Mocioni i mosbesimit i kërkuar nga VMRO-DPMNE për rrëzimin e Qeverisë së Maqedonisë ka dështuar. Pas debateve dhe akuzave të shkëmbyera mes palëve, deputetët kanë rrëzuar me 62 vota kundër interpelancën e ngritur nga opozita, që rikthehet në Kuvend pas 5 muajsh bojkot.

Me 62 vota kundër, 40 pro dhe 2 abstenime, Kuvendi i Maqedonisë nuk ka miratuar mocionin e opozitës për rrëzimin e Qeverisë Zaev. Në seancën e zhvilluar gjatë ditës së mërkurë, e cila përfundoi vetëm pak minuta para mesnatës, VMRO-DPMNE nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme për të hedhur poshtë qeverinë aktuale. 

Vetëm 40 nga 51 deputetë që kjo forcë fitoi në zgjedhjet e fundit parlamentare, votuan për interpelancën e ngritur, që riktheu opozitarët në Kuvend pas thuajse 5 muajve bojkot.

Sipas VMRO-DPMNE, ky mocion mosbesimi është ngritur për shkak të dështimeve të njëpasnjëshme të Qeverisë dhe paaftësisë së partnerëve të koalicionit qeverisës për udhëheqjen e institucioneve. 

Në debatin e ashpër të zhvilluar në Kuvend, opozita akuzoi pushtetin se punon vetëm për interesa partiake dhe se nuk ka realizuar asnjë projekt apo reformë të premtuar para zgjedhjeve në këto muaj të fundit.

Por deputetët e shumicës argumentuan se ekzekutivi aktual po përmirëson gabimet e qeverisë së mëparshme të VMRO-së. Në fjalën e tij para votimit të mocionit të mosbesimit, kryeministri Zoran Zaev vlerësoi rikthimin në Kuvend të opozitës, ndërkohë që bëri thirrje për bashkëpunim në interes të shtetit, në prag të proceseve eurointegruese.

/Ora News.tv/