Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka folur për konfliktin që ka lindur mes tij dhe Presidentit, pas mosdekretimit të Gent Cakajt si ministër.

Rama ishte i ftuar në Zonë e Lirë dhe i pyetur se pse nuk e shkarkon Presidentin Meta, Rama u shpreh se shkarkimi i tij kërkon një shumicë të cilësuar në Kuvend.

“Shkarkimi i Presidentit kërkon 2/3 e votave (të Kuvendit). Këtë logjikë po përdor Ilir Meta, ‘mua nuk më shkarkojnë dot dhe unë mund të bëj çfarë të dua. Nëse Meta synon të drejtojë opozitën, apo nëse Meta ka vendosur ta kthejë opozitën në një çizme rezerve të opozitës, atëherë ai mund ta bëjë. ”, tha Rama, duke shtuar se nuk do të futet në një konflikt me institucionin e Presidentit.

Rama akuzoi Metën se po “sillet si të ishte kryetar i LSI-së, në ditët e veta më të këqija.”

“Ilir Meta është angazhuar në një krim ndaj diturisë, ndaj pastërtisë, ndaj një djali që nuk mund të meritojë njollosjen nga Ilir Meta, që po tentojnë ta përdorin atë si mish për top ndaj Presidentit të Kosovës dhe Kryeministrit të Shqipërisë”

 Rama tha se “unë nuk jam këtu për të hapur një konflikt me Presidentin”, por shqiptarët duhet ta dinë se Presidenti është në atë fazën që po thotë “çohuni rrëmbeni armët se po i ikën LSI-së tepsia”.

Kryeministri bëri edhe një krahasim mes Metës dhe Nishanit.

“Metën e kam zgjedhur president në një kontekst dhe ja ku e keni sot, një president që ka tejkaluar në mal e kodra Bujar Nishanin”, u shpreh Rama.

Në lidhje me akuzat për Baton  Haxhiun, Rama tha se ai është një shqiptar i denjë dhe se është krenar që e ka mik.

/Ora News.tv/