PS reformë zgjedhore me opozitën e re, zbardhen emrat e anëtarëve të komisionit

Komisioni i reformës zgjedhore, pasi dështoi të miratonte ndryshimet në kodin zgjedhor, është riorganizuar nga e para.

Opozita e re në parlament dhe mazhoranca kanë vendosur të jenë pjesë e komisionit të reformës zgjedhore, mandati i të cilit do të jetë deri më 28 nëntor.

Deputetët e opozitës së re në Kuvend tashmë kanë bërë dhe propozimet e para duke kërkuar që komisioni të ketë 10 anëtarë nga 18 që ishte parashikuar.

Grupet e reja parlamentare të opozitës do të përfaqësohen nga Rudina Hajdari, Andi Përmeti, Ralf Gjoni dhe Nimet Musaj.

Një nga kërkesat mbetet ndryshimi i sistemit zgjedhor.

Ralf Gjoni: Kemi kërkuar që objekti nga thjesht adresimi i rekomandimeve të OSBE-ODIHR të pasqyrojë dhe një hapje të debatit mbarëkombëtar politik publik përsa i përket ndryshimit të sistemit zgjedhor sepse besojmë fort se baza e të gjithë të këqijave janë ndryshimet kushtetuese të 2008.

I pyetur për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, Gjoni tha se do të ishte dakord nëse kjo do t’i shërbente ndryshimit të sistemit.

Ralf Gjoni: Nuk është ndonjë kastrofë e madhe, tragjedi e madhe nëse zgjedhjet shtyhen jo për shkak të frikës që po mblidhet sot nga opozita në rrugë për shkatërrime, djegie, kërcënime, por nëse shtyrja e zgjedhjeve i shërben ndryshimit të sistemit zgjedhor.

Gjoni shtoi se faktorë të caktuar i kanë kërkuar formimin e një partie, por fokusi sipas tij mbetet reforma zgjedhore.

Vetëm pak ditë më parë, Partia Socialiste propozoi që komisioni i reformës zgjedhore të kishte mandat deri me 28 nëntor.

Bashkëkryetarët e Komisionit të Reformës Zgjedhore

-Korab Lita

-Damian Gjiknuri 

Anëtarë nga opozita

-Myslim Murrizi

- Andi Përmeti

-Ralf Gjoni 

-Nimet Musaji

Anëtarë nga PS 

-Blerina Gjylameti

-Bashkim Fino

-Klotilda Ferhati

-Alket Hyseni


EMISIONET