Protestat antiqeveritare në Beograd, paralajmërohet përshkallëzimi në 13 prill

Protestat antiqeveritare në Beograd, paralajmërohet

Disa mijëra qytetarë iu bashkuan sërish të shtunën protestave antiqeveritare në kryeqytetin serb.

Demonstruesit e filluan marshimin e tyre për të 18-ën javë radhazi duke vënë kurora me lule në kujtim të politikanit, Oliver Ivanoviç, i cili u vra jashtë selisë së partisë së tij në Mitrovicë janarin e kaluar.

Një minutë heshtje u mbajt edhe në nder të viktimave të rënë nga bombardimet e Serbisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Më pas itinerari i marshimit u zhvendos drejt godinës qeveritare dhe ndërtesës së bashkisë së Beogradit.

Pjesëmarrësit nga shoqëria civile dhe aleanca opozitare politike përsëritën akuzat kundër sundimit autokrat të presidentit Aleksandër Vuçiç dhe kërkesat për zgjedhje të ndershme dhe medie të lira.

Disa materiale ndërtimi të ndodhura aty pranë u përdorën për të ngritur barrikada rreth selisë së kryebashiakut të denoncuar edhe më parë për zhvillimin e projekteve infrastrukturore të pakonsultuara.

Protestuesit paralajmëruan protesta më masive në datën 13 prill, ku autoritetet druhen se mund të ketë përplasje, pasi edhe partia në pushtet ka thirrur tubime të njëkohshme.

Për të dytin muaj u organizuan edhe protestuesit në Podgoricë, të cilët të mbledhur përpara godinës së parlamentit paralajmëruan se duke nisur nga java e ardhshme do e shtrijnë aksionin e tyre në të gjithë Malin e Zi edhe gjatë ditëve të javës.

Objektivi i tyre mbetet dorëheqja e klasës politike në pushtet, duke nisur nga presidenti Milo Gjukanoviç, kryeministri Dushko Markoviç dhe kryeprokurori i vendit të akuzuar për afera korruptive.

EMISIONET