të vitit të dytë dhe atyre të vitit të parë, e di kush jeni ju? Ju jeni studentët e brezit të parë në historinë e këtij vendi që keni hyrë në universitet sipas asaj që keni merituar.

Jeni i brezi i parë në historinë e këtij vendi dhe ju e dini të gjithë shumë mirë, e dini mirë që të gjithë ju se keni marrë ekzaktësisht atë që keni merituar. Ekselenti ka marrë atë që ka merituar. Ai me notë më të ulët ka marrë atë që ka merituar, e kështu me radhë. E nuk ju ka dalë përpara t’ju zërë vendin në mjekësi, t’ju zërë vendin në juridik, t’ju zërë vendin aty ku ju keni dëshiruar, as djali i Kryeministrit, as vajza e Kryeministrit, as kunati, as kunata, as kushëriri, as kushërira, as partia, as leku, as shejtani.

Pse e si ndodhi kjo në Shqipëri, ku gjithçka ishte molepsur? Kjo ndodhi sepse ne bëmë reformën tonë në arsim. Kjo ndodhi sepse ne vendosëm traun për të gjitha influencat politike. Kjo ndodhi sepse ne i ndamë rektoratet dhe dekanatet nga xhepi i studentëve që donin të hynin në universitet dhe për këtë arsye, sot në Shqipërinë tonë, kush hyn në universitet, nuk paguan asnjë lek dhe mund të paguajë miliona, nuk ia kalon dot dikujt tjetër e nuk i zë dot vendin dikujt tjetër. Është kështu e vërteta apo jo? Dilni atje në protestë, merrni megafonin dhe thoni “nuk është kjo e vërteta”. Të dali njëri e të thotë, “unë jam student i vitit të parë apo jam student i vitit të dytë dhe mua ma ka zënë vendin djali i X apo vajza e Y dhe jam në një vend që unë nuk e dëshiroj”. Të dali atje ta thotë dhe e takoj unë pastaj. Pse e them këtë? E them këtë për të thënë që ju jeni aleatët tanë, ju jeni aleatët e mi. Ju nuk jeni aleatët e Lulit. Ju nuk jeni aleatët e Monikës. Ju nuk jeni aleatët e komshinjve. Ju nuk jeni aleatët e atyre që krihen para pasqyrave në mbrëmje, duke uruar që të digjet fshati në mëngjes. Ju jeni aleatët e mi, unë jam aleati juaj e unë dua të luftoj bashkë me ju, jo për të bërë këto që kërkoni ju, por për të bërë shumë më tepër se kaq. Prandaj ndahuni nga ata që ju thonë “mos dialogo”, “mos fol”, “kthe kurrizin, bërtit, kërcëno, vër maskën, shko tek varri i Qemal Stafës, shko tek varri i Ali Këlcyrës”. “Shko tek shpella e Saliut”. “Futu tek bodrumi i Monikës”. “Dil tek kopshti i Lulit dhe pastaj hajde bëj protestë”. Lërini ata. Ata do vazhdojnë. Ata janë në punë tjetër. Ju hajdeni këtu që ne sëbashku, të bëjmë sëbashku punën për të cilën prindërit tuaj ëndërrojnë e për të cilën prindërit tuaj paguajnë.

