Çdo shoqëri ndërtuese ose investitorë do t'i falë pushtetit vendor përkatës 3% të sipërfaqes së ndërtuar e cila do të përdoret për banesa sociale. Ligji ka kaluar këtë të martë në Komisionin e shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale vetëm me votat e deputetëve të PS që kanë refuzuar një kërkesë të kreut të komisionit Petrit Vasili për ta shtyrë mbledhjen. 

Dhe fill pas miratimit që anëtarët e PS kanë bërë në komision, Petrit Vasili akuzoi se nxitimi ka pasur qëllim miratimin e cunguar të ligjit dhe në prishje të konsensusit që ishte arritur me miratimin në parim të ligjit.

Vasili: Dëshira për ta miratuar në mënyrë të përçudnuar një ligj i cili në 90% të tij ishte një ligj i cili u rrëzua në Kuvend. Qëllimi është shumë i thjesht, për të miratuar në mënyrë të përçudnuar ligjin, në mënyrë që mjaft qytetarë në nevojë të mos kenë mundësi të përfitojnë nga ky ligj. 

Por deputetja e PS Elisa Spiropali, e cila drejtoi edhe mbledhjen pa praninë e opozitës, në përgjigje të akuzave të kryetarit të Komisionit Vasili, tha se mazhoranca nuk mund të shtynte çështje me rëndësi jetike për qytetarët vetëm se opozita ka vendosur të bojkotojë.

Spiropali: Ne nuk mund t'i bëjmë kurban interesat e qytetarëve për hir të konfliktit tonë politik.

Ora News disponon njoftimin e kryetarit të komisionit petrit vasikli I cili ka njoftuar se as ditën e hënë në 16 prill dhe as ditën e martë në 17 prill komisioni nuk do të zhvillonte mbledhje për shkak të vendimit që pritej nga Komisioni Evropian për dhënën e rekomandimit për hapjen e negociatave.

Ligji që nuk dihet ende se si do të pritet nga ndërtuesit që do jenë të detyruar ti falin bashkive 3 % të sipërfaqes së ndërtuar, parashikon tu vijë në ndihmë 24 kategorive të ndryshme të shtresave në nevojë.


/Ora News.tv/