Vetëm në tre muajt e parë të këtij viti numri i të punësuarve direkt nga zyrat e punës arrin në 10 mijë persona. Kreu i qeverisë Edi Rama e bëri publike këtë shifër gjatë një aktiviteti për punësim të qëndrueshëm ku theksoi se do të mbajnë premtimin për 25 mijë të punësuar gjatë këtij viti. Ministri Arbën Ahmetaj nga ana tjetër kërkoi bashkëpunimin e ministrisë së arsimit për të ndryshuar programet e arsimit në drejtim të kërkesave të tregut.

Kryeministri, Edi Rama, deklaroi sot se është optimist për përmbushjen e objektivit të shpallur për realizimin e 25 mijë punësimeve të reja brenda këtij viti.

Rama: Në muajt mars, prill, maj ne kemi kapërcyer 10 mijë të punësuar. Jemi shumë optimistë që do realizojmë objketivin për të pasur 25 mijë të puënsuar të rinj në 2018 vetëm përmes zyrave të punës.

Duke folur në konferencën kombëtare të punësimit, shefi i qeverisë  deklaroi se gjatë këtij viti e deri në përfundim të mandatit do të ketë një rritje të rëndësishme të punësimit falë një programi që synon rritje ekonomike me anë të punësimit.

Rama: Besojmë shumë që në periudhën 2018-2021 do të kemi një kërcim të rëndësishëm në shifrat e punësimit falë një programi të ndërtuar që synon një rritje më të madhe ekonomike me punësim real më të lartë, duke filluar nga infrastruktura. Në tre vitet që kemi përpara do të financohet një numër i madh projektesh që përmban volumin më të madh financiar të dedikuar për infrastrukturën gjatë një mandati qeverisës në gjithë këto vite, turizmi që për vit e më shumë po konfirmohet si fuqi e rëndësishme mbështetëse dhe nxitëse e ekonomisë tonë, manifaktura. Kemi ende shumë mundësira të pashfrytëzuara në sektorin e bujqësisë.

Kryeministri evidentoi edhe njëherë mungesën e profesionistëve për negojat e tregut të punës. Rama nënvizoi gjithashtu se Qeveria nuk krijon punë por po mbështet hapjen e vendeve të punës.

Rama: E vërteta është që shumë shqiptarë në moshë pune nuk janë aktiv në tregun e puëns, një pjesë e tyre janë ende në kërkim të punësimit por nga ana tjetër mbetet një sfidë e madhe aftësimi i tyre për tregun e punës. Ajo që u tha nga Klosi se në Shqipëri punë ka por nuk ka specialistë, e vërteta është që është realiteti i përditshëm i të gjithë ballafaqimeve tona me kompanitë dhe gjithë ballafaqimeve të pasuksesshme të njerëzve në kërkim të një pune me kompanitë.

Sot nuk ka, dhe e them me përgjegjësi, asnjë kompani të madhe  që klasifikohet si biznes i madh që nuk ka vend pune. Në çdo derë kompanie po të trokasësh do të shohësh se ka vende të lira pune, problemi i kompanive është aftësia specifike për mbulimin e nevojave të këtyre vendeve të lira të punës.

Në këtë drejtim patjetër që nuk ka një zgjidhje të sot për sotshme por domosdoshmëri mbetet fuqizimi i sistemit të arsimit profesional.

Janë sipermarrjet ato që krijojnë vendet e punës nuk është qeveria.Qeveria ka përgjegjësinë e pazëvendësueshme që të mbështesë krijimin e vendeve të punës duke garantuar një mjedis ku jo vetëm ka një mbështetje për sipërmarrjen në aspektin fiskal, gjithë zinxhirit të burokracisë por ku ka dhe një furnizim të sipërmarrjeve me burime njerëzore cilësore, për të mbushur vendet e lira të punës. Thellimi i reformave është e vetmja rrugë për të arritur këto rezultate.

Për kreun e financave Arben Ahmetaj e rëndësishme aktualisht mbetet orientimi i duhur i fondeve të buxhetit për arsimin.

Ahmetaj: Ne duhet të fokusohemi tek Matematika, tek Inxhinieria, dhe tek shkencat kompjuterike dhe teknologjisë së informacionit.

Niveli i papunësisë te të rinjtë mbetet më i larti edhe në tremujorin e fundit të 2017. Në bazë vjetore niveli i papunësisë është ulur për 2017 në 13.7 % nga 15.3% që ishte në 2016.



/Ora News.tv/