Do vazhdoj dhe pak se u bë kohë e gjatë që flasin të gjithë e unë nuk kam pasur mundësi të flas për këtë, ashtu sikundër kur ne flasim për arsimin në kohë paqeje, nuk na dëgjon njeri. Ose kur shkojmë nëpër klubet e katundit mediatik, askush nga këta që sot kanë marrë flamurin dhe flet për revolucionin, flet për dhjetorin, keni dëgjuar ju ndonjë analizë të këtyre gazetarëve që të pyesë për arsimin? Jo. Pyetjet e tyre janë: Si i ke marrëdhëniet me Metën? Çfarë do bësh me Lulin? Po Monikën e ke takuar? Si të duken çizmet e Monikës? Po vjedhja këtu? Po grabitja aty? Do ta ndërrosh qeverinë? Ka probleme brenda Partisë Socialiste? Keni ftohje? Jeni të ngrohur? Si është problemi me këtë? Po ajo? Gjëra që nuk i interesojnë asnjeriu. Këto kurrë. Tani i keni të gjithë nëpër banaqe, duke pritur që ju të bëni “vezën e kuqe” për ta. Po punë e madhe pastaj se çfarë bëhet me ju e çfarë bëhet me universitetin e çfarë bëhet me vendin tonë. E pra,unë nuk jam këtu për këtë. Unë nuk jam këtu për këtë dhe të vazhdoj pak edhe me financimin, sepse ju kanë rrokanisur kokën me financimin dhe janë dëgjuar shumë gjëra. Unë flas me fakte. Ju jeni studentë, e keni të lehtë që po me fakte të më kundërshtoni dhe t’i rrëzoni këtu që unë do them.

Së pari, unë dua t’ju pyes, është rritur apo nuk është rritur buxheti arsimit të lartë nga viti 2014, në këtë vit? Është e vërtetë apo nuk është e vërtetë që kanë qenë 5 miliardë e gjysmë e sot është mbi 8 miliardë buxheti i arsimit të lartë. Është e vërtetë apo nuk është e vërtetë?

E dyta, është e vërtetë apo nuk është e vërtetë që është katërfishuar buxheti i studentëve të ekselencës krahasuar me 2013? Pastaj, më tutje akoma, financimi nga të ardhurat e universiteteve, është e vërtetë apo nuk është e vërtetë që në 2014, pra, nga tarifat, ishte 41 milion dollarë dhe sivjet është 41 milion dollarë? Është e vërtetë apo nuk është e vërtetë se po të jetë e vërtetë kjo, do të thotë që nga 2014, deri më sot nuk është rritur asnjë tarifë.

Kostot e studimit janë të tilla. 18 mijë lekë në muaj ose 6 mijë lekë të vjetra në ditë për programin me tarifë të ulët dhe deri në 37 mijë lekë në muaj ose 120 lekë në ditë, për programin me tarifën më të lartë. Që do të thotë që studentët paguajnë për tarifa në bachelor, çdo ditë, sa një kafe në rastin më të lirë dhe sa një kapuçino në rastin më të shtrenjtë. Por studentët që protestojnë nuk kanë shumë faj, në këtë pikë.

Studentët në protestë janë regjistruar në 2015-2016. Që do të thotë që tarifat, jemi gati t’i rishikojmë, pa diskutim, por jo tarifat, por ndihmën e qeverisë dhe të shtetit për ju, në pagesën e tarifave, sepse tarifat janë kosto të nxjerra. E ndërkohë do bëjmë transparencën e tarifave. Do ta marrim tarifën kështu siç është, ne do ju japim nga buxheti, 50%? Pse jo më shumë se 50%? Pse t’ia ulim tarifën 50% studentëve që janë me 9 dhe 10? Ia heqim fare. Ia paguajmë ne të gjithën. Atyre që janë me 9 dhe 10 të gjithë taksapaguesit e Shqipërisë janë gati t’ua paguajnë të gjithë. Pse mos t’ia heqim fare tarifën atyre që vijnë nga familje  me ndihmë ekonomike?

 

50% për të gjithë çdo me thënë? Domethënë, njësoj të gjithë, edhe ata që vijnë nga familje me ndihmë ekonomike, edhe atyre që u bie bretku natë e ditë mbi libra, edhe atyre që rrinë nëpër kafene, edhe atyre që mbartin gjithë provimet e vitit të parë, deri në vitin e fundit, të gjithëve njësoj?

