Deputetët socialistë nuk e konsiderojnë hakmarrje politike nismën për shkarkimin e Arben Malajt si anëtar të Bordit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë. Ndërsa vetë Malaj shprehet se kjo erdhi pas kërcënimeve paralajmëruese që i ka bërë me sms kreu i grupit Taulant Balla. Sipas Malajt, ky është i dyti rast që mazhorancat e gjithëpushtetshme shkarkojnë një anëtar banke, pas shkarkimit nga Erdogan të Guvernatorit të Bankës së Turqisë.

28 deputetë të PS kanë dorëzuar në Parlament kërkesën për shkarkimin e anëtarit të Këshillit Mbikqyrës të Bankes së Shqipërisë, Arben Malaj. 

Në shkresë,  thuhet se Arben Malaj ka shkelur Kodin e etikës së Bankës së Shqipërisë pasi “në cilësinë e anëtarit të Këshillit Mbikqyrës, në daljet publike ka trajtuar tema me natyrë thellësisht politike, në kundërshtim të hapur me kompetencat e pozicionit të tij".

Anëtari i Këshillit Mbikqyrës, Arben Malaj, e ka quajtur veprim politik vendimin e deputetëve të ish- partisë së tij.

Madje Malaj thotë se ka qenë kreu i grupit socialist Taulant Balla që i ka dërguar kërcënimin paralajmërues.

Arben Malaj: Kërcënimet paralajmëruese mi ka dërguar Taulant Balla pas mos pranimit të ndërhyrjes së tij edhe me SMS me rekomandime partiake në proceset e përzgjedhjes në Bordin e Bankës së Shqipërisë. Shqetësimi është i protokolluar në mbledhjen e Bordit të BSH. Fakti që pas shkarkimit nga Erdogan të Guvernatorit të Bankës së Turqisë, ky mund te jetë rast i dytë që maxhorancat e gjithë pushtetshme shkarkojnë një anëtar Bordi të Bankës Qendrore.

Socialistët e mohojnë që ky vendim i PS të jetë një veprim hakmarrës politik.

Ervin Bushati: Kemi një vendimmarrje dhe angazhim politik si mazhorancë që ti qëndrojmë një parimi që askush në administratë, qoftë në agjenci publike apo në borde, nuk duhet të merret me politikë.

Por Arben Malaj nuk ndalet me kaq, madje paralajmëron deputetët firmëtarë që do të ballafaqohen në gjykatë për shpifje.

Malaj në një intervistë dhënë për emsionin "Tempora" në RTV Ora në 2 korrik, i kujtoi kryeministrit Rama pësimin që mori Erdogan. 

"Ne si ekonomistë parashikojmë që situata ekonomiko-sociale nuk është e mundshme që të mbështesë qeverisjen për objektivat e saj sociale. Ekonomia është në vështirësi dhe vështirësia është në rritje. Besoj se ekonomistët pranë Ramës, mund tia kenë bërë të qartë simetrinë se cfarë ndodhi me Erdoan kur nisi reformat modernizuese dhe ekonomia e Turqisë u bë me një nga rritjet më agresive, dhe cfarë ndodhi pas një konflikti brenda atij shteti kur 160 mijë vetë u arrestuan, u krijua frikë, investitorët e huaj u tërhoqën monedha kombëtare u zhvelërësua në mënyrë të jashtëzakonshme dhe cfarë ndodhi më pas me dy qytetet më mëndjehapura të Turqisë ku arriti të fitojë opozita.  Përgjegjësia më e madhe me gjithë këtë pushtet është mbi PS. " 

Ish-deputeti i PS e ka mbajtur kete post që prej vitit 2016.




/Ora News.tv/