Përkundër kërkesës së përsëritur të Bashkisë së Shkodrës, duket se qeveria mbetet e vendosur për të mos shpallur gjendjen e pjesshme të emergjencës në zonat e prekura nga përmbytjet.

Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, numri dy i qeverisë Senida Mesi teksa evidentoi faktin se kryeqendra e veriut prej rreth 3 javësh po "lëngon" nën ujë, lajmëroi shtimin e forcave në terren dhe ndihmave ushqimore por edhe ujit të pijshëm për banorët.

Mesi: Në mbledhjen e sotme përcaktuam kapacitet njerëzore, logjistike etj shtesë në ndihmë të zonave të përmbytura.Vendosëm të shtojmë furnizimet me bazë ushqimore për banorët, ujë të pijshëm. Edhe pse në disa zona Ujësjellësi funksionon rekomandojmë që në të këtë periudhë të mos përdoret uji i tij. Do të shtojmë forcat në terren.

Mesi shtoi më tej se në fazën e rikuperimit është shumë e rëndësishme të vlerësojmë dëmet, pasojat dhe të marrim masat për parandalim të mëtejshëm në vazhdim.

Zëvendës/kryeministrja tha se në zonat e përmbytura janë të angazhuara 373 efektivë të FA me 73 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe mbi 150 efektivë të policisë së shtetit.

/Ora News.tv/