Unë nuk mendoj kështu. Por si ta zgjidhim këtë? Me televizor? Të dal unë të bëj një listë, pastaj të pres çfarë do ju sugjerojë juve Luli, Monika, apo ai Qorri, Demi e kush tjetër? Nuk është e mundur. Ama studentët e sotëm kanë të drejtë që nuk e mbajnë mend kur ishte më keq, kanë shumë të drejtë që nuk e mbajnë mend dhe nuk është detyra e tyre ta mbajnë mend. Është detyra jonë që ta bëjmë më mirë, nuk diskutohet.

Keni dëgjuar dhe një mit tjetër për numrin e studentëve.

Në vitin 2013, mbaruan gjimnazin 43 mijë nxënës. Nga këta u regjistruan në universitetet publike 23500, 54% e të diplomuarve. Në vitin 2018, 33 mijë nxënës mbaruan gjimnazin dhe u regjistruan në universitete publike 53% e të diplomuarve, pra, megjithëse u mbyllën studimet part-time, pra atyre që ju thonë që këto numra kanë rënë se kanë ikur gjithë shqiptarët se rinia po ikën jashtë e të tjera e të tjera, duhet t’i dëgjoni dëgjojini, por ama është mirë që edhe t’ju thoni që studimet part-time, filialet ku nuk bëjnë mësim dhe vendosja e dyshemesë së mesatares dhe ne vumë mesataren, deri në notën 6, -se u bë deti kos, me 5-a dhe me 4.5-a shkonin në universitet - dhe e vërteta është që numri i atyre që shkojnë në universitet, në raport me ata që dalin nga gjimnazi, nuk ka rënë në përqindje.

Financimi, - e thashë e nuk po zgjatem, - tani tek tarifat kam diçka për t’ju thënë unë juve. Asnjë tarifë nuk ka ndryshuar që në vitin akademik 2014-2015, reforma nuk ka prekur tarifat. Nuk i ka prekur! Ky është fakt! Reforma për të cilën ju thonë “është shkatërrimi, është futja e duarve në xhepin tuaj, është privati, është Henri Çili, është dreqi dhe i biri”, Jo, jo, jo! gënjeshtra, sepse tarifat në 2015 u vendosën nga universiteti si pjesë e autonomisë universitare, që u kërkua atëherë e shumë vrull e mos bëjmë krahasime shumë, por për shembull, në Malin e Zi, ka të ardhura pak më shumë se ne, por jo shumë më shumë se ne, - tarifa në bachelor është 1500 euro.

Kështu që këto muhabete është mirë që të mos i bëjmë si hesape pa hanxhinj. Nuk po flas për Serbinë, ku tarifat shkojnë nga 4 deri 12 herë më shumë. Nuk po flas për vende të tjera që mos bëjmë krahasime. Ne jemi gati që tarifat t’i mbështesim sipas kategorive, më shumë se 50% nga taksat, por është paketë, nuk mund të jetë kështu. -“O ba, dua lek”.

Po për çfarë i do? Dakord, do t’i themi prindërve, do t’i themi mësuesve, do t’i themi infermierëve, do t’i themi policëve, do t’i themi kamerierëve, do t’i themi kuzhinierëve, do t’i themi të gjithëve atyre që paguajnë taksa që një pjesë e taksave tuaja do tua çojmë këtyre studentëve për të mbuluar një pjesë të tarifës. Por për çfarë? Për t’i harxhuar kush? Për t’i harxhuar, siç thotë ai studenti në telefon, që na u tha që do rinovohej fakulteti dhe vetëm u lye me bojë? Për këtë? Jo! Më vjen keq, jo! Më vjen shumë keq, jo! Kështu nuk do të ndodhë!

