Kryeministri Rama ka shprehur edhe njëherë qëndrimin e tij se është i gatshëm të dialogojë me opozitën por jo të negociojë.

Gjatë një konferencë për mediat nga Kryeministria, Rama tha se ka shumë detyra më të rëndësishme se sa të pres Bashën apo Kryemadhin që të flasin.

Pyetja gazetares: Zgjedhjet e 30 qershorit kaluan ndërsa pohuat se nuk ka asnjë iniciativë të ndërkombëtarëve për të pasur një komunikim mes jush dhe Bashës. Por ndërkohë a ka një urë komunikimi mes jush dhe Bashës drejtpërdrejt? Si do të vazhdohet? Do të lihet kështu situata në shtator?

Edi Rama:  "Dua t'jua them sot paraprakisht që mbas pushimeve edhe ju të jeni të vetëdijshëm për këtë. Nuk mund të vazhdojë të marri energjitë e mua dhe tonat për këtë çështje. Ne e kemi dhënë qëndrimin, unë e kam përsëritur pozicionin, jemi të gatshëm të dialogojmë në çdo moment me opozitën jashtë parlamentare. 

Por nuk jemi të gatshëm të negociojmë asgjë që lidhet me vullnetin e popullit të shprehur me votë. Unë nuk jam i gatshëm që të harxhoj kohën time dhe të njerëzve me këtë muhabet çdo ditë sepse me të drejtë çdo njeri i zakonshëm i këtij vendi, duke më dëgjuar edhe mua, mund të thotë ik se na rrokanisët kokën që të gjithë.

Ka shumë gjëra më të rëndësishme dhe shumë detyra më të rëndësishme për mua sot sesa të pres Lul Bashën apo Monika Kryemadhin apo këdo qoftë tjetër që të kandisen për të folur. Është puna e tyre. Ne kemi marrë një barrë që mua më ka hequr përfundimisht mundësinë e atij pak gjumi që bëja më përpara sepse duhet të drejtojmë të gjitha bashkitë  e vendit dhe këtë barrë kemi detyrë ta mbajmë me dinjitet dhe sukses."

Kryeministri tha se kjo është një rrugë që opozita e zgjodhi vetë, paravarësisht paralajmërimeve të tij.

Edi Rama: "Është një punë kolosale për të gjitha ato që thashë, për shumë të tjera që nuk është vendi dhe koha për ti thënë nga ana e qeverisë dhe fokusi im nuk është kjo loja macja me miun e atyre që zgjodhën një rrugë që për mua ka qenë e qartë që ditën e parë. Ia kam thënë që ditën e parë në Parlament kjo rrugë do ju çojë më keq sesa jeni. E zgjodhën, të gjitha i kanë vendosur vetë. Në politikë kur merr vendime duhet të marrësh dhe përgjegjësi. Për sa kohë që ata do të vazhdojnë të marrin  apo të pranojnë vendime të imponuara nga i pari apo të parët e tyre dhe të mos marrin dhe kërkojnë përgjegjësi nga ata që i marrin vendimet. Jemi përpara një situate që s'ke me kë flet dhe nuk ke për çfarë flet. Ky është fakt. Ndërkohë që prioritetet e mia janë investimet, janë informaliteti, shërbimet për njerëzit dhe transformimet e domosdoshme që duhet të bëjmë me bashkitë tona.

Nuk jam më vetëm kryeministri apo kryetari i PS me një numër të caktuar drejtuesish në bashki dhe nuk jam më thjesht njeriu që duhet të mjaftohet me faktin që një zonjë molotov nuk dëgjon dhe nuk kupton dhe Shkodra mbetet pa zhvilluar. Tani duhet të tregojmë dhe punojmë për të treguar me vepra fjalë që dimë të ndryshojmë Shkodrës, Beratin, Kukësin e kështu më rradhë, që deri më sot jemi përpjekur por nuk kemi gjetur interlekutor."

Kryeministri shtoi se nëse opozita vazhdon kështu do i paketojë me duart e veta 2021-shin

Edi Rama: "Rritja ekonomisë, rritja e punësimit, përmirësimi i kushteve të punës për njerëzit, rritja e sigurisë ushqimore janë shumë të rëndësishme se muhabeti  e takova nuk e takova, a ka ndonjë njeri që po mundohet të bëjë krushqi. Ne jemi gati, unë jam gati nuk kam asnjë paragjykim, asnjë kusht. Duan të ulen dhe diskutojnë për të ardhmen, që vjen më shpejt se ç'duket, 2021 është shumë afër se sa i duket atyre dhe nëse ata vazhdojnë kështu edhe disa muaj 2021 e kanë paketuar sërish me duart e tyre."

/Ora News.tv/