Presidenti i Republikës, Ilir Meta mblodhi sot Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Në mbledhje mori pjesë kryeministri Edi Rama, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj,  kreu i komanduar i SHISH Helidon Bendo dhe përfaqësues të tjerë.

Mbledhja filloi pak pas orës 16:00 dhe nuk ishte i njoftuar për mediat. Mësohet nga burime të Ora News se në qendër të mbledhjes ishin diskutimet për akuzat e opozitës për Fatmir Xhafajn, pas publikimit të audio përgjimit të vëllait të ministrit.

Në një njoftim për mediat, Presidenca thotë se çështjet që u diskutuan ishin gjendja e sigurisë kombëtare dhe direktiva vjetore e sigurisë së Republikës së Shqipërisë për vitin 2018; kontrolli dhe menaxhimi i integruar i kufijve, lufta kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe emigracionit të paligjshëm; emergjencat civile; siguria e infrastrukturave strategjike portuale dhe aeroportuale dhe mbrojtja kibernetike.

Presidenti theksoi rëndësinë e domosdoshmërisë strategjike për luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit, dhe forcimit të kontrollit të kufijve.

Gjithashtu Presidenti shprehu mbështetjen e plotë ndaj agjencive ligjzbatuese për thellimin e luftës pa kompromis kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar.

Po kështu, raportet e Departamentit të Shtetit, Bashkimit Evropian dhe agjencive partnere të specializuara për këto çështje të rëndësishme, nënvizoi Presidenti i Republikës, janë një platformë solide për të reflektuar dhe për të ndërtuar një partneritet të besueshëm, të qendrueshëm dhe afatgjatë për forcimin e sigurisë kombëtare dhe antarësimin në Bashkimin Evropian.


/Ora News.tv/