Nga ana tjetër, dua t’ju them që kam parë shumë krahasime. Është e vërtetë, është shumë e vërtetë. Nëse marrim prodhimin e brendshëm dhe shikojmë përqindjen sipas prodhimit të brendshëm, ne jemi më poshtë se të tjerët. Është e vërtetë. Nuk kemi qenë asnjëherë më lartë, por çfarë ka ndodhur dhe ku është ndryshimi sot nga 5 vjet më parë meqë thoni na varfërove, na mjerove, e shkatërrove. Jo more jo.

Shumë njerëz e përjetojnë si shkatërrim faktin që paguajnë drita.

Shumë njerëz e përjetojnë si shkatërrim faktin që paguajnë ujë.

Po me keqardhje, nuk ka rrugë tjetër.

Ama, e dini se sa taksa paguajnë në Serbi? Ata, të cilët paguajnë tatim-fitimin nga rroga? 10% taksë e sheshtë, siç e kishte Shqipëria e Saliut. 10%, në gjithë rajonin është pak a shumë i njëjti sistem. E dini ju se kush paguan 10% taksë nga rroga në Shqipëri? Ata që e kanë rrogën 1.5 milionë e pastaj më lart, shkon më lart. Deri në 1.5 milionë rrogën, mesatarja e përgjithshme është 5%. Po mirë, nga vijnë këto para? Duam këtë, duam atë? Ore të gjitha janë legjitime, nuk diskutohet, por nga, si? E dini sesa është taksa për biznesin e vogël në Serbi? Në Mal të Zi? Në Kosovë? Ku të doni ju, mos flasim për Greqinë e për këto. Se bëjnë krahasimin me Gjermaninë se dëgjova disa nga këta profesorët, ka Gjermania, ka Zvicra, po po patjetër, por paguajnë taksa mbi 50% ata. Mbi 50% të atyre që marrin, ia japin shtetit prandaj kanë shumë para për arsimin. Ndërkohë e dini sa është taksa? 10%.

Këtu, me gjeni ju studentët e ekonomikut, shkoni ma gjeni një vend tjetër ku biznesi deri në 140 mijë dollarë xhiro, paguan 5% taksë. Ma gjeni e më thoni, ja ku e ke. Të gjitha këto, na vendosin në pozicionin që të mbajnë ekuilibra sepse nuk mund t’i themi njerëzve “paguani ju më shumë taksa që të hedhim më shumë para në këtë apo atë sektor”.

Dhe argumenti i fundit që kam është që ne nuk mundet dot të mendojmë se në vitin 2018 mund të argumentohet siç ka filluar një valë argumentesh, “mos bëni rrugë, por jepni bukë”. Kjo është një gjë që nuk ekzistoni. Pra, mos e bëni Unzën e Re. Hiqini ato unaza. Problemi është që paratë që shkojnë për konsum, nëse qeveria financon drejtpërdrejtë, konsumohen, mbarojnë, vitin tjetër nuk ka. Rruga është aty. Pra ekonomia rritet nga investimet. Rritet nga sa punojmë, rritet nga sa investojmë. Ekonomia e një shtëpie, një shtëpi që pikon çatia, që ka një dhomë, nuk mund të presë njerëz, nuk mund të bëjë prokopi, nuk mund të bëjë asgjë nëse të gjitha paratë që ka familja i përdor për të ngrënë dhe pjesën tjetër, ashtu sikundër nga ana tjetër, ju lutem shumë, a e lëmë këtë muhabetin e bukës, nuk është Shqipëria për bukë. Nuk ka qenë as në kohën e Saliut meqë thoni “fajin e ka Saliu”. Nuk është sot. Ka familje shumë të varfëra, patjetër që ka. Por ama, sfida jonë është që të kuptojmë, të reflektojmë, pse ne u katandisem në gjendjen ku ishim dhe pse sot nuk jemi aty ku duhet të ishim, ku duam të jemi? Sepse nuk kemi mbjellë për vite të tëra, sepse nuk i kemi bërë reformat që duheshin për vite të tëra, sepse nuk jemi përgatitur për vite të tëra, sepse nuk i kemi bërë sakrificat për vite të tëra dhe i kemi vjedhur njëri-tjetrit, i kemi bërë hile njëri tjetrit. Kemi bërë të gjithë lojëra me njëri-tjetrin e me shtetin e ku dalin të gjitha këto? Mund tja bëjmë ne vetes këtë prapë? Mund ta bëj unë këtë që të them, “po mirë hajde, kush i do, sa i do, merrini e pastaj mbas meje të bëhet qameti”.

