Gjashtë persona janë vrarë dhe 200 janë plagosur gjatë tubimeve masive në Xhakarta kundër rizgjedhjes së presidentit indonezian Joko Widodo.

Policia indoneziane konfirmoi numrin e të vdekurve bazuar në raportet e spitaleve. Ata thanë se shkaku i vdekjes po hetohet.

Shefi i policisë kombëtare ka mohuar se oficerët e tij kanë përdorur municione të gjalla.

Policia hodhi gaz lotsjellës tek protestuesit gjatë përplasjeve në kryeqytet të mërkurën.

Protestuesit hodhën fishekzjarre dhe gurë oficerëve të policisë pranë agjencisë mbikëqyrëse të zgjedhjeve, ndërsa përplasjet rifilluan edhe në zona të tjera të qytetit.

Mediat sociale janë kufizuar në disa zona për të ndalur përhapjen e thashethemeve.

Protestat nisën pasi rezultatet zyrtare të zgjedhjeve treguan se Widodo kishte mundur rivalin e tij Prabowo Subianto në zgjedhjet e muajit të kaluar.

/Ora News.tv/