Një vajzë e mitur është dhunuar seksualisht, nën shantazh dhe dhunë psikologjike nga shokët e saj të shkollës. Në mënyrë sistematike. Në grup. Për muaj të tërë. Nga të paktën 5 persona. Kur e morën vesh, mësuesit e shkollës nuk e kanë denoncuar menjëherë në polici. Nëna nuk e ka denoncuar menjëherë në polici. Policia nuk ka vepruar menjëherë.

Këto janë faktet e ngjarjes. Mbi këto fakte duhet të analizohet, të gjenden arsyet dhe të reflektohet. Përveç atyre që kanë kryer krimin, që të ndodhte ajo që ka ndodhur, ka patur shumë përgjegjës të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, nga mësuesit e punonjësit socialë të shkollës, nxënësit e tjerë, familjarët e fëmijëve të përfshirë, drejtuesit e institucioneve publike deri tek policia.

Qëndrimet e qeverisë pas ngjarjes janë të papërgjegjshme dhe me ndikime negative, por ato nuk mund të kthehen në qendrën e gjithë vëmendjes dhe reagimit ndaj ngjarjes. Nëse çdo gjë reduktohet në përplasjen mes qendrimit të qeverisë se krimi është i rastësishëm dhe të vetmit përgjegjës janë përdhunuesit, dhe qendrimit të opozitës se gjithë fajin e ka qeveria, e vetmja gjë që do arrihet është shpërfillja e shkaqeve të thella institucionale, ligjore, administrative, shoqërore, familjare, madje edhe politike që kanë çuar në këtë krim e do të çojnë sërish nëse nuk bëhet asgjë tani.

/Ora News.tv/