U nis si përplasje kushtetuese, por rezultoi siç tha kryeministri, një “lojë shahu”! Fitimtar duket se është Rama, i cili, ashtu siç u zotua, e dërgoi ish-gjeneralin Sandër Lleshi në krye të Ministrisë së Brendshme, edhe pse të zhveshur nga gradat. Nga propozimi i parë në propozimin e dytë, asgjë nuk ndryshoi te Sandër Lleshi, por ndryshoi kryeministri, që arriti të “kapë mat” presidentin! Arsyetimi se Sandër Lleshi ishte ushtarak aktiv në shërbim, pasi gjykata i kishte rikthyer gradën gjeneral, mund të ishte problem thellësisht kushtetues, siç do të deklaronte Meta, por në fund mbetej një artificë teknike aspak politike dhe lehtësisht e kalueshme. Kështu rezultoi, pasi nga gabimi i parë, Rama mësoi dhe, kur vendosi ta ripropozojë Lleshin, ai i rrëzoi argumentet duke i dërguar presidentit sërish të njëjtin emër për ministër të Brendshëm, këtë herë bashkangjitur me kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes për çdekretimin e tij. Ilir Meta, garant i Kushtetutës dhe sigurisë së vendit, u gjend para një lëvizjeje “detyrim-përcaktim”. Pse presidenti humbi në këtë “lojë shahu”? Në të gjithë këtë betejë disaditore, duke pasur parasysh se ai është dhe drejtues i Këshillit të Sigurisë, presidenti do të kishte qenë i legjitimuar, por edhe institucional, në qoftë se dekretimin e Sandër Lleshit do ta kishte kushtëzuar me dy momente shumë të rëndësishme: Plotësimin dhe kthimin në normalitet të dy institucioneve ndoshta edhe më me rëndësi se Ministria e Brendshme, në mbrojtje të sigurisë dhe në luftë kundër kriminalitetit, Prokurorinë e Përgjithshme dhe Gjykatën Kushtetuese. Prokuroria e Përgjithshme prej rreth një viti ka drejtuese me mandat të përkohshëm të kufizuar, ndërsa Gjykata Kushtetuese është kthyer thjesht në sekretari pranimi ankesash dhe në zyrë qëndrojnë vetëm dy anëtarë. Sot kemi ministër të Brendshëm, por nuk kemi dy institucione të rëndësishme, ku besueshmëria ka rënë në nivelin më të ulët. Kur presidenti Meta refuzoi një rreth një javë më parë propozimin e kryeministrit Rama, kancelaritë ndërkombëtare kryesore i ranë kambanës së rrezikut se vendi nuk mund të qëndrojë pa ministër të Brendshëm, e pikërisht ky ishte momenti më i rëndësishëm që Ilir Meta mund ta përdorte për të detyruar shumicën, por dhe për t’iu treguar ndërkombëtarëve se ky vend nuk mund të funksionojë edhe pa prokurori, gjykata, e aq më tepër nga institucioni garant i Kushtetutës dhe ligjeve me të cilat funksionon vendi. Presidenti nuk bëri politikë përballë një politikani, por solli vetëm një argument teknik që për pak ditë u zhbë duke i dhënë atij “disavantazh”. Betejën e parë reale politike, që kur u emërua në krye të shtetit, duket se Ilir Meta president e humbi, por koha do të tregojë se çfarë u fitua!

/Ora News.tv/