Nuk di nëse akti i Metës është në përputhje me kompetencat e tij  kushtetuese, megjithëse sistemi demokratik ku jetojmë parashikon që  pushtetet kontrollojnë njera-tjetrën, dhe si të tillë, presidenti nuk  është vetëm një punonjës protokolli që përcjell apo arshivon shkresat.  Gjithsesi kjo është fushë për juristë, ku nuk është çudi që ne të kemi  boshllëk.

Por akti i Ilir Metës më shumë sesa juridik, ishte politik. Dhe kjo  jo për fushën e politikës së brendshme, ku akti ka pak ndikim, por atë  të politikës së jashtme.

Që në momentin e propozimit të Cakajt, ekspertët e quajtën  kandidaturën të papërshtatshme dhe të nxituar. Ndërkohë qenia e Baton  Haxhiut si sponsor i këtij kandidati, ndërkohë që vetë Haxhiu njihet si  mik i vëllezërve Devolli, importuesit kryesorë të grurit nga Serbia, e  bënte kandidaturën të dyshimtë se është vendosur aty për aftësitë.

Posti i Ministrit të Jashtëm  ka më shumë rëndësi është momenti kur  ndodhet vendi. Një ndër momentet më pak të rëndësishsme është marrja e  kryesimit të OSBE. Them e parëndësishme sepse ajo që po shtrohet është  çështja e kufijve të Kosovës.

Ka kohë që flitet për shkëmbim territoresh, dhe ky argument mesa  duket nuk ka veshë të taposura në Uashington. Në kryeqytetin e SHBA  tashmë ka njerëz që e shohin si opsion ii  cili shpresojnë ti japë fund  zallamahisë ballkanike. Nuk ka gjë më të gabuar. Dhe fakti që Gjermania  si njohëse e mirë e siujdhesës  është kundër ndryshimit, tregon se ata  që kanë çelësat e komandës në Shtëpinë e Bardhë, pak ose aspak dinë mbi  gadishullin.

Një hapje e kësaj teme së pari do të thoshte që ne të dilnim të  humbur nga ky rikonfigurim. Kush e mendon ndryshe, ose nuk njeh  kapacitete tona diplomatike dhe ushtarake, ose nuk kupton. Së dyti do të  thoshte një pluhurnajë e re luftërash ballkanike, ku këtë rradhë as  Shqipëria nuk do përjashtohej.

Që të mund të ndalohet nisja e këtij procesi kërkohet që ministritë e  jashtme të dy vendeve ti drejtojnë njerëz me eksperiencë. Konjuktura  politike solli që në krye të MPJ të Kosovës mos të jetë një diplomat me  përvojë, por një biznesmen si Behxhet Paçolli, aktiviteti më i spikatur i  të cilit është riparimi i  fasadave të Kremlinit dhe miqësitë e  dyshimta me Rusinë.

Në këto momente barra do ti binte ministrit të jashtëm shqiptar të  lobonte kundër opsionit të ndarjes së Kosovës. Dhe kjo kërkon njohje  diplomatike të homologëve (që ti krijon vetëm karriera në diplomaci apo  politikë); kërkon eksperiencë, kërkon aftësi negocimi , kërkon stil dhe  aftësi pune në grup, shkurt kërkon diplomaci, ku që të gjitha janë  atribute që në këtë profesion ti  jep  eksperienca.

Ndaj bllokimi i Genti Cakaj, është një hap që ndihmon që vendi mos rrëshqasë në amatorizëm në këtë situatë delikate.

Nëse Rama do që të marrë përsipër përgjegjësitë e momentit, nuk ka  pse gjen një kokë turku në Kosovë, por le të marrë përsipër personalisht  drejtimin e Ministrisë së Jashtme. Në të kundërt, nëse e ka ndarë  mendjen për shqiptar nga Kosova, le të marrë personalitete të cilit nuk i  mungojnë asaj krahine. Për mos thënë që vetë diplomacia shqiptare ka  emra si Pëllumb Xhufi,  Dashnor Dervishi, Roland Bimo, Bashkim Zeneli,  Shaban Murati, dhe shumë të tjerë, që do ta dinin ta mbështesnin me  atdhetari çështjen e Kosovës në të gjitha kancelaritë e botës.  Por të  shesësh Gent Cakajn si  Hasan Prishtina, është tepër edhe për kohët  tallava ku jetojmë./dritare.net

/Ora News.tv/