Përdorimi i qeseve plastike është i ndaluar prej fillimit të Korrikut më vendim qeverie, por ato vijojnë të përdoren në tregje e dyqane. Në Kukës, tregtarët që kanë futur qeset e riciklueshme janë të paktë, ndërsa të tjerët thonë se po përdorin qeset që blenë para hyrjes në fuqi të ligjit. Ndërkohë qytetarët edhe pse i gjen me qesë në dorë, thonë se mbështesin nismën për të hequr nga qarkullimi qeset që ndër vite kanë shërbyer në faktorë të ndotjes.

Qeset plastike të pariciklueshme janë ndaluar me vendim qeverie prej fillimit të korrikut, por në Kukës ato vazhdojnë të përdoren masivisht në tregje e dyqane.

Në qytetin verilindor, jo të gjithë tregtarët kanë nisur të përdorin qeset e riciklueshme, ndërsa autoritetet e mjedisit nuk kanë ndërmarrë kontrolle për zbatimin e vendimit.

Qytetarët nga ana e tyre e mbështesin nismën e qeverisë për eleminimin e qeseve plastike të pariciklueshme, me efekte negative në ambient.

Në tregun e Kukësit, zërat kryesor janë burrat të cilët e mbështesin përdorimin e strajcës për pazare, por pamjet tregojnë se askush prej tyre nuk e mban një të tillë.

Vendimi i qeverisë parashikon gjoba 1-1.5 milion lekë për prodhimin e përdorimin e qesëve plastike të pariciklueshme, ndërsa për zbatimin e tij është ngritur një grup ndërinstitucional.

/Ora News.tv/