E dreja e pronës, Rama: Toka do t'u jepet atyre që e punojnë

Prona tek i zoti apo tek ai që e punon? Këtë përgjigje duket se do ta japë shumë shpejt qeveria e cila është duke shqyrtuar mundësitë që të legalizojë të gjitha tokat shtetërore që janë mbjellë.

Në një takim me fermerët në Polis të Librazhdit, kreu i qeverisë Edi Rama tha se po përgatitet një formë pronësie për tokat shtetërore për të gjetur një formë legalizimi siç u bë edhe me banesat.

Rama:  Ajo që po bëjmë, është të përgatisim një formë pronësie, marrje në përdorim, - nuk e di me saktësi sot ta them, - por po punojmë që t’i njihet e drejta atyre që i kanë mbjellë, që i punojnë, i kultivojnë dhe jetojnë, sepse në fund të fundit, këtë po kërkojmë dhe ne. Ia japim një tokë që është e lirë një sipërmarrësi dhe i themi, merre me qira 1 euro për 90 vjet dhe mbille. Ia japim që ta mbjellë.

Rama përsëriti thirrjen ndaj fermerëve që të bashkohen jo vetëm për shitjen e prodhimeve por edhe për të mundësuar përthithjen e fondeve nga BE.

Rama: Përgjigjet për aplikimet do të jenë korrekte. Nuk do të ketë përgjigje me parti, nuk do ketë përgjigje me ryshfet, por do ketë përgjigje në bazë të aftësisë që do tregojë vlerën e një aplikimi, apo të një aplikimi tjetër, me kritere shumë të qarta dhe shumë transparente. Ne duam që këto para të mund t’i thithim të gjitha dhe të bëjmë sukses. Bashkimi Europian vërtetë jep lekë, por lekë qyl nuk ka. Që t’i marrësh ato para dhe t’i përdorësh, do të thotë të kesh një projekt shumë të qartë dhe duhet të kesh argumente të plota për të marrë financim.

Kreu i qeverisë pranoi se hapja e aplikimeve për subvencione në agro-turizëm ka qenë e vonuar dhe për këtë arsye, tha ai, por nisur edhe nga interesi i lartë, afati i aplikimit është shtyrë me një muaj.



EMISIONET