Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, inspektuan edhe një herë punimet e Rrugës së Arbrit, në pjesën që bën lidhjen me Tiranën.

Kjo rrugë për Kryeministrin do të ndihmojë agroturizmin dhe bujqësinë.

Rama: Do jetë një rrugë e jashtëzakonshme nga pikëpamja e aseteve dhe vlerës që do krijohet në zonat rreth e rrotull. Është fantastike për agroturizëm, për bujqësi. Është Shqipëri e pazbuluar kjo pjesë.

Ministri Damian Gjiknuri vlerësoi ritmet e shpejta të punimeve.

Gjiknuri: Meqë jemi dhe në kuadër të PPP-ve, kjo është prova e parë që po ecim me ritëm edhe më të shpejtë se sa projektet që paguhen me buxhetin e shtetit. Veprën mund ta fillosh ti, por vepra mund të shkojnë dhe 10 vjet siç kanë vajtur. Me këtë ritëm që kanë këta do bëhet për aq kohë sa e kemi parashikuar.

Në këtë inspektim ishte dhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro, i cili tha se aktualisht po punohet për 29 km e parë të rrugës.

Qendro: Janë 35 kilometra dhe punohet aktualisht në 29. Në këtë 14 kilometërshin që jemi aktualisht, kanë mbaruar dy ura, nga ura e Çerenecit e deri në Bllatë e është duke u punuar në dy ura të tjera. Nga 4 tunele, një tunel 500 metra ka mbaruar së hapuri si galeri dhe në të gjithë tunelet e tjera është duke u punuar.

/Ora News.tv/