Para Teatrit Kombëtar vijon protesta në 24 orë në 24 me altnerine. Në mbështetje të komunitetit të artistëve mbrëmjen e sotme ishte dhe sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata.

Në një lidhje për RTV Ora, Gjata tha se nuk do të ketë asnjë tërheqje deri në anulimin e ligjit personal të Ramës siç e quan ai, për Teatrin.

Çlirim Gjata: Protesta vijon 24 në 24. Nuk kemi ndërmend të tërhiqemi derisa të shfuqizohet ligji grabitës, antikombëtar, antikulturor për teatrin, ligji personal që ka bërë Rama për pastrimin  e parave. Ne do ta mbrojmë këtë kështjellë të fundit të trashëgimisë kulturore. Askush nuk ka ndërmend të tërhiqet nga këtu. Po tentoi qeveria të përsërisë atë që ndodhi me 24 korrik, do ndodhë përsëri ndoshta dhe më keq. Godinat do të qëndrojnë ku janë, do të marrin statusin e Monumenteve Kulturore, do restaurohen, nuk ka ndërmend të lejojë njeri prishjen e tyre.

I pyetur nëse krahas rezistencës me protesta do të ketë edhe qëndresë ligjore, ai pati këtë koment:

Çlirim Gjata: Patjetër. Kemi shumë shpresa që ligji do të shfuqizohet. Godinat e Teatrit Eksperimental dhe Teatrit Kombëtar do të marrin statusin e Monumenteve të Kulturës.Duhet krijuar një sistem i tillë mbrojtës që të mos ketë mundësi asnjë qeveri të përsërisë këto aventura.Tani është një koncert që po mbahet në sallën e Teatrit. Ajo që quhej diçka e shkatërruar po ristrukturohet.

/Ora News.tv/