Unë nuk e bëj kurrë këtë sepse fëmijët që lindin sot, fëmijët që rriten sot, kur të bëhen studentë nesër, nuk duhet të kenë këtë Shqipëri me këto konvikte, me këto situata në universitetet e me këto kushte. Duhet të kenë një Shqipëri tjetër. Por si bëhet ajo? Duke i bërë të gjitha rrush e kumbull sot e duke menduar që hajde të shkojmë mbas berihait?

Jo more, ajo bëhet me sakrifica, ajo bëhet me punë e ajo bëhet me bashkëpunim. E që të jemi shumë të qartë, unë jam shumë i vetëdijshëm për kusuret e qeverisë. Unë jam shumë i vetëdijshëm për sa shumë gjëra çalojnë në qeverisje. Unë nuk jam njeriu që i di të gjitha, pavarësisht se kështu dukem, por nëse mendoni që kryeministri, kushdo qoftë ai, është ai që duhet t’i zgjidhi të gjitha është ai që duhet ti bëjë të gjitha e të tjerët duhet të bëjnë kërkesa, kjo nuk ndodh dhe nëse duam të luftojmë korrupsionin, po more po, edhe korrupsionin, edhe prapambetjen, edhe të gjitha, mund ta bëjmë vetëm bashke. E kjo nuk është parullë, kjo tek universiteti është konkrete. Është fare konkrete. Studentët le të rrinë në protesta sa të duan, nuk marrin dot vendime brenda universitetit. Qeveria, le të hidhet përpjetë, nuk merr dot vendime qeveria nga jashtë për të imponuar universitetin, sepse i bie të përmbysi autonominë. Po të jemi bashkë dhe të vendosim në këtë momentum, në këtë moment ta bëjmë “momentum” për universitetin. Lëreni Lulin dhe Monikën atje tek Ministria e Arsimit, nuk keni punë me ata. E keni këtu vendin, kjo është qeveria juaj, kjo godinë është e juaja, hajde pushtoni këtë godinën këtu, pse rrini atje? Futuni këtu brenda dhe hajdeni tek zyra ime, mos u merrni me ata dhe këtu, qeveria dhe ju dhe të ulemi e të merremi me këtë punë nuk është problemi i tarifave. E kuptoni?

Pse nuk i ke financuar më shumë universitetet nga buxheti gjatë këtyre viteve?

E thashë shumë qartë, në vitin 2013, shpenzimet mesatare për student, jo të studentëve, por të buxhetit për student ishin rreth 70 dollarë. Sot e dini sa janë? 117 dollarë. Është mjaftueshëm? Jo, patjetër që nuk është mjaftueshëm. Asgjë nuk është mjaftueshëm në këtë vend, sepse po të ishte çdo gjë mjaftueshëm nuk do të ishte Gjermania, Gjermani dhe nuk do të ishin të tjerë përpara nesh, do ishim ne të parët. Por, a është më shumë 70 dollarë me 117  dollarë? Fakti sot është që ne praktikisht bëjmë diferencë me rreth 50 dollarë më shumë për studentë nga buxheti. Ku shkojnë? - kjo është pyetja. Në këtë pikë të paktën qeverisë nuk mund t’i thoni korrupsioni, sepse janë para të universitetit. Vodhi, s’vodhi nuk mund t’i thuhet qeverisë. Qeveria jep lekët. Nuk bën më shumë se kaq.

