Qeveria shpërblim 30 mijë lekë për shtresat në nevojë
Qeveria ka vendosur të japë shpërblim për disa kategori në nevojë. Në bazë të vendimit të marrë sot në mbledhjen e qeverisë, përfituesit nga skema e ndihmës ekonomike dhe paaftësisë kompensohen financiarisht, për vitin 2018, në masën 3 000 (tre mijë) lekë.
Kategoritë përfituese janë si më poshtë:
a) Familje, të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike;
b) Familje, të cilat kanë në përbërje të tyre anëtarë me aftësi të kufizuara, të lindur ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAP-së.
c) Individët përfitues të statusit, paraplegjik dhe tetraplegjik
ç) Individët përfitues "Për statusin e të verbrit”.
"Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, llogariten në shumën 396 147 000 (treqind e nëntëdhjetë e gjashtë milionë e njëqind e dyzet e shtatë mijë) lekë dhe përballohen nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për çështjet sociale, miratuar për vitin 2018. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi", thuhet në vendim.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.