Një intervistë e sinqertë e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj për emisionin “T7” ka nxjerrë në pah disa të vërteta që Edi Rama mundohet t’ia mbajë të fshehta publikut shqiptar. Me mënyrën e tij, sa bazike po aq edhe të drejtëpërdrejtë në të shprehur, shefi i qeverisë në Prishtinë na ka rrëfyer tre detaje të rëndësishme të darkës që është zhvilluar në shtëpinë e Hashim Thacit.

E para është një konfirmim zyrtar i asaj që përflitet prej kohësh, se Edi Rama, ndryshe nga sa thotë, po lobon fuqishëm për një arritje të marëveshjes shqiptaro- serbe përmes opsionit të rrezikshëm të ndarjes etnike dhe të këmbimit të territoreve.

E dyta është se ai po e bën këtë (ndonëse me një mbështetje nga Uashingtoni) në kundërshtim me shtetet më të fuqishme që kanë në dorë përparimin e Shqipërisë drejt BE-së.

E treta dhe më e rëndësishmja, se ai, po ashtu sikurse Hashim Thaçi, ka fituar tashmë mërinë e kancelares Merkel.

Nga ky prononcim, kuptohen lehtësisht dy gjëra: se në kundërshim me atë që ka deklaruar në intervistat e dhëna tek Fevziu apo tek Eni Vasili në vjeshtën e kaluar, kryeministri shqiptar rezulton të jetë një ndër protagonistët e planit për ndarjen e Kosovës. Ndryshe nuk kishte pse bënte presion për këtë opsion mbi liderët e saj dhe nuk kishte pse luante në favor të hartave që po vizatojnë Aleksandri me Hashimin.

Por me sa duket Rama nuk është treguar i pasinqertë vetëm me bashkëatdhetarët e tij. Jo më kot Haradinaj e përmend shkarazi në intervistë keqardhjen e Anxhela Merkelit.

Gjermania ka qenë fuqimisht e angazhuar kundër kësaj ideje. Që këtu e disa vite më parë, kur burime diplomatike raportuan se gjatë një darke, në dhomën restorant të kryeministrisë, Aleksandar Vuçiç, Hashim Thaçi dhe mikpritësi i tyre kishin diskutuar hapur për këmbim territoresh, zyrtarët e Berlinit kanë qenë të shqetësuar. Ky merak mbërriti kulmin, kur ata i kërkuan kryeministrit të Shqipërisë, që si kusht për të takuar Merkelin në Berlin, në prill të 2018, ishte edhe dënimi i idesë së ndryshimit të kufijve.

Rama e pranoi sfidën. Ai hyri në kancelari dhe i foli sy më sy Merkelit se nuk e mbështeste aventurën e dy presidentëve, serb dhe kosovar. Kjo gënjeshtër, nuk është se kaloi pa rezultat imediat. Kryeministri shqiptar mori në Berlin premtimin se Gjermania do të angazhohej për hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe se ajo nuk do të lejonte në asnjë mënyrë lënien e Tiranës pas Shkupit në këtë proces.

Le të kujtojmë se jemi ende në pranverën e 2018, katër muaj përpara se Hashim Thaçi t’a shpallte publikisht idenë e “korrigjimit të kufijve”. Por informacionet që mbërrinin tek diplomatët gjermanë ishin shqetësuese dhe kjo e bëri ambasadoren e këtij vendi në Tiranë që të kërkonte, në verën e vitit që shkoi, disa takime me kabinetin e kryeministrit, për t’i kujtuar angazhimin që pati marë para kancelares.

Ndërkohë, ideja u bë publike nga Thaçi dhe Vuçiç në gusht të 2018 dhe menjëherë Gjermania e tha publikisht opsionin e saj: Michael Roth, ministri për Europën, foli për hapje të kutisë së Pandorës në Ballkan, Anxhela Merkel theksoi, nga Bosnja, shenjtërinë e territoreve të paprekshëm dhe ajo dërgoi shefin e vet të diplomacisë, Haiko Mass, për ta përsëritur këtë në shtatorin që shkoi, në Tiranë.

Të gjitha këto ranë në vesh të shurdhër. Deklarata si ato të Ramës, se “Merkel është kancelarja që mbron interesat e vendit të saj, kurse unë ato të vendit tim” dhe më pas shkarkimi i ministrit Bushati, që kishte dalë pro versionit gjerman, ishin pikat që e derdhën gotën.

Tani Edi Rama mund ta vizitojë Berlinin vetëm si piktor.

Por këtu në lojë nuk është fati i tij, por ai i integrimit të Shqipërisë.

Në verën e kaluar, pasi ideja e ndryshimit të kufijve u bë publike, Anxhela Merkel deklaroi: ‘Ne këtë nuk mund ta lejojmë. Nga kjo do të varet edhe ardhmëria europiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Pak a shumë këtë përsëriti edhe kryeministri Haradinaj në intervistën e fundit kur tha se nuk e kuptonte se pse Rama dhe Thaçi po veprojnë kundër vullnetit të vendeve si Gjermania, me të cilat kemi interesa strategjike.    

Merita e tij, si pjestar i “ndejës” në shtëpinë e re të Thaçit, nuk është vetëm qëndrimi që mbajti aty. Por mbi të gjitha se ai vendosi ta bëjë publike atë që ndodhi. Tashmë askush në atë tryezë nuk mund të fshihet më pas gishtit. Ne të gjithë tani e dimë se për çfarë po punon Edi Rama, në ndryshim nga ajo që ka deklaruar në Tiranë dhe ajo që ka premtuar në Berlin.

/Lapsi.al/


/Ora News.tv/