Prokuroria e Tiranës regjistron procedimin penal në lidhje me kallzimin e ish zv/ kryeministres teknike Ledina Mandia, për punësimin e më shumë se 3 mijë personave në administratën shtetërore gjatë fushatës për zgjedhjet e 25 qershorit.

Pas regjistrimit të procedimit penal drejtuesja e seksionit të task Forcë në prokurori ka vendosur të zgjerojë verifikimet duke dërguar një kërkesë për informacion në Drejtorinë e Tatimeve dhe të Sigurimeve Shoqërore.

Kërkesa është dërguar zyrtarisht në adresë të tatimeve javën që kaloi. Grupi i hetimit kërkon të dhëna për shtimin apo heqjen e personave në listat e kontributeve shoqërore e shëndetësore në periudhën përpara dhe gjatë fushatës elektorale.

Dyshimet e prokurorisë janë se përpara fushatës në muajt maj e qershor, drejtues të drejtorive në administratën shtetërore kanë bërë punësimin e përkohshëm ose të përhershëm  të shtetasve të ndryshëm në këmbim të votës.

Për këtë arsye organi i akuzës pasi ka përcaktuar drejtoritë ku janë bërë punësime ka kërkuar të dhëna për praktikën e ndjekur lidhur me këto raste.

Burime të prokurorisë thanë për Ora News se në këtë procedim penal janë në hetim për akuzën e shpërdorimit të detyrës, një numër i konsiderueshëm zyrtarësh në nivel drejtorë drejtorish.

Kallzimi penal është bërë më 18 gusht 2017 nga ish zv kryeministrja Ledina Mandia e cila drejtoi task Forcën e monitorimit të punësimeve në administratën zgjedhore.

Prokuroria ka nisur verifiket  dhe javën e fundit është vendosur regjistrimi penal dhe mbledhja e dokumentacionit në cilësinë e provës materiale.

/Ora News.tv/