Këshilli i Ministrave shfuqizon zyrtarisht VKM nr 288 pika numër 4, e cila parashikonte tarifa për provimet e mbartura në bazë të krediteve.

Në pikën 4 thuhej:"Studenti, i cilësuar në bazë të rregullores së institucionit të arsimit të lartë publik si përsëritës në një lëndë apo në shumë lëndë dhe vijon studimet në vitin pasardhës, i nënshtrohet tarifës së shkollimit për kredit për detyrimet apo lëndët përsëritëse, si dhe tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik në të cilin vazhdon studimet".

Vendimi vjen menjëherë pas deklaratës së Ministres Nikolla, e cila u shpreh e hapur për plotësimin e kërkesave të studentëve.

Ajo tha se protesta e studentëve shërbeu si një reflektim për një debat shterues brenda Universitetit.

Ministrja tha se do të ngrihet një grup pune për këtë çështje, por studentët kundërshtojnë duke kërkuar plotësimin e menjëhershëm të kërkesave. Protesta u mbyll në orët e pasdites me paralajmërimin se do të dalin sërish nesër deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të tyre.

Ndërkohë tre kërkesat e tjera të studentëve janë si më poshtë:

1. Mbështetur në nenin 99 mbi Keshillet studentore, Ligji i Arsimit të lartë pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe IAL-te, dhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

2. Përmiresimi i kushteve të konvikteve.

3. Përgjysmimi i tarifës së studimit mbështetur në nenin 99 pika 5 (Ligji i arsimit të Lartë).


/Ora News.tv/