Kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim me dekanët e universiteteve, duke theksuar se një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm i protestës është korrupsioni në universitete.

Rama: Aspekti tjetër i protestës përbën shqetësimin më të madh që lidhet me frustrimin e tmerrshëm që kanë studentët për korrupsionin në universitet. E para, protesta nisi me një shkak konkret lidhur me një tarifë. Tarifa e provimeve të mbartura është një tarifë e kërkuar nga ju dhe nuk mund ta mohoni.

Mos mendoni se kam ardhur këtu për të shkarkuar përgjegjësitë e qeverisë. Në leximin tim, protesta e studentëve është një shuplakë për qeverinë, grusht për opozitën dhe shpresë për shoqërinë.

Kjo protestë lidhet në radhë të parë me ju, flas për universitetet.

Autonomia universitare e nxituar, Rama:Ligji për arsimin e lartë e thotë shprehimisht se i takon senatit jo vetëm të ketë dijeni por edhe vendimmarrje. Jemi të gjithë të vetëdijshëm të paktën këtu në këtë sallë që ligji i ri për arsimin e lartë i ka dhënë një hapësirë të re autonomisë universitare.

Është e pamundur për qeverinë të zgjidh nga lart poshtë disa çështje sepse universiteti ka autonominë.  Nëse ka ardhur dita që ju të fshiheni kur duhet t'i dilni ju përballë studentëve për disa çështje që kanë të bëjnë me universitetin, nëse ka ardhur dita që ju të shkelni syrin dhe të mbyllni dyert dhe studentët të dalin në rrugë, nëse ka ardhur dita që t'ia lini rrugës fatin e studentëve dhe të mos merrni pjesë jo në marrëdhënien e krijuar mes protestuesve dhe qeverisë, por në marrjen e përgjegjësive, atëherë më falni por duhet ta rishikojmë autonominë e universiteteve, mbase ka qenë e nxitur. Që ne të bënim një autonomi që e bën rektorin dhe dekanin krejtësisht të pavarur dhe të paprekshëm nga qeveria.

Mbase ka qenë e parakohshme dhe e nxitur që e bën rektorin dhe dekanin krejtësisht të pavarur dhe të paprekur nga qeveria. Kam dëgjuar që bordi i administrimit ka shumicë të zgjedhur nga qeveria. Është e vërtetë sepse qeveria është financuesi kryesor.

Konstatoj me keqardhje të madhe që rektori i Universitetit të Tiranës nuk ka kuptuar akoma ligjin e arsimit të lartë.

Shpenzimet për makina luksoze -Rama: Nuk e kam kuptuar se si universiteti i Tiranës harxhon 6 mln euro për roje sigurie. Zëri kryesor në buxhete janë automjete dhe orendi. Kam parë specifikim nga një universitet ku dekani kërkon veturë 76 mijë euro. Nuk ka problem, ta ketë. Por këto gjëra t'i dinë të tjerët.

Të shohësh shpenzimet e universitetit me disbalanca ekstreme. Jam i gatshëm të marrë përgjegjësitë e mia dhe jam i gatshëm ta pranoj atë pjesë të shuplakës mbi qeverinë që ka dhënë kjo protestë. Kam besuar më shumë se ç'duhet tek autonomia universitare, nuk jam më për këtë. Studentët kërkojnë më shumë vota për zgjedhejt universitare. Si do t'i përgjigjeni?

Ma thoni si i përgjigjeni ju, si i përgjigjet një qeveri e tërë një turme protestuesish që thotë nuk dua dialog por e dua këtë kështu; nga 10 për qind në 50 përdind në zgjedhje. Po ndodh diçka e pa ndodhur. Hera e parë që një protestë studentësh mbahet gjallë duke refuzuar zgjidhjen. Kjo nuk është mister dhe as shkencë se kush e ka mbjellë këtë far. Fakti që pjesa më e madhe e studentëve dolën që janë në mbështetje dhe presin zgjidhje me të drejtë, a nuk e meritojnë vallë një reflektim.


/Ora News.tv/