Barcelona nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për të kthyer në skuadër Neymar. Marrëdhëniet e yllit brazilian me kolegët e tij të Paris Saint-Germain, si dhe me stafin teknik, po përkeqësohen dhe klubi është i gatshëm ta shesë.

Media braziliane "Globo Esporte" raporton se Neymar është duke u përgatitur për të veshur sërish fanellën e katalanasve në verë, pasi negociatat mes dy klubeve për të arritur një marrëveshje janë duke u zhvilluar.

Për të mbërritur tek Neymar, Barcelona do të përfshijë kartonin e Samuel Umtiti, Ivan Rakitiç dhe Ousmane Dembele si dhe 100 milionë euro. Në verën e vitit 2017 PSG pagoi 222 milionë euro për shërbimet e 27-vjeçari dhe Barça do të duhet të arrij tek kjo shifër.

Negociatat vijnë pas deklaratës së presidentit të PSG, Nasser Al Khelaifi i cili kritikoi ashpër yjet e skuadrës duke iu drejtuar Neymar.

Në sezonin e kaluar Neymar ishte në qendër të vëmendjes në mediat prestigjoze, për sjelljen e tij jashtë fushe. Ai fillimisht u përfshi në një grindje me një zyrtar të ndeshjes pas eliminimit zhgënjyese nga Champions League nga Manchester United dhe u filmua më pas duke sulmuar një tifoz pas humbjes së finales të Kupës së Francës me Rennes. Kohët e fundit, ai u akuzua gjithashtu për përdhunim nga modelja braziliane, Nalija Trindade.

Në këto kushte, sulmuesi brazilian, i cili ende mban një marrëdhënie të mirë me Lionel Messin, Luis Suarez dhe Gerard Pique mund të jetë duke përgatitur kthimin në "Camp Nou".

/Ora News.tv/