Sandër Lleshi do të jetë zëvendësministër me kompetencat e Ministrit deri sa presidenti Ilir Meta të krijojë bindjen për ta dekretuar. Kjo zgjidhje e gjetur nga qeveria i është bërë e ditur grupit parlamentar socialist në mbeldhjen e grupit parlamentar. Ndërkaq parlamenti mblidhet të martën për të shkarkuar Fatmir Xhafën.

Një procedurë normale e zëvendësimit të një ministri është kthyer në një debat kushtetues në limitet e një situate politike të ndezur. Dorëheqja e Fatmir Xhafës si ministër i Brendshëm u dekretua nga Presidenti Ilir Meta brenda 1 ore, por dekretimi i pasardhësit të tij Sandër Lleshi tashmë ka kaluar të gjitha afatet.

Pavarësisht qetësisë që kërkoi nga të tijtë, Kryeminstri në grupin parlamentar të mbledhur këtë të hënë, sipas burimeve, u tha deputetëve  se Presidenti kishte shkelur Kushtetutën dhe se letra e ardhur nga Meta nuk kishte asnjë arsyetim për mungesën e dekretit të Sandër Lleshit.

Megjithatë si lëvizje të parë në lojën e shahut kryeministror, Sandër Lleshi do ta drejtojë ministrinë e Brendshme, jo si ministër, por si zëvendësministër me kompetencat e një ministri, si një procedurë që shmang nevojën për t’i marrë dekretin Presidentit dhe kjo do të ndodhë që nga e marta në orën 10:00 kur parlamenti të mblidhet për të shqyrtuar dekretin e shkarkimit të ish -ministrit Fatmir Xhafaj aty ku Rama me një status në tëitter, ka lajmëruar se kjo nuk mbaron me kaq.

Rama twitter: Dakordësi e plotë në Grupin Parlamentar. Kuvendi do të miratojë nesër dekretin e Presidentit për shkarkimin e ish-ministrit të brendshëm. Sandër Lleshi do të marrë drejtimin e MB si zëvendës ministër. Por nuk mbaron me kaq. Për më shumë do t'i drejtohem Kuvendit nesër në 10.00.

Lëvizja e radhës ishte vizita e kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi në Presidencë. Në lajmërim zyrtar thuhet se kjo vizitë kishte në qendër të diskutimit dekretin për datën e zgjedhjeve dhe kandiaturat e KLSH, por reagimi i Presidencës pak më vonë fliste për përpjekje për të sfiduar presidentin dhe kohë të skaduar për qeverisjen me sekretar të parë.

"Presidenti i Republikës bën të qartë se nuk do të lejojë asnjë përpjekje sfiduese ndaj autoritetit të institucionit që përfaqëson si Kryetar i Shtetit, Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Presidenti i Republikës ka shprehur gjithmonë gatishmërinë e tij t’i japë shpjegime në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për të gjitha çështjet që Kuvendi do të shprehë interes. Presidenti Meta ka bindjen e plotë se koha e drejtimit të shtetit shqiptar me Sekretar të Parë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë” informon zëdhënësi i presidencës Tedi Blushi

Për të gjetur një zgjidhje kushtetuese sekretari i përgjithshëm i kryeministrisë Ëngjëll Agaçi zhvilloi një takim me kryeparlamentarin Gramoz Ruci dhe kreun e grupit parlamentar, Taulant Balla.

/Ora News.tv/