Veliera është projekti që ka ngjallur debate të forta pro e kundër jo vetëm në Durrës. Kryeministri është pozicionuar qartë në mbështetje, duke i cilësuar sharlatanë ata që e kundërshtuan dhe  sipas tij palë të asaj që e cilësoi histori të turpshme, janë bërë edhe gjyqtarë.

Edi Rama: Shpresoj shumë që maskarada e organizuar politikisht dhe mes disa sharlatanëve që vetëquhen mbrojtjës të ambientit për të bllokuar një nga projektet që jam i bindur që kush e ka kundërshtuar sot nesër do ta mohojë që e ka kundërshtuar dhe do të skuqet.

Por për tu skuqur jo gjanëm, se këta nuk e kanë më në trup kimikatin e skuqjes së njeriut, kur Veliera të jetë e përfunduar. Është një ndërhyrje nga ato që transformojnë jo vetëm një zonë por imazhin e një qyteti të tërë dhe shpresoj që maskarada të përfundojë një orë e më parë dhe puna të vazhdojë dhe sezonin e ardhshëm Veliera të jetë aty si një vend që jo vetëm është trasnformuar nga pikëpamja e shëmtisë, ndotjes e trafikut por dhe është kthyer në një magnet për të gjithë vizitorët e këtij qyteti.

Por projekti i Velierës nuk është i vetmi që ka ngjallur detabe. Para tij debate publike ka pasur për parkun e liqenit apo stadiumin kombëtar, shëtitoren e Vlorës e Himarës dhe sheshin "Skënderbej"

Për Ramën ata që orkestrojnë këto maskarada të mbrojtjes së identitetit, flenë rehat kur shikojnë ujra të zeza e qenefe dhe rrënoja apo kuazi rrënoja, ndërkohë që hidhen përpjetë e bëhen bashkë sapo vjen një projekt i ri  për të sjellë një transformim të rëndësishëm.

Edi Rama: "Më vjen shumë keq për atë që ka ndodhur. Është turpi i atyre që e kanë orkestruar, përfshi dhe ata që janë bërë palë me ta në të ashtuquajturin sistem i drejtësisë,duke penguar, bllokuar dhe mos respektuar afatet,duke u përfshirë në një histori të turpshme. Histori tipike, të historive që kanë dicka të re dhe thyejnë marrëdhënien me të shkuarën dhe hapin marrëdhënien drejt një të ardhme.

Si tek parku i lojrave që ata që e kundërshtuan sot shkojnë me  gjyslyke, si diversantë për të çuar fëmijët. 

Siç do të vijnë me kapele e gjyslyke në stadium për të mos i kuptuar që janë po ata që kundërshtonin transformimin e stadiumit kombëtar, nga një supermarket qenefesh kolektive në një stadium të standarteve më të larta europiane dhe një nga stadiumet më të bukur të Europës. 

Duam që përfundojmë Velierën. Të transformojmë shëtitoren e Durrësit dhe ta bëjmë atë të të njëjtës cilësi e të njëjtit standard me shëtitoren bregdetare të Vlorës e Himarës. Dhe të krijojmë një energji të re përmes Velierës në hyrje dhe terminalit të pasagjerëve të kroceres.

Nëse Veliera do ishte përfunduar, Shqipëria nuk do të kishte tre projekte por 4 për çmimin e madh europian për hapësirën më të bukur të vitit 2017: Kemi sheshin Skëndeberbej, Shëtitoren e Vlorës dhe Himarës.  

Llogaritini që të tre projekte kanë qenë të mallkuar nga këta që orkestrojnë këto maskarada të mbrojtjes së identitetit dhe që flenë rehat kur shikojnë ujra të zeza e qenefe dhe rrënoja apo kuazi rrënoja, ndërkohë që hidhen përpjetë e bëhen bashkë sapo vjen një projekt i ri  për të sjellë një transformim të rëndësishëm."

Ndërsa këto ditë është hapur një debat publik për pr/ ligjin i cili sipas aktorëve synon shkatërrimin e godinës së Teatrit Kombëtar dhe të Teatrit Eksperimental. Kryeministri Rama nuk ka reaguar ndërkohë që Presidenti i Republikës, bëri thirrje për transparencë e dialog për këtë çështje dhe i bëri apel Qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës, të dëgjojnë sugjerimet dhe shqetësimet e komunitetit të artistëve e të dialogojnë në dobi të ruajtjes e promovimit të vlerave e trashëgimisë historike, kulturore e kombëtare.

/Ora News.tv/