Qeveria miraton fondin prej 67 mln lekësh për samitin e diasporës

Qeveria miraton fondin prej 67 mln lekësh për samitin e diasporës

Qeveria shqiptare ka miratuar një fond prej rreth 67 mln lekësh për organizmin e samitit të dytë të Diasporës. Ky samit është planifikuar të mbahet në datën 28 shkurt deri në 2 mars dhe është i dyti i këtij lloji. Edhe pse mbetet më pak se dy muaj nga mbajtja e tij ende nuk ka asnjë detaj konkret në lidhje me fokusin e këtij samiti ndërkohë që është miratuar një fond i konsiderueshëm në një kohë që Shqipëria po përballet me një sërë problemesh ekonomike e sociale.

Rreth 67 mln lekë të marra nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit janë akorduar nga qeveria për mbajtjen e samitit të diasporës. Në mbledhjen e fundit qeveria ka miratuar këtë fond me anë të një vendimi ndërsa ende nuk ka dhënë asnjë detaj në lidhje me këtë aktivitet. Ajo që dihet është fakti që ky samit do të mbahet në datën 28 shkurt deri në 2 mars.

Aktiviteti ishte planifikuar që të mbahej në 28 nëntor 2018 por krejt papritur u shty me justifikim se u vlerësuan kërkesat nga komunitete të ndryshme të diasporës pasi kjo datë është festimi më i madh që komunitetet shqiptare organizojnë tradicionalisht në vite. Qeveria ka menduar që mbajtja e Samitit të Dytë të Diasporës në 2 mars 2019 do të jetë një arsye më shumë që përvjetori i Kuvendit të Lezhës, të bëhet edhe me takimin mbarëshqiptar që Samiti i Dytë i Diasporës do të mbledhë në punimet e veta.

Qeveria ka akorduar një fond të konsiderueshëm vetëm për organizimin e një aktiviteti në një kohë që Shqipëria përballet me një sërë sfidash ekonomike e sociale dhe së fundmi edhe klimatike. Për organizmin e këtij aktiviteti është ngarkuar Ministria e Kulturës, e cila duhet , të bashkëpunojë me Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare për organizimin e aktiviteteve social-kulturore dhe vendosjen në përdorim të monumenteve të kulturës, sipas rastit.

Theksi i veçantë i Samitit të Parë të Diasporës, ishte unifikimi i teksteve arsimore dhe mënyra e organizimit të mësimdhënies mes gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen. Samiti mblodhi në Tiranë afro 1 mijë përfaqësuese nga gati 40 shtete të botës.

EMISIONET