Së shpejti psikologët do të mund të hyjnë në provimin e shtetit, si në gjithë profesionet e rregulluara. Urdhri i Psikologut ka marrë tashmë miratimin nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Arsimit. Nga kjo nismë pritet të përfitojnë rreth 350 psikologë.

Për herë të parë, Urdhri i Psikologëve do të sjellë provimin e shtetit për të gjithë profesionistët e kësaj fushe, në të cilin pritet të përfitojnë rreth 350 psikologë.

Juristi i këtij institucioni, Igli Çutra, bën me dije se për këtë çështje është marrë miratimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Arsimit.

Igli Çutra: Me hartimin e kësaj marrëveshje, kësaj VKM-je për të iniciuar hapjen e procesit të hartimit të pyetjeve ta mundësojmë këtë gjë për psikologët sa më shpejt. Dëshira është që edhe brenda këtij viti, pse jo.

Por një nga problematikat kryesore për psikologët mbeten praktikat profesionale, për të cilat kërkohet edhe një mbështetje nga ana e institucioneve.

Igli Çutra: Duke qenë se numri i praktikantëve psikologë sot është i lartë dhe atyre që nuk e kanë nisur ende ushtrimin e praktikës dhe janë në pritje për ta bërë diçka të tillë ne kërkojmë nga ana e Ministrive që të na mundësojnë një numër, një kuotë të vendeve vakante që varen nga këto institucione publike për të mundësuar ushtrimin e praktikës profesionale.

Igli Çutra bën thirrje edhe për një bashkëpunim mes palëve.

Igli Çutra: Burimet e të ardhurave të Urdhrit janë të bazuara në ligj, janë kuotat vjetore të Psikologut. Kuota që merren edhe për shkak të anëtarësisë por edhe  personave që licensohen. Dhe jo gjithmonë ky numër është i njëjtë vit pas viti. Kërkohet jo vetëm bashkëpunimi sa i përket financave por edhe personave me të cilët ne kemi marrëdhënie nga komuniteti i psikologëve.

Po ashtu një apel edhe për regjistrimin e psikologëve pranë Urdhrit.

Igli Çutra: Të gjithë ata psikologë që ende kanë hezituar të vinë pranë Urdhrit të Psikologut duhet ta bëjnë këtë gjë, jo vetëm se ne i bëjmë thirrje të vinë por kanë detyrim ligjor të vinë të bëjnë regjistrimin pranë Urdhrit të Psikologut.

/Ora News.tv/