Keni bërë edhe një sërë kërkesash, kam dëgjuar pesha e votës, turp i madh shumë që studentët nuk marrin pjesë të gjithë në votim etj..

Më vjen shumë keq, por, për të bërë gjërat siç duhet, ne kemi një mundësi që nuk e kanë pasur të tjerët kur kanë shpikur gjërat, ne kemi vetëm për të mësuar sa më mirë nga të tjerët. Më gjeni një vend, jo në Europë, por në botë, një vend demokratik që e ka atë që kërkohet; Peshë vote të studentëve, më të madhe sesa kjo që është. Duhet të keni parasysh një gjë, studentët janë aty 3 vite dhe në rastet e masterit vetëm një vit, kurse zgjedhjet janë pjesë e karrierës akademike. Karriera akademike dhe jetëgjatësia e stafeve akademike është përtej një brezi studentësh dhe kjo është arsyeja që stafi akademik ka peshë më të madhe. Si ta bëjmë ne këtë, me revolucion? Bëni revolucion dhe pastaj bëjeni komplet ndryshe, merrni drejtimin e universitetit me studentë. Por nuk është e mundur që të bëhet kjo, ose pastaj gjeni një rast ta bëjmë ne të dytin, pa problem fare, le të jemi ne rasti i dytë.

- Dardan Metaj: Nuk mendon që Ministria e Arsimit dhe të gjithë fakultetet janë përgjegjëse për situatën dhe që nuk kanë informuar studentët, as për VKM-në e famshme, ligjin e ri të Arsimit dhe as për tarifat?

Së pari, arsyeja, pse unë menjëherë u ndjeva keq dhe i thashë ministres së Arsimit thirr urgjent dekanët dhe rektorët për lidhur me këtë VKM, është fakti se VKM-ja, e bërë me propozim të të gjithë dekanëve dhe rektorëve në maj, ishte befasi për studentët. Që do të thotë se është marrë vendimi për të vendosur një tarifë mbi ato kredite të mbetura dhe nuk i është komunikuar studentëve. Ky është një moment që dua t’ia them këtu, sepse nuk kam pasur mundësi t’i takoj dhe nuk kam dashur t’i takoj dekanët dhe rektorët, - ministrja është takuar rregullisht me ta, - nuk jua kishim borxh këtë gjë.

Pse nuk jua kemi pasur borxh? Sepse ju e dini shumë mirë, të nderuar dekanë dhe rektorë, që nuk ka një vendim, nuk ka një nen të ligjit të ri për Arsimin e Lartë që nuk është konsultuar gjerësisht me të gjithë ju, nuk ka një tarifë të vetme që nuk e keni vënë vetë.

Nëse Lindita Nikolla, e cila si çdo njeri tjetër, si unë, si të gjithë, ka të metat e veta, mund të ketë shumë të të meta, por ka pasur virtytin që nuk e ka pasur asnjë profesor, asnjë doktor, asnjë ministër Arsimi më parë, asnjë burrë në atë zyrë më parë, që t’ju dëgjojë për çdo gjë, që komunikojë për çdo gjë, të konsultohet për çdo gjë dhe që ta vonojë procesin e reformës që të marrë konsensus nga ju. Ju pyet për çdo gjë dhe VKM-në e sjellë në qeveri të konsultuar dhe të kërkuar nga të gjithë ju dhe ju nuk informoni studentët dhe kur vjen puna që studentët ia kërkojnë qeverisë, ju nuk keni as burrërinë që të dilni dhe t’ju thoni që këtë e kemi vënë ne, nuk jua kemi pas borxh. Sidoqoftë, Dardani ka shumë të drejtë, përgjegjësi e plotë. A ka përgjegjësi ministria dhe qeveria? Qeveria ka gjithmonë përgjegjësinë, nuk diskutohet. Fajin nuk e ka Saliu, fajin e kam unë. Por në këtë rast është kështu.


/Ora News.tv/