Partia Socialiste i ka dorëzuar zyrtarisht sot kërkesën për shkarkimin nga detyra të kreut të KQZ-së, Klement Zguri.

Mazhoranca akuzon Zgurin për shkelje të rënda të ligjit të dekriminalizimit, për rastin e kryebashkiakut demokrat të Mallakastrës.

Në një dalje për mediat, deputetja Klotilda Bushka, tha se vlerësimi individual që Klement Zguri i ka bërë kësaj çështjeje nga pozita e drejtuesit të KQZ është shkelje e hapur e ligjit nga ana e tij.

“Siç i kemi bërë me dije edhe më parë opinionit publik, kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve z. Klement Zguri arkivoi pa e shqyrtuar në KQZ vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme për subjektin Agron Faslli Kapllanaj, kryetar i Bashkisë Mallakastër, person ky, i cili rezulton se është dënuar nga gjykata e shtetit italian me vendim të formës së prerë për vjedhje.

Vlerësimi individual që Klement Zguri i ka bërë kësaj çështjeje nga pozita e drejtuesit të KQZ është shkelje e hapur e ligjit nga ana e tij, pasi duhej të ishte Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve si organ kolegjial dhe jo kryetari i këtij komisioni si individ, organi që duhej të shqyrtonte (maksimalisht brenda 10 ditëve, sipas ligjit) në mbledhje publike rezultatet e vendimit të Prokurorisë për kryetarin e Bashkisë Mallakastër, Agron Kapllanaj”.

Deputetja socialiste kujtoi që Zguri është zgjedhur në detyrën e kryetarit të KQZ si pasojë e marrëveshjes politike të 18 Majit, pa marrë në konsideratë cilësitë që duhet të karakterizojnë nga aspekti i integritetit apo profesionalizmit një kryetar të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.

Pavarësisht kësaj, sipas saj, ai nuk arriti të ngrihet mbi të kaluarën partiake, duke humbur kështu dhe besimin e investuar për të në marrëveshjen politike të 18 Majit.

“Ngjarja e fundit, ku ai përmes veprimeve e mosveprimeve të tij i shtyu sa mundi jetën politike një të përzgjedhuri lokal me rekorde të rënda kriminale, vetëm e vetëm sepse është i të njëjtit krah politik me të, është për ne shembull konkret i njëanshmërisë politike dhe mungesës së profesionalizmit.

Thënë këtë, dhe duke u bazuar në dispozitat e ligjit të dekriminalizimit që zbatohet me përparësi ndaj Kodit Zgjedhor dhe nenit 18, (pika dh) të këtij kodi, ne kërkojmë shkarkimin e z. Klement Zguri nga detyra e kryetarit të KQZ”.

/Oranews.tv/

/Ora News.tv/