Pse shqiptarët për Vulinin janë 'shiptari'?

Fjala 'shiptar' nuk është përdorur asnjëherë që të thuhet 'shqiptar i mirë', por vetëm kur dikush dëshiron të distancohet nga diçka, thotë për Radion Evropa e Lirë, gazetari nga Kosova, Idriz Seferi, i cili ka 12 vjet që jeton në Beograd. Komentet e tij, pasojnë deklaratat e ministrit të Mbrojtjes në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili edhe një herë shqiptarët i ka quajtur me termin 'shiptari'.

Vulin ka deklaruar ditë më parë se është urgjente që të përcaktohet vija kufitare me shqiptarët, apo siç ka thënë ai me 'shiptart'.

“Mendoj se deklarata është dhënë në kontekst që të thuhet se sa do të ishte mirë që përcaktimi i kufirit me ata që janë 'shiptari'“, ka thënë Seferi. Ai ka thënë se terme apo fjalë ofenduese ka edhe për gjermanët, serbët dhe të tjerët, por të cilat nuk duhet përdorur asnjëherë, aq më tepër në media apo në fjalorin politik.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar, por nuk ka marrë përgjigje nga kabineti i ministrit Vulin, për arsyen pse ai e përdor këtë fjalë apo term, edhe pse tashmë ekziston një aktgjykim në Serbi, sipas të cilit fjala 'shiptar' është politikisht jokorrekte dhe term ofendues dhe se shqiptarët e përjetojnë atë si fyerje.

Këshilli Nacional i Komunitetit Shqiptar në Serbi aktualisht po e shqyrton mundësinë e padisë ndaj ministrit Vulin, ka thënë kryetari i këtij Këshilli, Ragmi Mustafa.

“Me këtë përpiqen t'i nënçmojnë shqiptarët dhe t'i vendosin në qytetarë të kategorisë së dytë. Kjo është gjuhë e urrejtjes e viteve '90. Nuk do të duhej që në këtë formë të etiketohen shqiptarët. Kjo gjuhë e Vulinit na jep mesazhin se ne nuk jemi pjesë e kësaj shoqërie“, thotë Mustafa.

Ai thekson, po ashtu, se incidentet si ai në furrën e një pronari shqiptar në një paralagje të Beogradit dhe një tjetër në rrethinën e Pançevës, janë pasojë e fjalorëve të tillë në media, por edhe disa zyrtarëve shtetërorë të Serbisë.

Ministri Vulin nuk është i vetmi nga zyrtarët serbë që flet në këtë mënyrë për shqiptarët. Edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, në një komunikatë zyrtare të lëshuar gjatë javës së dytë të muajit prill, i kishte quajtur shqiptarët me termin 'shiptari'.

Kjo shprehje mund të haset gati se rregullisht në titujt e disa tabloideve, të cilat janë të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe partinë e tij. Ndër titujt që mund të hasen në këto media ishte edhe ai: „Šiptari napadaju sever Kosova 31.decembra" - "Shqiptarët sulmojnë veriun e Kosovës më 31 dhjetor“, e të ngjashëm

Sipas tij, një gjendje tjetër është në Kosovë, ku as nga politika dhe as në media nuk mund të hasen më terme ofenduese për serbët, shkruan në shkrimin e tij për REL, Nevena Bogdanoviq



EMISIONET