Qeveria e re në Itali, Salvini gati të kërkojë “mandatin paraprak”

Qeveria e re në Itali, Salvini gati të kërkojë

Situata politike në Itali vijon të mbetet në udhëkryq. Në mungesë bisedimeve të frytshme mes palëve, udhëheqësi i Legës Matteo Salvini është i gatshëm të kërkojë nga presidenti një mandat paraprak për krijimin e qeverisë. Por kreu i Lëvizjes 5 Yjet Luigi Di Maio ka kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

 Udhëheqësi i Legës Matteo Salvini është gati t’i kërkojë presidentit Sergio Mattarella një “mandat paraprak” për të krijuar një qeveri dhe për t’i dhënë fund ngërçit politik në Itali. 

Përpjekjet për të krijuar një qeveri pas zgjedhjeve jovendimtare të 4 marsit kanë qenë të pasuksesshme deri më tani, pasi Lëvizja 5-Yjet ka refuzuar hapjen e bisedimeve me Legën. 

Forca e drejtuar nga Matteo Salvini nuk ka pranuar të braktisë partnerët e saj të koalicionit të qendrës së djathtë, Vëllezërit e Italisë dhe Forza Italian e Silvio Berlusconit, për t’ju bashkangjitur një koalicioni të ri qeveritar me 5 Yjet.

Salvini ka përjashtuar negocimin me Partinë Demokratike të qendrës së majtë, e cila është në krizë pas rezultatit më të dobët të shënuar në zgjedhjet e 4 marsit. 5 Yjet ndërkaq, deklaruan gatishmërinë për të zhvilluar bisedime me demokratët, por rruga e këtij dialogu u pre shkurt nga ish-kryeministri dhe ish-kreu demokrat Matteo Renzi, i cili nuk mbështet një ekzekutiv të drejtuar nga 5 Yjet.

Udhëheqësi i Legës Matteo Salvini u shpreh të mërkurën se ai ishte “gati të ulej në një tryezë bisedimesh” me kreun e Lëvizjes 5 Yjet Luigi Di Maio, pavarësisht shkëmbimeve të ashpra verbale mes të dyve në ditët e fundit. 

Por Di Maio përjashtoi mundësinë e krijimit të një “qeverie të ndryshimit” me Berlusconin dhe gjithë qendrën e djathtë, duke bërë thirrje për zgjedhje të reja. Ndërkaq, presidenti Sergio Mattarella pritet të marrë një vendim të premten për hapat e ardhshëm që do të ndërmerren për krijimin e qeverisë dhe nxjerrjen e vendit nga ngërçi pas-zgjedhor.

EMISIONET